Ndërlidhjet

Rasti “Reketi”, test për pavarësinë e sistemit gjyqësor


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Institucionet e sistemit të drejtësisë duhet të përcjellin një porosi të qartë në Bruksel, se kanë kapacitet dhe mbeten të përkushtuar për zbardhjen e plotë të rastit “Reketi”, duke i përballur me drejtësinë të gjithë ata që kanë shkelur ligjet dhe janë të përfshirë në vepra kriminale, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri për Integrime, Bujar Osmani.

“Rasti ‘Reketi’ paraqet një test pikërisht si letra e lakmuesit para vendimit të madh në tetor të Këshillit të Evropës që të shqyrtohet nëse institucionet janë pjekur me reformat që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe”.

“Mendimi im është se këtë situatë krize mund ta konvertojmë, ta shndërrojmë në një mundësi nëse institucionet me të vërtetë reagojnë me seriozitet dhe efikasitet dhe në mënyrë transparente angazhohen për zbardhjen e këtij rasti deri në fund, pavarësisht se çfarë implikimesh politike mund të ngërthejë. Kriminalitet dhe kriminelë ka gjithkund, por dallimin mes shteteve e bën ajo nëse ka ose jo institucione, të cilat arrijnë të ballafaqohen në mënyrë të paanshme”, vlerëson Bujar Osmani.

Zëvendëskryeministri Osmani thotë se pavarësisht se deri në tetor nuk do të ketë vendim gjyqësore për rastin “Reketi”, shprehet i bindur se vendet anëtare të BE-së do të dinë t’i vlerësojnë veprimet që kanë marrë institucionet e drejtësisë për zbardhjen e rastit.

Por, Lubco Petkovski, drejtor i përgjithshëm i Qendrës për Strategji Evropiane “Eurothink” thotë se vetëm me zbardhjen e tërësishme të këtij rasti, do t’i dëshmohet Brukselit se në Maqedoninë e Veriut, institucionet e drejtësisë nuk e kursejnë askënd që ka shkelur ligjin dhe veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për krimin në nivele të larta.

“Askush të mos mbrohet me atë që do të dërgohet një porosi e fuqishme tek ato shtete të BE-së, të cilat janë në hamendje e që janë gjithnjë e më shumë, se te ne është bërë një hap vendimtar në luftën kundër kulturës së mosndëshkimit për çka autoritetet e pushtetit të kaluar ishin aq shumë të kritikuara edhe nga qytetarët, po edhe nga faktori ndërkombëtar”, thotë Petkovski.

Ndërkaq, Osmani është optimist se deri në tetor do të arrihet një konsensus me partinë maqedonase në opozitë VMRO DPMNE dhe do të arrijë të miratohet në parlament ligji i ri për punën e Prokurorisë Publike që pritet të zgjidhë dhe statusin e Prokurorisë Speciale, që është kusht krucial për caktimin e datës për Maqedoninë e Veriut që të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE.

Por, ekspertët thonë se Maqedonia e Veriut si shtet, së fundmi, e ka shumë të vështirë arritjen e konsensusit mes pushtetit dhe opozitës pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

“Me këtë dinamikë që e kemi aktualisht, procesi i bisedimeve mes pushteti dhe opozitës, arritja e konsensusit për Ligjin për Prokurorinë Themelore është shumë diskutabil, por nëse në ditët në vijim ky proces shtyhet nga faktori ndërkombëtar, atëherë besoj se po, pra mund të arrihet ujdi për Ligjin për Prokurorinë Publike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Besa Kadriu, eksperte për çështje juridike dhe ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ka theksuar se miratimi i Ligjit për Prokurorinë Themelore Publike dhe zbardhja e rastit “Reketi” në mënyrë transparente dhe të paanshme nga organet e hetuesisë, janë dy çështjet vendimtare për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG