Lojëra dhe buzëqeshje: Fëmijët e pakicave shijojnë Parkun e Taukbahçes
Dy nga vajzat pjesëmarrëse luajnë me një tullumbace, të rrethuara me shumë fëmijë të tjerë të moshave 9 deri 13 vjeç.
Ditën e parë të kampit veror të sivjetmë, fëmijët e kaluan në Parkun e Taukbahçes, në Prishtinë.
Aktivitetet do të vazhdojmë edhe më 2 gusht, nga ora 10:00 deri në orën 13:00, në parkun e njohur si Pishat e Sllatinës, në Fushë Kosovë.
Organizata TIP ka organizuar këtë kamp veror tash e disa vite. Këtë vit, disa prej mbikëqyrësve në kamp kishin qenë pjesëmarrës në vitet paraprake.
Pjesëmarrës janë fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët përballen me diskriminim dhe vështirësi të ndryshme socio-ekonomike.
"Kemi parë që përveç largimit nga monotonia, socializimit dhe argëtimit, fëmijët lumturohen dhe motivohen që të jenë të rregullt në shkollë", thotë Elza Luzha, nga TIP.
Sipas një raporti të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të publikuar në shkurt të këtij viti, rreth 99 për qind e fëmijëve që braktisin shkollimin në Kosovë janë nga radhët e këtyre tri komuniteteve.
Braktisja e shkollimit shfaqet si problem më i theksuar në mesin e vajzave të këtyre komuniteteve, ku raportohen edhe raste të martesave të hershme.
Në mesin e aktiviteteve, përveç sporteve, ishin edhe lojërat me fjalë, ku pjesëmarrësit ndaheshin në grupe për të garuar se sa mirë e shpejt mund t'i gjenin fjalët e kërkuara.
Një grup fëmijësh të ulur shikojnë teksa dy vajza garojnë në një lojë, ku duhet ta gjenin fjalën që kishin të vendosur në ballë në bazë të informatave që merrnin nga garuesja tjetër.
Disa pjesëmarrës morën pjesë edhe në aktivitete artistike, ku kishin mundësi të pikturonin gurë.
Kampi synon të mos ketë vetëm fëmijë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, por të ketë sa më shumë diversitet.
"Kampi synon t’u sjell argëtim dhe mundësi integrimi këtyre fëmijëve të cilëve u mohohet një fëmijëri e lumtur për shkak të kushteve të vështira socio-ekonomike dhe diskriminimit në shoqëri", thotë Luzha për REL-in.