Vetëm disa muaj më parë, pak njerëz mund ta paramendonin se kandidati presidencial në Mal të Zi, Jakov Millatoviq, ishte në rrugën e duhur për të rrëzuar nga pushteti udhëheqësin më jetëgjatë të Evropës të zgjedhur në mënyrë demokratike. Në fakt, ekonomisti 36-vjeçar, i shkolluar në Perëndim, nuk ishte as zgjedhja e parë e partisë së tij për të kandidat për postin e presidentit.
Por, tani ai është pak mbrapa kundërkandidatit të tij, presidentit aktual, Millo Gjukanoviq, i cili doli i pari me vota në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 19 mars.
Por, që nga rundi i parë edhe kandidatët e tjerë të partive të tjera kanë ofruar mbështetje për të, duke sugjeruar se ish-ministri i Ekonomisë mundet lehtësisht të përdorë ndjenjën kundër Gjukanoviqit për të siguruar fitore për veten, nëse presidenti aktual, 61 vjeç, do të mundet disi të ndryshojë kursin përballë pakënaqësive të publikut.
SHIKONI EDHE: Gjukanoviq dhe Millatoviq në rundin e dytë të zgjedhjeve për president të Malit të ZiGjukanoviq, kryetar i Partisë Demokratike Socialiste (DPS), e ka udhëhequr Malin e Zi si president apo si kryeministër që nga viti 1991, por sundimi i tij është njollosur nga pretendimet për korrupsion dhe akuzat për përfshirje në krimin e organizuar.
Një fitore për Millatoviqin, po ashtu, mund të ishte një momentum për partinë e re të formuar para nëntë muajsh, Evropa Tani, para se të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara për 11 qershor.
Por, vetëm dy vjet e gjysmë pasi hoqi dorë nga puna në bankat ndërkombëtare dhe iu bashkua Qeverisë së udhëhequr nga forcat pro-serbe, Millatoviq vazhdon të jetë mister për shumë shtetas të Malit të Zi dhe për të huajt.
Ai u lind në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, në dhjetor të vitit 1986, që atëbotë njihej si Titograd. Ishte po ai vit që Gjukanoviqi iu bashkua presidencës së Lidhjes Socialiste të Rinisë së Jugosllavisë, që më pas i shërbeu si trampolinë për postin e presidentit dhe kryeministrit në periudhën postkomuniste dhe pas pavarësisë së Malit të Zi.
Pasi përfundoi studimet për Ekonomi në Universitetin e Podgoricës, Millatoviq kaloi një vit si studiues në Universitetin Shtetëror të Illinoisit në SHBA, dhe më pas vazhdoi studimet në Vjenë dhe Romë. Ai mori diplomën në nivelin master në ekonomi në Oksford.
Pas studimeve akademike, ai punoi në një bankë rajonale dhe më pas në Deutsche Bank, para se t’i bashkohej Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si ekonomist në Londër dhe Podgoricë.
SHIKONI EDHE: Kush do të jetë president i Malit të Zi?Më pas, në zgjedhjet e vitit 2020 ai fitoi një ulëse në Parlamentin e Malit të Zi, ku fitoi shumica pro-serbe dhe pro-serbe ortodokse dhe grupime të tjera, zgjedhje këto që çuan DPS-në e Gjukanoviqit në opozitë, për herë të parë që nga mbajtja e zgjedhjeve shumëpartiake në vitin 1990.
Pothuajse një e treta e banorëve të Malit të Zi identifikohen si serbë, dhe rreth dy e treta adhurojnë krahun lokal të Kishës Ortodokse Serbe. Tensionet me Beogradin janë ulur gjerësisht që kur Mali i Zi shpalli pavarësinë nga Serbia më 2006, por çështjet lidhur me identitetin kombëtar të Malit të Zi dhe kulturën e përbashkët janë ende pika të nxehta të debatit.
Millatoviq la punën jashtë vendit dhe u bë ministër i Ekonomisë në Qeverinë “teknike” të kryeministrit Zdravko Krivokapiq dhe ishte një prej “12 dishepujve” – ashtu siç i kishte quajtur Krivokapiq – në Qeverinë që u formua në negociatat e përcjella nga afër nga Kisha Ortodokse Serbe. Negociatat për koalicionin qeverisës u mbajtën në Manastirin Ostrog, për të vënë në pah kredencialet pro-serbe dhe pro-kishës të Qeverisë së formuar.
Në Qeveri, Millatoviq shumë shpejt iu bashkua edhe ministri i Financave, Millojko Spanjiq.
Që të dy shumë shpejt treguan se kishin aftësi të fitonin simpatinë e populistëve.
Spajiq dhe Millatoviq ishin arkitektë të një skeme stimuluese dhe të reformave që pjesërisht rritën pagat, duke hequr kontributet nga skema e kujdesit shëndetësor në mes të pandemisë së koronavirusit. E quajtur si “Evropa Tani”, plani tregoi rezultate të menjëhershme, duke kontribuar në më shumë se dyfishimin e pagës minimale – nga 222 euro në 450 euro – dhe duke rritur pagën mesatare nga 530 euro në 670 euro.
Kritikët kanë thënë se këto veprime ranë ndesh me premtimin e Millatoviqit se Qeveria ishte e “përkushtuar për reforma strukturore” dhe këto vendime dëmtuan aspektin financiar të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe e bënë shtetin të cenueshëm ndaj një “skenari grek” të falimentimit. Millatoviq për dështimin e reformave ia ka lënë fajin mungesës së vullnetin politik, që sipas tij ka penguar po ashtu edhe anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Por, nisma Evropa Tani u dha mbështetje të madhe popullore të dy nismëtarëve të saj.
Duke kritikuar ashpër epokën e Gjukanoviqit, Millatoviq u mburr se “kjo është rritja e parë e rëndësishme e standardit të jetesës [në Mal të Zi] në 30 vjetët e fundit”. Ai sugjeroi po ashtu se shteti mund të arrijë të ketë “një pagë mesatare [mujore] prej 1.000 eurosh në një periudhë të shkurtër kohore”.
Qeveria Krivokapiq nuk i mbijetoi mocionit të mosbesimit në shkurt të vitit 2022. Mocioni u ngrit pas mohimit të gjenocidit në Srebrenicë më 1995 nga një ministër malazez. Megjithatë, kjo Qeveri qëndroi në detyrë deri në prill të atij viti.
Në qershor të vitit 2022, Spajiq si kryetar dhe Millatoviq si zëvendës i tij, krijuan një parti të re politike, të përshkruar si centriste, pro-BE-së me agjendë kundër korrupsionit, të quajtur Lëvizja Evropa Tani.
SHIKONI EDHE: A është mjaftueshëm pro-evropian sfiduesi i Gjukanoviqit?Në tetor të vitit 2022, me Millatoviqin që udhëhiqte listën e partisë së tij, Evropa Tani në Podgoricë – qytet ku jeton një e treta e banorëve të Malit të Zi – fitoi 21 për qind të votave, duke premtuar se do të modernizojë fuqinë punëtore dhe do të sjellë prosperitet ekonomik.
Spajiq, që është serb, njoftoi për planet e tij për të sfiduar Gjukanoviqin në zgjedhjet presidenciale të këtij muaji, por pjesëmarrja e tij në garën presidenciale u pengua për shkak se adresa e tij zyrtare e banimit për një kohë të gjatë ka qenë në Serbi dhe për shkak të dyshimeve se ka shtetësi të dyfishtë.
Por, Millatoviq shpejt zuri vendin e tij dhe garoi në zgjedhje.
“Qoftë unë apo Spajiq, vërtet nuk ka rëndësi në këtë moment”, tha Millatoviq në janar, para se Spajiq të tërhiqej nga gara, duke e përshkruar veten “si person që asnjëherë nuk i ik përgjegjësisë”.
Si kandidat, ai ka përdorur përvojën e tij në ekonomi dhe ka mbështetur rrugëtimin e Malit të Zi drejt BE-së, që është ngadalësuar për shkak të dështimit të reformave dhe lodhjes nga procesi i zgjerimit nga anëtarët e bllokut.
Ai, po ashtu, në vazhdimësi ka kërkuar të ketë raporte të ngushta me Serbinë.
Në mes të shtatë kandidatëve, në rundin e 19 marsit Gjukanoviq fitoi pothuajse 36 për qind të votave, ndërkaq Millatoviq 29 për qind. Që nga rundi i parë i zgjedhjeve, Gjukanoviq ka tentuar të mobilizojë votuesit në mesin e minoriteteve kombëtare joserbe, sikurse shqiptarët dhe boshnjakët, që e kanë mbështetur atë në të kaluarën.
Fitimi i 36 për qind të votave nga Gjukanoviqi përbën rënie prej një të tretës së mbështetjes që ai kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2018, kur fitoi në rundin e parë duke siguruar rreth 54 për qind të votave.
Disa orë pasi u mbyllën qendrat e votimit më 19 mars, disa parti të tjera të lidhura me Qeveritë e kaluara të udhëhequra nga DPS-ja u bënë thirrje votuesve të tyre që në rundin e dytë të përkrahin Millatoviqin.