Ndërlidhjet

Kush do të jetë president i Malit të Zi?


Kandidatët për president të Maalit të Zi, Jakov Millatoviq dhe Millo Gjukanoviq.
Kandidatët për president të Maalit të Zi, Jakov Millatoviq dhe Millo Gjukanoviq.

Millo Gjukanoviq ose Jakov Millatoviq do të zgjidhet president i Malit të Zi, për një mandat pesëvjeçar, në rundin e dytë të zgjedhjeve të planifikuar për 2 prill.

Ata fituan më së shumti vota në rundin e parë, të mbajtur të dielën, më 19 mars.

I pari, udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i shtetit, ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.

Tjetri hyri në politikë më pak se tre vjet më parë dhe është një nga drejtuesit e Lëvizjes Evropa Tani - parti e themeluar në qershor të vitit të kaluar.

Gjukanoviq është 61 vjeç, Millatoviq është 37.

Jakov Millatoviq

Ai hyri në garë zgjedhore pa planifikim, pasi kandidatura e Millojko Spajiqit, kryetarit të Evropës Tani, u refuzua, për shkak të posedimit të nënshtetësisë malazeze dhe serbe.

Ai është diplomuar në Ekonomi në Universitetin e Podgoricës, ka studiuar edhe në SHBA dhe Itali, ndërsa ka magjistruar në Oksford. Ka punuar në Deutsche Bank dhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ai e braktisi karrierën e tij jashtë vendit për t’u vënë në dispozicion të Zdravko Krivokapiqit, kryeministrit të Qeverisë së parë pas rënies së DPS-së, përbërja e së cilës u negociua në Manastirin e Ostrogut, nën patronazhin e Kishës Ortodokse Serbe.

Kandidati për president, Jakov Millatoviq, me gruan e tij, pas votimit në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, më 19 mars 2023.
Kandidati për president, Jakov Millatoviq, me gruan e tij, pas votimit në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, më 19 mars 2023.

Millatoviq ishte një nga 12 “apostujt”, siç i quante Krivokapiqi ministrat e tij.

Si ministër i Ekonomisë, Millatoviq, së bashku me Millojko Spajiqin, në atë kohë ministër i Financave, krijuan projektin ekonomik “Evropa Tani”, me të cilin u hoq kontributi në shëndetësi dhe u rritën ndjeshëm paga minimale dhe të ardhurat mesatare.

“Mund të thuhet me të drejtë se kjo ishte rritja e parë e konsiderueshme e standardit të jetesës në 30 vjetët e fundit në Mal të Zi”, tha Millatoviq dhe shtoi se, brenda një periudhe të shkurtër, është e mundur “të arrihet një pagë mesatare prej 1.000 eurosh”.

Programi “Evropa Tani” tashmë ka kërcënuar funksionimin financiar të sistemit shëndetësor.

Millatoviq konsideron se, për shkak të mungesës së vullnetit politik, reformat nuk janë zbatuar në mënyrë adekuate, prandaj Mali i Zi është vendi me përvojën më të gjatë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Unë do të jem ai që do ta dërgojë vendin në BE”, tha Millatoviq.

Lidhur me agresionin ushtarak rus në Ukrainë, Millatoviq, sa ishte ministër, tha se Mali i Zi qëndron përkrah aleatëve të NATO-s dhe BE-së dhe se, përveç pasojave shkatërruese për Ukrainën, efektet negative të sulmit rus do të ndihen në mbarë Evropën.

Millatoviq mbështet nismën e Ballkanit të Hapur dhe e cilëson Serbinë si “partnerin më të rëndësishëm tregtar dhe turistik”.

Ai e mbështeti edhe nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, të cilën një pjesë e opinionit politik e konsideroi si tradhti ndaj interesave kombëtare, ndërsa ekspertët e konsideruan si të diskutueshme nga këndvështrimi i Kushtetutës dhe karakterit laik të shtetit.

Si ministër, Millatoviq u konsultua me Mitropolitin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, për shkallën e natalitetit.

Pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit, Spajiq dhe Millatoviq formuan partinë Evropa Tani në mes të vitit 2022, duke i dhënë asaj emrin e programit të tyre ekonomik. Në krye të partisë janë katër ministra “apostuj” të Qeverisë së Krivokapiqit.

Në zgjedhjet lokale në Podgoricë, në fund të tetorit të vitit 2022, DPS-ja humbi pushtetin dhe Evropa Tani, me mbështetjen e 21 për qind të votuesve, njoftoi se kryetar i ri i komunës do të jetë Jakov Millatoviq.

Gjatë konventës parazgjedhore të Millatoviqit në Cetinë, më 10 mars, ndodhi një incident gjatë protestës së qytetarëve, të cilët, sipas policisë, deshën ta pengojnë mbajtjen e saj.

Të tubuarit mbanin pankarta me mbishkrimin “Po sikur të vdesin dhjetë malazezë”, që pretendohet se është deklaratë e Millatoviqit gjatë një proteste të mbajtur më 5 shtator të vitit 2021 në Cetinë, kur edhe u shugurua Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Në atë kohë, Millatoviq ishte ministër në Qeverinë e Krivokapiqit, e cila miratoi ndërhyrjen e policisë në protestë. Dhjetëra njerëz u plagosën atë ditë.

Për rundin e dytë të zgjedhjeve, i pari që e mbështeti ishte Fronti Demokratik, parti pro-serbe dhe pro-ruse.

Për Gjukanoviqin, Millatoviq tha së voni se ai “ka vetëm një ideologji të përjetshme dhe ajo është interesi personal dhe familjar”.

Millo Gjukanoviq

Gjatë tri dekadave në pushtet, ai ishte dy herë president dhe gjashtë herë kryeministër.

Gjukanoviq ishte udhëheqës i lëvizjes për rikthimin e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006. Nën udhëheqjen e tij, Mali i Zi u anëtarësua në NATO në vitin 2017 dhe hapi negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2010.

Periudha e qeverisjes së tij u karakterizua me skandale të shumta rreth llogarive personale, kredive, kompanive jashtë vendit, financimit të paligjshëm të fushatës zgjedhore të DPS-së dhe me akuza për shitje të burimeve shtetërore, krim dhe korrupsion.

Për atë periudhë, si drejtues i grupit kriminal u dënua udhëheqësi i lartë i DPS-së, Svetozar Markoviq.

Gjukanoviq ndërtoi marrëdhënie të mira me shumicën e vendeve të rajonit, me përjashtim të Serbisë, e cila u ftoh pasi Mali i Zi, kur ai ishte kryeministër, e njohu Kosovën në vitin 2008.

Ai beson se marrëdhëniet e këqija midis Podgoricës dhe Beogradit janë pasojë e ringjalljes së aspiratave serbomadhe ndaj Malit të Zi dhe se ndikimi rus ka inkurajuar projekte nacionaliste në rajon.

“Sot, nacionalizmi i madh serb qëndron në krye të politikës shtetërore serbe”, tha Gjukanoviq.

Gjatë tri dekadave në pushtet, ai ishte dy herë president dhe gjashtë herë kryeministër.
Gjatë tri dekadave në pushtet, ai ishte dy herë president dhe gjashtë herë kryeministër.

Ai e sheh nismën e Ballkanit të Hapur si një alternativë të keqe ndaj Procesit të Berlinit. Gjukanoviq thotë se Shqipëria dhe Serbia, falë madhësisë së vendeve të tyre, po përpiqen që, përmes kësaj nisme, të krijojnë dominim në raport me vendet e tjera të rajonit.

Sipas Gjukanoviqit, Kisha Ortodokse Serbe merret më shumë me çështje politike sesa fetare.

Po sipas tij, ajo ka lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse Ruse, patriarku i së cilës e bekon agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Ai, po ashtu, kujton se Parlamenti Evropian e ka cilësuar atë si një mjet për ndikimin e politikës malinje ruse në Ballkan.

Gjukanoviq ka qenë në marrëdhënie të këqija me Kishën Ortodokse Serbe që nga miratimi i Ligjit për lirinë fetare në Mal të Zi, në fund të vitit 2019.

Ky ligj, sipas Kishës, është i diskutueshëm. Për pasojë, ai u bë shkas i liturgjive fetare që mblodhën kundërshtarë politikë të Gjukanoviqit dhe kontribuuan në rënien e pushtetit të partisë së tij, e cila qeverisi tri dekada.

Ai konsideron se me nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq - tashmë me mandat teknik - i tradhtoi interesat e vendit.

Gjukanoviq, i cili ia hapi derën kapitalit rus pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi më 2006, është një kritik i ashpër i politikave të Moskës, me të cilën marrëdhëniet u përkeqësuan në vitin 2014, kur Mali i Zi iu bashkua sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Paralajmërimi për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO i përkeqësoi më tej marrëdhëniet me Rusinë dhe rezultoi në një tentativë për grushtshtet kundër Qeverisë malazeze, në vitin 2016. Qëllimi, sipas Gjukanoviqit, ishte likuidimi i tij.

Me një vendim të Gjykatës së Lartë në maj të vitit 2019, dy shtetas rusë dhe disa serbë, si dhe drejtues të Frontit Demokratik u dënuan me shumë vite burg për tentativë për grushtshtet. Ai vendim u rrëzua dhe rigjykimi vazhdon ende.

Edhe Gjukanoviq premtoi se nëse i fiton këto zgjedhje, do ta anëtarësojë Malin e Zi në BE.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG