Irani do të përshpejtojë pasurimin e uraniumit

Presidenti iranian, Hassan Rohani gjatë një vizite në centralin bërthamor Bushehr. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se vendi i tij do të nisë këtë javë zhvillimin e centrifugave, për të përshpejtuar pasurimin e uraniumit.

“Do të hulumtojmë dhe zhvillojmë lloje të ndryshme të centrifugave dhe çfarëdo që është e nevojshme për pasurimin e uraniumit në një mënyrë të përshpejtuar”, tha Rohani.

“Të gjitha kufizimet në kërkimet dhe zhvillimet tona do të hiqen të premten”, tha ai.

Iranit i janë vënë kufizime në programin bërthamor me një marrëveshje të arritur në vitin 2015 midis tij dhe fuqive botërore. Në këmbim të kufizimeve, Iranit i janë hequr disa sanksione dhe i është dhënë qasje në tregtinë botërore.

SHIKONI EDHE: Sa serioze është shkelja e marrëveshjes bërthamore të Iranit?

Por, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vitin e kaluar, është tërhequr nga kjo marrëveshje, duke thënë se nuk ka qenë e ashpër mjaftueshëm sa për të penguar Iranin nga zhvillimi i armës bërthamore.

Që atëherë, Uashingtoni ka vënë sanksione të ashpra mbi ekonominë e Iranit, ndërsa ky i fundit ka nisur të shkelë kufizimet e përcaktuara me marrëveshjen bërthamore.

Republika Islamike po ashtu ka kërcënuar me shkelje të mëtejshme nga 5 shtatori, nëse nënshkrueset evropiane të marrëveshjes – Franca, Gjermania dhe Britania – nuk gjejnë mënyra për të ndihmuar ekonominë e Iranit.

SHIKONI EDHE: Presidenti iranian paralajmëron largim edhe nga disa pika të marrëveshjes bërthamore

Në një fjalim televiziv, Rohani tha se Irani do t’i japë Evropës edhe dy muaj kohë për të zbatuar plotësisht kushtet e marrëveshjes. Nëse kjo ndodh, Teherani do t’i kthehet po ashtu zbatimit të marrëveshjes, tha Rohani.

Centrifuga është pajisje që pasuron uraniumin. Uraniumi i pasuruar nga 3 deri në 5% mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për termocentralet bërthamore. Uraniumi i shkallës së armëve është 90% i pasuruar ose më shumë.

Irani këmbëngul se nuk është përpjekur kurrë të zhvillojë armë bërthamore – siç pretendon bashkësia ndërkombëtare – porse dëshiron të gjenerojë energji elektrike.

Njoftimi i tij i fundit vjen në kohën e bisedimeve intensive midis Iranit, Francës dhe Rusisë për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Sipas disa raporteve, Franca është e gatshme t’i ofrojë Iranit 15 miliardë dollarë kredi deri në fund të vitit – të garantuara me naftë – me kusht që Teherani t’iu kthehet kushteve të marrëveshjes.

Por, Brian Hook, koordinator i Departamentit amerikan të Shtetit për Iranin, përjashtoi mundësinë e lehtësimit të ndonjë prej sanksioneve për të akomoduar propozimin e Francës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sërish nuk e përjashtoi mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë me homologun iranian.

SHIKONI EDHE: ANEB konfirmon: Irani shkeli marrëveshjen bërthamore

I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë rreth gjasave që një takim i tillë të ndodhë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë muaj në Nju Jork, Trump tha:

“Sigurisht, çdo gjë është e mundur. Ata duan të jenë në gjendje të zgjidhin problemin e tyre. Ata kanë problem të madh. Ata po vriten financiarisht”, tha Trump.

Rohani, megjithatë, ka thënë se nuk do të ketë kurrë bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në.

Përgatiti: Valona Tela