Një gjykatë në Tiranë ka urdhëruar të mërkurën që ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të mbahet në paraburgim nën dyshimin për korrupsion, shpëlarje parash dhe fshehje të pasurisë.
Prokuroria nuk ka ngritur ende aktakuzë ndaj Metës dhe gjykata tha të mërkurën se Meta do të mbahet në paraburgim gjatë hetimeve ndaj tij.
Avokati mbrojtës i Ilir Metës, Genc Gjokutaj, njoftoi se klienti i tij do të ankohet ndaj këtij vendimi.
"Ky është një vendim politik i marrë jashtë gjykatës. Do t’i ndjekim rrugën ligjore për ta ankimuar. Ne jemi duke mbledhur prova dhe do të bëjmë kallëzim për punonjësit e policisë që e arrestuan", tha Gjokutaj.
Gjykata gjithashtu urdhëroi ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhin, e cila dyshohet për të njëjtat krime, të paraqiten në polici gjatë hetimeve. Për kryetarin e Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) Piro Xhixho, gjykata vendosi ta lirojë nga arresti shtëpiak dhe e urdhëroi ta paraqitet në polici gjatë hetimeve.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) deklaroi se ish-presidenti Meta dhe Kryemadhi, “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë”.
SHIKONI EDHE: Ish-presidenti Meta arrestohet nën dyshimet për korrupsionKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke komentuar për herë të pas prej se u arrestua Meta, tha se arrestimi i ish-presidentit është një rast që i takon drejtësisë.
"S’bëj komente të politikës së brendshme në gjuhë të huaj, apo në prani të miqve të huaj, por edhe për faktin që qysh se ne kemi nisur reformën në drejtësi dhe ajo ka filluar të zbatohet. Kur ndodh që çështjet të përmbyllen mbase në ndonjë rast, ia vlen të bëhet ndonjë koment”, tha ai kur u pyet për Metën gjatë një konference për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po e vizton Shqipërinë.
Seanca e së mërkurës thuhej se ishte e tensionuar dhe zgjati me orë të tëra, ndërsa u ndërpre një herë pas mesditës për të vazhduar deri vonë pasdite.
Mediat në Shqipëri raportuan se Meta iu drejtua me fjalë ofenduese dhe kërcënime kreut të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), Altin Dumani, i cili është një ndër tre prokurorët që po heton ish-presidentin.
I pyetur nëse ish-presidenti humbi qetësinë dhe kërcënoi prokurorët, avokati e mohoi, por pranoi se seanca u shoqërua me debate dhe tone të larta.
"Nuk humbi qetësinë, sigurisht toni i lartë argumenti dhe e vërteta thuhen me zë të lartë", tha Gjokutaj.
Por, Kryemadhi tha më herët të mërkurën se “Ilir Meta për mua sikur i përkëdheli ata, jo sikur i kërcënoi”.
Ajo tha se asnjë prej pretendimeve të SPAK-ut ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta nuk qëndrojnë.
Kryemadhi tha se "nuk ishte normale" që ajo dhe Meta ishin në një sallë, për sa kohë mes tyre nuk ka komunikim, por e mbrojti atë duke cilësuar të padrejtë arrestimin dhe duke akuzuar policinë për dhunë gjatë shoqërimit.
Avokati Genc Gjokutaj si dhe përfaqësues të subjektit të Metës, Partia e Lirisë, e kanë konsideruar arrestimin e tij si "rrëmbim banditesk".
Meta u arrestua teksa po udhëtonte me makinë drejt selisë së partisë së tij. Partia e Lirisë tha se ndaj Metës u ushtrua dhunë nga punonjësit e policisë.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, mbrojti punonjësit e policisë dhe tha se përdorimi i forcës ishte i pashmangshëm për shkak të refuzimit të ish-presidentit Meta për t'iu bindur urdhrit të policisë.
SHIKONI EDHE: Ministri i Brendshëm arsyeton përdorimin e forcës gjatë arrestimit të MetësSPAK-u ka thënë se Meta dhe Kryemadhi “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.
Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.
Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara. Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.
Hetimet janë duke vazhduar, me qëllim të mbledhjes së provave dhe për të kuptuar përfshirjen e personave tjerë në këto veprimtari. SPAK-u më 21 tetor ka falënderuar për bashkëpunimin autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros si dhe Policinë e Shtetit.
SHIKONI EDHE: DASH pas arrestimit të Metës: Mbështesim SPAK-un në luftën kundër korrupsionitIlir Meta ka shërbyer në postin e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022. Përveç postit të presidentit, Meta ka qenë edhe kryeministër, kryetar Kuvendi, ministër i Jashtëm dhe ministër i Ekonomisë.