Ndërlidhjet

Ministri i Brendshëm arsyeton përdorimin e forcës gjatë arrestimit të Metës


Ish-presidenti Ilir Meta, duke u shoqëruar në selinë e Policisë në Tiranë më 21 tetor 2024.
Ish-presidenti Ilir Meta, duke u shoqëruar në selinë e Policisë në Tiranë më 21 tetor 2024.

Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Ervin Hoxha, e ka konsideruar të pashmangshëm shoqërimin me forcë të ish-presidentit, Ilir Meta.

Reagimi i tij vjen një ditë pas arrestimit të Metës, i cili ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme në hierarkinë shtetërore si president, kryetar Kuvendi, kryeministër, ministër i Jashtëm dhe ministër i Ekonomisë.

Ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), që ka deklaruar se Meta dyshohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Arrestimi i tij shkaktoi debate në Shqipëri.

Partia e Lirisë, e cila drejtohet nga Ilir Meta, tha se arrestimi i tij "ishte një rrëmbim banditeskt". PL-ja tha se ndaj Metës është ushtruar dhunë dhe policia duhet të përgjigjet para ligjit.

Reagim të njëjtë pati edhe Partia Demokratike në opozitë.

Policia, ndërkaq, tha se Meta kishte refuzuar që të arrestohej dhe kishte ofenduar zyrtarët policorë, andaj në bazë të rregullave, “ai është nxjerrë nga automjeti dhe është shoqëruar forcërisht”.

Edhe ministri Hoxha mbrojti veprimet e policisë, duke thënë se ajo zbatoi ligjin.

"Kur Policia e Shtetit, jo në Shqipëri, por kudo në botë, merr një urdhër arresti, nuk ka në dispozicion shumë opsione, por vetëm një: Të ndalojë personin e kërkuar dhe pikë. As mund ta lajmërojë, as mund ta ftojë dhe as mund të koordinojë me të, vendin dhe orën e ndalimit. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë të pamundura, por janë vepër penale, që ndëshkohen me burg”, tha Hoxha.

Ai shkroi në Facebook se Policia e Shtetit më 21 tetor u detyrua ta kryente arrestimin duke përdorur forcën.

Partia e Lirisë ka thënë se është duke gjetur emrat e punonjësve policorë që morën pjesë në arrestimin e Metës, duke shtuar se ata “do të ndëshkohen”.

Ndërkaq, edhe avokati i Metës, Genc Gjokutaj, ka thënë se ish-presidenti është “rrëmbyer në mënyrë banditeske".

Meta kishte njoftuar për një konferencë për media për në orën 13:40 dhe ishte duke udhëtuar drejt selisë së partisë së tij kur është arrestuar.

Çfarë tha SPAK-u?

SPAK theksoi se Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.

Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.

Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.

Prokuroria e Posaçme tha se Meta në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë DIA për të mbledhur borxhet e ÇEZ, edhe pse ajo nuk i përmbushte kriteret ligjore e profesionale”.

Prokuroria tha se Meta si kryetar Kuvendi, dhe bashkëshortja e tij si deputete, në vitin 2014 kanë përdorur ndikimin e tyre për të futur në tregun e fibrave optike një kompani dhe kanë përfituar më pas përqindje nga fitimet e kompanisë.

Kryetari i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Piro Xhixho, për të cilin është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” është thënë se ka ndikuar te drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e marrëveshjes, por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.

Mes tjerash, SPAK tha më 21 tetor se Meta dhe Kryemadhi janë përfshirë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen (S.M), duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për ndikimin e paligjshëm që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të biznesmenit në fjalë.

Kryemadhi, me porosi të këtij biznesmeni, ka ndryshuar një ligj në Kuvendin e Shqipërisë, tha SPAK-u.

Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se Meta e bashkëshortja nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë eurosh.

Hetimet janë duke vazhduar, me qëllim të mbledhjes së provave dhe për të kuptuar përfshirjen e personave tjerë në këto veprimtari.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG