Ndërlidhjet

Arrestohet ish-presidenti Meta, dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash


Ilir Meta. Fotografi nga arkivi.
Ilir Meta. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor, nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.

Meta kishte shërbyer në postin e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022.

Përveç postit të presidentit, Meta kishte qenë edhe kryeministër, kryetar Kuvendi dhe ministër i Jashtëm.

Policia e Shtetit ka thënë se e ka zbatuar rregulloren kur e ka arrestuar ish-presidentin Meta.

Sipas këtij institucioni, kërkesa për arrestim është bërë nga SPAK-u.

"Është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit Ilir Meta vendimin e Gjykatës për masën e sigurisë ‘arrest në burg’ dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti. Shtetasi Ilir Meta ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë. Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht”, është thënë në reagimin e Policisë.

Në një postim në llogarinë e Metës në Facebook, është thënë se "nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht".

Nuk është bërë e qartë si është bërë ky postim, marrë parasysh masën e arrestit ndaj Metës.

"Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike! Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë! Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat", është thënë mes tjerash në postim.

Çfarë tha SPAK-u?

SPAK thekson se Meta dhe bashkëshortja e tij “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.

Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.

Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.

Prokuroria e Posaçme thotë se Meta në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë DIA për të mbledhur borxhet e ÇEZ, edhe pse ajo nuk i përmbushte kriteret ligjore e profesionale”.

Prokuroria thotë se Meta si kryetar Kuvendi, dhe bashkëshortja e tij si deputete, në vitin 2014 kanë përdorur ndikimin e tyre për të futur në tregun e fibrave optike një kompani dhe kanë përfituar më pas përqindje nga fitimet e kompanisë.

Kryetari i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) Piro Xhixho, për të cilin është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” është thënë se ka ndikuar te drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.

Mes tjerash, SPAK ka thënë se Meta dhe Kryemadhi janë përfshirë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen (S.M), duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për ndikimin e paligjshëm që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të biznesmenit në fjalë.

Kryemadhi, me porosi të këtij biznesmeni, ka ndryshuar një ligj në Kuvendin e Shqipërisë, thotë SPAK.

Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se Meta e bashkëshortja nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë eurosh.

Hetimet janë duke vazhduar, me qëllim të mbledhjes së provave dhe për të kuptuar përfshirjen e personave tjerë në këto veprimtari.

SPAK ka falënderuar për bashkëpunimin autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros si dhe Policinë e Shtetit.

Më herët, avokati i Metës, Genc Gjokutaj, ka thënë se ish-presidenti është “rrëmbyer në mënyrë banditeske".

"Momenti është politik. Dyshja Rama-Dumani dhe me ndihmën e mashave, ish-bashkëpunëtorët e Metës, kanë formuar një vendim që ne sapo e kemi marrë. Qëndrimi i tij është krejt i qartë është i vendosur të përballet me procesin. Rrëmbyen në rrugë ish-kryeministrin, ish-presidentin”, ka thënë ai.

Meta kishte njoftuar për një konferencë për media për në orën 13:40 dhe ishte duke udhëtuar drejt selisë së partisë së tij kur është arrestuar.

Bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, shkroi në rrjetet sociale se nuk është në dijeni se ndaj saj është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje” – siç është raportuar në mediat në Shqipëri – e as për masën e sigurisë “arrest me burg” për Metën.

“Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babanë e fëmijëve të mi. Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike. Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik”, shkroi Kryemadhi në Facebook.

Zëdhënësi i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi si “akt të papërgjegjshëm” arrestimin e Metës, duke thënë se SPAK-u me këto veprime po tenton “ta eliminojë opozitën”.

“Arsyet e arrestimit të tij lidhen me qëndrimin që ka mbajtur në mbrojtje të çështjes kombëtare”, tha Blushi.

Ndërkaq, ish-kryeministri demokrat, Sali Berisha, ishte në një konferencë për mediat në momentin që ndodhi arrestimi i Metës.

Berisha e cilësoi si "persekutim" arrestimin e Metës.

“Nuk kanë publikuar asnjë fakt për Ilir Metën. Persekutimi i Metës është vetëm politik. U zbatua urdhri politik i [kryeministrit të Shqipërisë] Edi Ramës. Është radha jonë”, u shpreh Berisha, pasi u pyet nga gazetarët për këtë zhvillim.

Ish-presidenti Ilir Meta ishte paraqitur në SPAK në qershor të këtij viti. Atëbotë, ai bëri akuza të rënda në drejtim të kreut të këtij institucioni, Altin Dumani. Pasi u mor në pyetje, Meta deklaroi për mediat se u pyet për 3 orë “për gjëra të kota”, që sipas tij, nuk kishin lidhje me të, por kishin të bënin me veprimet e të tjerëve. Ai po ashtu deklaroi se u pyet për pasurinë dhe theksoi se me këtë çështje merrej bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, me të cilën janë në proces divorci.

Në SPAK ka qenë dhe Monika Kryemadhi, e cila ndryshe nga Meta nuk sulmoi prokurorët e SPAK--ut, por tha se ata po bëjnë punën e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG