Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, duhet të konsultohet me partitë politike ashtu që të ketë dakordim për datën e re të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Sipas tij, në Kosovë nuk ka hapësirë për qeveri teknike dhe se Ramush Haradinaj, pas dorëheqjes nga pozita e të parit të Qeverisë, nuk ka më asnjë kompetencë në Qeveri.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Deda, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, cila konsideroni se është zgjidhja më e qëndrueshme që duhet të marrin institucionet dhe spektri politik në Kosovë?
Ilir Deda: Po kjo pak a shumë është e qartë edhe në këtë moment. Të gjitha partitë politike janë deklaruar se duan zgjedhje të reja dhe në ketë mënyrë ia kanë lehtësuar vendimin presidenti Thaçi i cili në bazë të Kushtetutës, duhet t'i bëj dy raunde të konsultimeve.
Raundi i parë është që të shoh se a ka mundësi të bëhet një shumicë e re në Kuvend me këtë legjislaturë. Ne këtë e shohim se nuk ka mundësi dhe pastaj menjëherë ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Unë mendoj se këto zgjedhje do të mbahen diku gjatë muajit shtator të këtij viti.
Radio Evropa e Lirë: Në praktikat e kaluara kryeministri zakonisht ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së tij në Kuvend, kurse dorëheqja ishte një rast i ri. Sa ka gjasa që Kuvendi të shpërbëjë veten në këtë rast?
SHIKONI EDHE: Dy opsionet politike e kushtetuese pas dorëheqjes së HaradinajtIlir Deda: Është një nga opsionet në bazë të rregullores së Kuvendit të Kosovës, ku ne mundemi me dy të tretat e votave ta shpërbëjmë vetveten. Por, nuk ka arsye që të shkojmë në këtë rrugë sepse presidenti duhet të konsultohet me partitë politike për datën e zgjedhjeve. Ne kemi pasur situata të ngjashme ndërmjet viteve 2004-2007, në qeverinë e parë të AAK-LDK, ku i kemi pasur tre kryeministra të cilët kanë dhënë dorëheqje, por ai koalicion ka vazhduar.
Tash është e qartë që PAN-i vazhdon dhe mirë që vazhdon bashkë dhe nuk ka mundësi që të krijohet një shumicë e re në Kuvendin e Kosovës në këtë situatë, përpos nëse jemi në një gjendje më të jashtëzakonshme politike, e unë mendoj se gjendja e jashtëzakonshme politike mund të bëhet vetëm në qoftë se kemi fillim të aktakuzave të profilit të lartë nga ana e Prokurorisë Speciale të Gjykatës Speciale, por kjo nuk po duket se do të ndodh, kështu që më së miri është të shkojmë në zgjedhje në shtator.
Radio Evropa e Lirë: A ka hapësirë për një qeveri të re kalimtare apo teknike në këtë gjendje?
Ilir Deda: Nuk ka hapësirë sepse nuk kemi moment të tillë dramatik politik. Ajo çfarë dihet është se Haradinaj nuk është kryeministër në dorëheqje, por është vetëm lider i AAK-së tash, pasi që ka dhënë dorëheqje dhe nuk mund të ushtrojë asnjë kompetencë qeverisëse.
SHIKONI EDHE: Kalkulimet e hershme për koalicioneAjo se çfarë Kosovës i duhet të ndodhë është unifikimi i opozitës së tanishme dhe individëve të pavarur që të garojmë bashkë me një listë të përbashkët zgjedhore që ta fitojmë një mandat të qartë nga ana e qytetarëve për reformat në Kosovë, të cilat janë më se të domosdoshme, për sundim të ligjit, për integritetin territorial dhe ajo qeveri e ardhshme me një shumicë të madhe zgjedhore nëse unifikohet opozita, atëherë mund ta udhëhiqte edhe dialogun me Serbinë me kredibilitet dhe me parime të qarta si duhen të normalizohen marrëdhëniet mes nesh dhe Republikës së Serbisë.
Të gjithë faktikisht e presim 3 gushtin, datën e përfundimit të zgjedhjeve në LDK, në mënyrë që të kemi mundësi të ulemi me udhëheqësinë e re të LDK-së dhe të diskutojmë mundësinë e krijimit të një liste të një opozite të bashkuar dhe ndërtimin e një kohezioni programor qeverisës ndërmjet partive opozitare sepse ka dallime dhe ne nuk mund të dalim në zgjedhje në emër të ndryshimit me dallime të tilla ndërmjet nesh. Unë marr pjesë në zgjedhje që nga viti 2010 dhe nga ajo kohë kam kërkuar bashkim të opozitës. Ne i kemi humbur këto 10 vjet në Kosovë për shkak të mosunifikimit të forcave demokratike në këtë shoqëri.
Është momenti i fundit që të këtë pjekuri politike për marrjen e përgjegjësive nga forcat demokratike në Kosovë, për transformimin qeverisës ekonomik, sundim të ligjit në Republikën tonë dhe për kthimin e besimit te pjesa perëndimore e bashkësisë ndërkombëtare pasi që Kosova sot nuk ka kredibilitet në arenën ndërkombëtare, përkundrazi.
Me partitë politike opozitare, kemi diskutuar shpesh në Kuvend joformalisht për mundësinë e unifikimit opozitar dhe është parë një tendencë e përkrahjes së kësaj ideje. Tash a do të realizohet apo jo, unë këtë nuk e di, por unë jam në funksion që ta kemi bashkimin opozitar dhe do të angazhohem deri në fund që të kemi opozitë të bashkuar me një program të përbashkët, sepse përgjegjësitë janë shumë të mëdha.
Kosova është në krizë shumë të madhe politike, ekonomike dhe shoqërore. Nëse nuk do të ketë ndryshim rrënjësor në këto zgjedhje, atëherë ikja nga Kosova do të vazhdoj. Kriza ekonomike do të vazhdojë dhe ne do të mbesim një lloj shteti i izoluar apo gjysmë i izoluar në Evropë, diçka që nuk e meritojnë qytetarët tanë. E tash, që t'ju afrohet një alternativë e mirëfilltë politike qytetarëve, duhet të ndodh bashkimi opozitar.
Radio Evropa e Lirë: Përderisa Kosova është tash në proces të formimi të qeverisë apo mbajtjes së zgjedhjeve, çfarë prisni të ndodhë me procese tjera, sidomos me dialogun me Serbinë, të cilin faktori ndërkombëtar po insiston që ta çojë drejt finalizimit me një marrëveshje?
SHIKONI EDHE: Vazhdimi i dialogut i ndërlidhur me formimin e Qeverisë së re të KosovësIlir Deda: Qe dhjetë vjet kalendari politik i Kosovës diktohet nga pritjet për dialog midis Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se nëse zgjedhjet mbahen në fillim të shtatorit, ne mund ta kemi një qeveri në fund të shtatorit dhe dialogu të vazhdojë pas krijimit të qeverisë se re me atë që duhet të jemi shumë të qartë mbi çfarë parimi duam ta vazhdojmë ketë dialog dhe mbi çfarë parimesh duhet ta mbyllim procesin e dialogut me Serbinë. Mos të harrojmë që është në interesin tonë që ky proces të përfundojë sa më parë, sepse ne e humbëm një dekadë duke u marr me marrëdhëniet me Serbinë, derisa situata e brendshme në Kosovë është përkeqësuar çdo vit.
Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, a prisni që situata aktuale në Kosovë të reflektojë edhe në vendimmarrjen në BE sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën?
Ilir Deda: Jo, nuk pres që situata e tanishme të ndikojë sepse dy nga tri institucionet e BE-së kanë thënë se Kosova i ka përmbushur kushtet.
Tash kemi shtete individuale në krye me Gjermaninë të cilat janë deklaruar se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave dhe çka duhet të presim është të shohim në tetor a do të jetë vendimi apo çfarë vendimi do të marrin shtetet anëtare,me atë që BE-ja duhet ta rifitojë një lloj kredibiliteti në Republikën e Kosovës, kredibilitet i cili është humbur për shkak të dy gjërave; mospërmbushjen e kontratës nga ana e BE-së sa i takon heqjes së vizave dhe dy rolit të dëmshëm të zonjës Mogherini në dialog me Serbinë dhe shtyrjes përpara të agjendës së ndarjes së Kosovës. ideale kishe me qenë që në tetor, BE-ja të merr vendim pozitiv për heqje të vizave dhe me lidershipin e ri të vazhdojë dialogu me Serbinë.