Ndërlidhjet

Vazhdimi i dialogut i ndërlidhur me formimin e Qeverisë së re të Kosovës


Foto nga një takim ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Foto nga një takim ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vazhdimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është gati se i pamundur pa formimin e Qeverisë së re të Kosovës, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë.

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, sipas tyre, padyshim që do të ketë ndikim dhe efekte edhe në procesin e dialogut me Serbinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi i kanë inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve me synimin që marrëveshja finale për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve të nënshkruhej gjatë këtij viti.

Thirrjet e tyre ishin shpeshtuar sidomos nga fundi i nëntorit të vitit 2018, kur Prishtina zyrtare vendosi taksën 100 për qind për të gjitha importet nga Serbia. Ky vendim i Prishtinës zyrtare u cilësua i papranueshëm nga Beogradi, i cili tashmë e ka vënë kusht shfuqizimin e taksës për kthimin në dialog.

Aktualisht Kosova ka një qeveri dhe kryeministër në dorëheqje. Kurse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk ka ndërmarrë një veprim në bazë të cilit, do të sqarohej nëse vendi përfundimisht do të shkojë në zgjedhje të reja apo do të ketë tentativa për formimin e një qeverie të re.

Derisa në Kosovë ka një gjendje të tillë politike, analistët nuk parashikojnë mundësi që dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokrati i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se deri në formimin e institucioneve të reja, procesi i dialogut do të ngadalësohet dhe të vazhdojë vetëm pasi institucionet kushtetuese të jenë funksionale.

"Tani presidenti përfaqëson Kosovën brenda dhe jashtë vendit, por kur vjen puna te marrja e vendimeve, qoftë në politikën e jashtme, e kemi parë që është një përgjegjësi e cila i takon Qeverisë së Kosovës e cila duhet të bëhet në konsultim me presidentin dhe nën mbikëqyrjen e Kuvendit”.

“Pra, duhet të kemi të tri këto hallka institucionale në funksionin e tyre të plotë kushtetues, në mënyrë që një proces i mirëfilltë i dialogut të mund të vazhdojë dhe të flitet në detaje për një marrëveshje eventuale midis dyja palëve. Deri sa nuk i kemi këto, nuk do të ishte, ta them kështu, në përputhje me obligimet që institucionet kanë", tha Krasniqi.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë tha se nuk ka qëndrim kundër dialogut në çfarëdo etape. Ai deklaroi se Kosova edhe kështu i kryen funksionet e veta, mirëpo sipas tij, dialogu duhet të jetë pa kushte edhe jo dialog për ndarje.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se edhe rrjedha e takimeve në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë deri tash ka qenë e paqartë dhe se, sipas tij, e vetmja shpresë për vazhdimin e dialogut ishte njoftimi se në muajin shtator në Paris do të mbahej një takim i ri.

Kryeziu thotë se edhe në situatën e re të krijuar në Kosovë, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, dialogu politik me Serbinë duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës.

"Kjo paqartësi mund të ofrojë ndoshta një hapësirë më të madhe manovruese që presidenti të arrijë një marrëveshje. Mirëpo, unë konsideroj se vendimi i Gjykatës Kushtetues e ka qartësuar atë duke ia pamundësuar atij që të arrijë një marrëveshje dhe të negociojë një marrëveshje me palën serbe”, tha Kryeziu.

Ai ka rikujtuar se çfarëdo marrëveshje që mund të nënshkruhet, do të jetë e pamundur të zbatohet pa miratimin e saj në Kuvendin e Kosovës.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, por edhe ata jashtë saj, kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia, sa më parë të vazhdojnë dialogun për arritjen e një marrëveshjeje finale.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett u ka transmetuar një mesazh Prishtinës dhe Beogradit, që të kthehen në tavolinën e bisedimeve.

"Është koha që Kosova dhe Serbia të gjejnë rrugën e tyre në tryezën e negociatave”, ka shkruar ambasadori Kosnett në Twitter.

Në anën tjetër, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se është e rëndësishme që Kosova së shpejti të ketë qeveri funksionale.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, Heldt ka thënë se “Kosova vazhdon të ketë përballë sfida të rëndësishme politike, në veçanti dialogun politik me Serbinë dhe reformat e brendshme politike. Është e rëndësishme që Kosova së shpejti të ketë një qeveri funksionale”, është shprehur ndër të tjera ambasadori gjerman.

Por, Përparim Kryeziu thotë se institucionet e Kosovës duhet t'ua bëjnë me dije përfaqësuesve ndërkombëtarë se dialogu duhet të shkojë në pushim deri në formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

"Në këto rrethana detyrimisht do të duhej të shtyhet procesi i dialogut, pasi që nuk ka asnjë trup i cili mund të japë një premtim fuqiplotë përballë faktorit ndërkombëtar në implementimin e çfarëdo lloj vendimi apo marrëveshjeje që ka të bëjë me Serbinë, duke qenë se Qeveria ka rënë, duke qenë se pritet të ketë rizgjedhje për Kuvendin e Kosovës, e të dy këto dy institucione janë bartëset kryesore të negocimit dhe votimit të çfarëdo lloj marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë", tha Kryeziu.

Bisedimet, që kanë nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, aktualisht janë ndërprerë për shkak të taksës doganore që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.

Një përpjekje për të rinisur me dialogun kanë bërë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Por, edhe kjo nismë nuk ka sjellë si rezultat vazhdimin e dialogut. Në këtë frymë, ishte paralajmëruar, edhe pse jo në formën zyrtare, mundësia e mbajtjes së një takimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, gjatë shtatorit në Paris. Po ashtu, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump, i kanë inkurajuar palët që të arrijnë marrëveshje, duke u ofruar edhe mbështetjen për këtë qëllim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG