Më 16 gusht, Qeveria e Kosovës mori vendim që t'iu japë mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në rast të nevojës e në qëllim të sigurisë kombëtare", thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Ndërkaq, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka konfirmuar se janë duke komunikuar me autoritetet e Kosovës, lidhur me mundësinë që institucionet e saj të strehojnë një numër të personave nga Afganistani, pas marrjes së kontrollit në këtë vend nga talibanët.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
“Ne mund të konfirmojmë se Qeveria amerikane është në bisedime me Qeverinë e Kosovës lidhur me atë se si Kosova mund të ndihmojë partnerët amerikanë në Afganistan. Tash për tash nuk mund t’iu japim më shumë detaje”, thuhet në përgjigjen me shkrim që një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ia ka dhënë Radios Evropa e Lirë.
Kosova do të strehojë afganët “pa hezitim”
Institucionet në Kosovë janë shprehur të gatshme të strehojnë qytetarët afganë, pas komunikimeve që ata thonë se kanë pasur me autoritetet amerikane.
Të dielën, më 15 gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo tha se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”. Ajo tha se “Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve”.
Presidentja Osmani tha se Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues që do të merret me çështjet organizative, në bashkëpunim me partnerët amerikanë.
SHIKONI EDHE: Kosova u bashkohet thirrjeve për largim të sigurt të njerëzve nga AfganistaniQeveria e Kosovës, po ashtu ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se sa i përket strehimit të afganëve, kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, Luan Dalipi shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës, tha se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.
“Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-ja është aleatja jonë kryesore dhe partnerja jonë strategjike”, tha Dalipi.
MPJD punon në evakuimin e shtetasve të Kosovës
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka thënë se është duke vazhduar angazhimin intensiv për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan me qëllim të largimit sa më të shpejt nga atje.
“Deri në mesditën e së hënës, MPJD është në kontakt të drejtpërdrejt me tre shtetas dhe po angazhohet për t’ju dalë në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Kjo ministri po ashtu ka vënë në dispozicion numrin kontaktues: +383 45 492 316, ku të gjithë qytetarët e Kosovës mund të thërrasin për të marrë udhëzimet dhe ndihmën e nevojshme.
Your browser doesn’t support HTML5
Shqipëria tregon gatishmëri për strehim të qindra afganëve
Shqipëria është e gatshme të strehojë qindra qytetarë afganë të cilët po largohen nga Afganistani, duke u bërë pjesë e listës së dhjetëra shteteve që janë zotuar të pranojnë afganët që kërkojnë të arratisen nga vendi pas krizës së krijuar.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka përmes një postimi në Twitter, më 16 gusht, bëri me dije se Shqipëria është e gatshme të strehojë qindra afganë dhe të sigurojë mirëqenien e tyre.
“Shqipëria është gati të presë qindra afganë jetët e të cilëve janë të kërcënuara nga situata e sigurisë në përkeqësim. Në qëndrojmë krah aleatëve tanë, të gatshëm të garantojmë sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, shkroi Xhaçka.
Zëri i Amerikës raporton se grupi i parë prej 250 afganësh, pritet të arrijnë në Shqipëri brenda kësaj jave. Burimet diplomatike i kanë thënë Zërit të Amerikës se bëhet fjalë për përkthyes dhe bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshëm të strukturave amerikane në Afganistan. Ata do të transferohen së bashku me familjet e tyre.
Më herët, të dielën, më 15 gusht, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi se ditët e fundit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar nga Shqipëria që të shërbejë si vend transit për emigrantët politikë afganë.
“Pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria”, ka shkruar kryeministri Rama në Facebook.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se një shtetase shqiptare, e punësuar në një kompani të huaj, ndodhet në Afganistan.
Autoritetet thanë se ajo ka kontaktuar me Ambasadën e Shqipërisë dhe shtojnë se janë aktivizuar dhe po punojnë për nxjerrjen e saj në Afganistan.
Maqedonia e Veriut po bën përgatitjet për të pranuar civilët afganë
Maqedonia e Veriut, po ashtu i është përgjigjur pozitivisht thirrjeve të autoriteteve amerikane për strehimin e qytetarëve afganë.
Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se autoritetet po bëjnë përgatitje për strehimin e afganëve.
“Qeveria në komunikim me partnerët amerikanë dhe të NATO-s ka ofruar të strehojë civilë afganë të cilët ikin nga zhvillimet atje dhe po bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme për pranimin e tyre”, tha Osmani.
SHIKONI EDHE: Rreth 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut presin evakuimin nga AfganistaniSHBA-ja lavdëron Kosovën dhe Shqipërinë
Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Shqipërisë që të strehojnë përkohësisht afganët, që bashkëpunuan me forcat amerikane, teksa talibanët kanë marrë nën kontroll pothuajse tërë territorin e Afganistanit.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kosova i është bashkuar thirrjeve për largimin e sigurt të njerëzve nga Afganistani.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ka reaguar në lidhje me gatishmërinë e Shqipërisë për të strehuar refugjatët afganë.
“BESA – kur ka më shumë rëndësi, populli shqiptar tregon gjithmonë nder, guxim dhe mirësi. Ne jemi krenarë t’ju quajmë mikun dhe aleatin tonë”, shkruan ambasadorja në Twitter.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka përgëzuar Kosovën, Shqipërinë, por edhe Maqedoninë e Veriut për gatishmërinë e tyre për të strehuar afganët, jeta e të cilëve rrezikohet nga talibanët. Ajo ka shprehur mirënjohjen e saj, duke thënë që shpreson që këtë shembull do ta ndjekin edhe vendet tjera.
Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan ka shkruar se mirëpret vendimin e Qeverisë së Shqipërisë që të strehojë afganët.
“Populli i Shqipërisë dhe njëherë i ka treguar botës se çfarë nënkupton Besa. Ju keni respektin dhe falënderimin tonë”, thuhet në një postim në Twitter të këtij komiteti.
Talibanët kanë pretenduar fitoren në Afganistan, më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.