Presidenti Thaçi kundërshton masat e qeverisë për kufizim të lirisë së lëvizjes

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kundërshtuar masat e vendosura nga qeveria për kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit, pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Gjatë një konference për media, Thaçi tha se kufizimi i lirisë së lëvizjes mund të bëhet vetëm nëse paraprakisht shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

Sipas Thaçit, kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij, e kanë shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, vendimi për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve paraqet shmangie nga liritë që garantohen me Kushtetutë.

“Kufizimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve mund të bëhet vetëm nëse shapllet gejndja e jashtëzakonshme, Gjendjen e jashtëzakonshme mund ta shpallë vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës. Një gjendje e tillë nuk ekziston. Unë do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet eKosovës, pro edhe do të kujdesem që institucionet e Republikës së Kosovës të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi u thirr në nenin 56 të Kushtetutës së Kosovës, ku në pikën 1, thuhet se shmangia nga liritë themelore, që mbrohen me Kushtetutë “mund të bëhet vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna”.

“Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojë vendimet kundër-kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. As Policia e Kosovës dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundër-kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se të martën, paradite, do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që ta pezullojë dhe anulojë këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, në përputhje me procedurën.

Your browser doesn’t support HTML5

Thaçi propozon gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë

Në lidhje me masat e vendosura, Qeveria e Kosovës ka thënë se ato janë masa të reja shtesë në luftën për parandalimin e virusit COVID-19.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, që nga data 24 mars e vitit 2020, thuhet se ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 10:00 e deri në orën 16:00, si dhe prej orës 20:00 e deri në orën 06:00.

Në orët kur mundësohet lëvizja në rrugë, më shumë se dy persona nuk do të lejohet të lëvizin së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët.

Ndalimi i qarkullimit, sipas Qeverisë së Kosovës, nuk vlen: për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), si dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).

Qeveria ka vendosur masë ndalimi për tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura.

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, e ka cilësuar thirrjen e presidentit për mosdëgjueshëmri ndaj vendimit të qeverisë, si shqetësues.

“Zyrtarët që bëjnë thirrje për moszbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon. Vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin”, ka shkruar Sveçla.

Ai shtuar që qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe t’i zbatojmë masat e vendosura nga qeveria.

Kundër vendimit të qeverisë, ka dalë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ai thotë se kufizimi i të drejtave të qytetarëve, mund të bëhet vetëm me vendim të kuvendit, duke i bërë thirrje qeverisë, partia e të cilit është vetë pjesë e saj, të rishqyrtojë vendimin për kufizimin e lëvizjes.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qeveria ka shkelur “frymën e Kushtetutës” me vendimin për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

“Edhe në kohë krizash gjëja më e çmueshme e shtetit është demokracia dhe Kushtetuta. Çdo tendencë si kjo e sotshmja që krizat të shfrytëzohen për vendime të njëanshme për të vendosur kontroll, është veprim për diktaturë”, tha Haradinaj.

Më 17 mars, presidenti Thaçi propozoi një dekret për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila tha se do t’i dërgohet kuvendit për miratim. Megjithatë, deputetët nuk kanë pranuar ende një dekret të tillë.

SHIKONI EDHE: S’ka marrëveshje për gjendje të jashtëzakonshme

Kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke argumentuar se institucionet po menaxhojnë situatën me koronavirusin.

Madje, për mbështetjen e idesë së presidentit Thaçi për gjendjen e jashtëzakonshme, Kurti shkarkoi Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme. Lidhja Demokratike e Kosovës – parti në koalicionin qeverisës – po përkrah masa të jashtëzakonshme për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

Deri më tani, në Kosovë janë shënuar 61 raste me koronavirus dhe një pacient ka vdekur. Qeveria e Kosovës ka shpallur emergjencë të shëndetit publik.