Më shumë se 1.300 trupa paramilitare, besnike të liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, kanë arritur në rajonin ukrainas të Hersonit, si përforcim për ushtrinë ruse.
“Për të rritur forcën ruse në territoret e pushtuara përkohësisht në rajonin Herson, ka arritur njësiti i ashtuquajtur ‘Kadyrovtsy’, me më shumë se 1.300 anëtarë”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, më 10 shtator.
Ekzistojnë të dhëna se trupat ukrainase kanë bërë përparime të konsiderueshme në rajonin e Hersonit, i cili është pushtuar nga forcat ruse, pak pas nisjes së luftës në fund të shkurtit.
Forca paramilitare e Kadyrovit është formuar në rajonin e Çeçenisë dhe shërben si ushtri e atij rajoni.
Këto forca janë akuzuar disa herë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Ukraina ka përmendur tash e sa javë një kundërofensivë në zonat rreth Hersonit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë gjatë një vizite në Pragë më 9 shtator se “ne shohim sukses në Herson”.
SHIKONI EDHE: Austin: Po shohim suksese në Herson dhe Harkiv, kjo është inkurajueseAustin ka përmendur edhe avancimet e forcave ukrainase në zonat rreth qytetit të dytë më të madh ukrainas, Harkiv.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 9 shtator se ushtria e tij ka shënuar fitore të konsiderueshme dhe se 30 vendbanime janë çliruar rreth rajonit të Harkivit, prej nisjes së kundërofensivës më herët gjatë kësaj jave.
SHIKONI EDHE: Zelensky: Ukraina ka rimarrë 1.000 kilometra katrorë të territoritPresidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.