Ndërlidhjet

Zelensky: Ukraina ka rimarrë 1.000 kilometra katrorë të territorit


Forcat ukrainase në rajonet lindore të Ukrainës. Fotografi nga arkivi.
Forcat ukrainase në rajonet lindore të Ukrainës. Fotografi nga arkivi.

Ukraina ka thënë se ka rimarrë më shumë se 1.000 kilometra katrorë të territorit në zonat jugore dhe lindore në javën e fundit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë që më shumë se 30 vendbanime janë “çliruar” në rajonin e Harkivit.

Ukraina ka nisur së fundi një kundërofensivë për të kthyer kontrollin e territorit që ia ka pushtuar Rusia, pas nisjes së luftës në fund të muajit shkurt.

Vitaly Ganchev, zyrtar i lartë rus në rajonin e Harkivit, e ka pranuar se forcat ukrainase kanë shënuar “fitore të rëndësishme”.

Ai ka thënë për një televizion rus se ukrainasit kanë thyer linjën ruse të mbrojtjes, sipas transmetuesit britanik BBC.

Rusia besohet se është duke dërguar përforcime në këtë rajon përmes tokës dhe ajrit.

Ushtria ruse besohet se është duke përdorur helikopterët Mi-26 për të transportuar 80 ushtarë në secilin prej tyre.

Kundërofensiva ukrainase në juglindje të Harkivit, mund t’iu ndihmojë forcave ukrainase që t’i afrohen rajonit lindor të Donjeckut, ku Rusia ka kontroll të konsiderueshëm.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG