Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ka hapur samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën të hënën në Skoci, me paralajmërimin se koha është duke kaluar dhe se duhet marrë hapa efektivë për të parandaluar ngrohjen globale.
Ky fjalim ka shënuar fillimin e konferencës që do të zgjasë për dy ditë dhe do të përfshijë 130 liderë globalë.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ai i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri indian, Narendra Modi dhe ai i Maldiveve, Ibrahim Solih, pritet të flasin më vonë gjatë ditës.
Johnson u ka bërë thirrje liderëve që të shkojnë përtej zotimeve dhe të veprojnë për ta jetësuar synimin e mbajtjes së temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka folur për urgjencën në këtë çështje, duke thënë se “jemi duke i hapur varrin vetes”.
Në fjalimin e tij, Guterres ka bërë thirrje që “të mos trajtohet natyra si toalet”.
Duke marrë parasysh modelet e procedurave sikurse në Samitin e Parisit për Klimën më 2015, shpresohet se në takimin në Skoci, liderët do të pajtohen për një marrëveshje të re për klimën dhe më pas zyrtarët tjerë të hartojnë detajet, para përfundimit të samitit më 12 nëntor.
Më shumë se 20,000 delegatë janë akredituar për këtë samit.
Në këtë organizim është vërejtur mungesa e liderit të Kinës, Xi Jinping dhe atij rus, Vladimir Putin.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka anuluar planet për pjesëmarrje, pasi zyrtarët turq kanë thënë se organizatorët nuk kanë përmbushur nevojat për siguri.
SHIKONI EDHE: G20-ta premton veprimeve konkrete për çështjen e klimësMbretëria e Bashkuar është duke e mbajtur këtë samit, ndërkohë që rriten shqetësimet e shkencëtarëve se shtetet nuk janë duke bërë mjaftueshëm për të kufizuar emetimet e gazrave serrë, që kanë ndikuar në rritje të temperaturës mesatare globale.
Në Konferencën e Parisit për Klimën, të mbajtur më 2015, është kërkuar që temperatura mesatare të mbahet nën 2 gradë Celsius.
Bazat e Samitit për Klimën
- Ndryshimet klimatike janë një prej problemeve më shqetësuese në botë. Qeveritë duhet të zotohen për të ulur sasinë e gazrave, në mënyrë që të parandalohet rritja e temperaturave globale.
- Samiti në Glasgou konsiderohet vendi ku mund të merren vendime për ndryshime.
- Ndryshimet klimatike mund të ndryshojnë jetët e njerëzve. Vendimet mund të prekin vendet tona të punës, mënyrën si ngrohim shtëpitë tona, si ushqehemi dhe si udhëtojmë.
Në hapje të samitit më 31 tetor, Patricia Espinosa, udhëheqëse e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Klimën, ka thënë se liderët qeveritarë përballen me dy zgjidhje: që të zvogëlojnë emetimet e gazrave serrë dhe t’iu ndihmojnë komuniteteve dhe shteteve që t’iu mbijetojnë ndryshimeve klimatike “apo të pranojnë se njerëzimi përballet me të ardhme të zymtë të planetit”.
Si Espinosa, ashtu edhe Johnson kanë theksuar urgjencën për këtë situatë.
“Ne duhet të bëjmë përparim këtu në Glasgou”, ka thënë Espinosa. “Ne duhet të shënojmë sukses”.
Johnson, në anën tjetër, ka thënë se “nëse Glasgou dështon, atëherë dështon gjithçka”.
SHIKONI EDHE: Papa Françesku bën thirrje për përgjigje urgjente ndaj krizës klimatikeSamiti për Klimën mbetet “mundësia e fundit, shpresa më e mirë për ta mbajtur temperaturën në 1.5 gradë Celsius”, ka thënë Alok Sharma, ministër në Qeverinë britanike që merret me çështje klimatike.
Shkencëtarët kanë thënë se mbajtja e temperaturës mesatare globale nën 1.5 gradë Celsius do të shmangë ndikimin më të keq klimatik.
Në deklaratën finale më 31 tetor, liderët e 20 vendeve më të industralizuara në botë (G20) kanë bërë thirrje për veprime “kuptimplota dhe efektive” për ndryshimet klimatike, mirëpo kanë bërë pak zotime konkrete.
SHIKONI EDHE: Raporti i ri i OKB-së për emetimet konsiderohet "thirrje për veprim"Ndonëse liderët janë zotuar për të ndalur financimin për termocentrale jashtë vendit, ata nuk kanë ofruar afate kohore për të vepruar brenda vendeve që udhëheqin dhe nuk janë zotuar për të zvogëluar emetimet e metanit – një tjetër gaz i fuqishëm serrë.
Megjithatë, Johnson ka përmendur edhe disa përparime, duke marrë shembull Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë dyfishuar shpenzimet si ndihmë për çështje klimatike.
Konferenca për Klimën në Glasgou ka nisur më 31 tetor dhe vazhdon deri më 12 nëntor.