Ndërlidhjet

Raporti i ri i OKB-së për emetimet konsiderohet "thirrje për veprim"


Thatësi e tokës, fotografi nga arkivi.
Thatësi e tokës, fotografi nga arkivi.

Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara, ka thënë se planet aktuale të shteteve për të zvogëluar emetimet e gazrave serrë, e çojnë planetin në rrugë për rritje të temperaturës mesatare në 2.7 gradë Celsius në këtë shekull, çka përbën një tjetër paralajmërim të zymtë për klimën në botë.

“Ky raport është një tjetër thirrje për veprim. Edhe sa na duhen? Dallimi në emetime është rezultat i dallimeve në udhëheqësi”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres më 26 tetor, pas prezantimit të raportit të Programit të OKB-së për Ambient.

Sipas raportit vjetor, që mat hendekun në mes të emetimeve të parashikuara dhe atyre që përputhen me mbajtje të temperaturës globale nën 1.5 gradë Celsius – siç parashihet me Marrëveshjen e Parisit për Klimën – zotimet e reja vetëm zvogëlojnë parashikimet për emetime të gazrave serrë për 7.5 për qind deri më 2030, në krahasim me zotimet paraprake.

Zvogëlimi i emetimeve të gazrave serrë për 55 për qind, është i nevojshëm për të kufizuar rritjen e temperaturës së Tokës në 1.5 gradë Celsius.

Raporti është publikuar vetëm disa ditë para se të mbahet konferenca ndërkombëtare për çështje klimatike në Skoci.

Aktivistë për ambientin, ligjvënës dhe shkencëtarë, kanë thënë se takimi përbën mundësi të rëndësishme për përforcim të përkushtimeve për zbatim të Marrëveshjes së Parisit për Klimën.

Më herët gjatë kësaj jave, një studim nga agjencia për motin e OKB-së, ka treguar se emetimet e gazrave serrë kanë arritur në nivele rekorde vitin e kaluar, pavarësisht një periudhe zvogëlimi gjatë izolimeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG