Gjysmë milioni euro për katër avokatë të Dhomave të Specializuara  

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa, ish krerët e UÇK-së të akuzuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë

Ministria e Drejtësisë ka aprovuar deri tash disa kërkesa për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare të personave të akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

SHIKONI EDHE: Deponohen kërkesat për pagesën e avokatëve të Speciales

Komisioni i cili funksionon brenda Ministrisë Drejtësisë, ka aprovuar kërkesat për katër avokatët mbrojtës të të akuzuarve dhe ka kryer pagesat për ta në vlerë prej 464,600.00 euro.

"Mbulimi i shpenzimeve për mbrojtje juridike dhe financiare bëhet sipas legjislacionit përkatës në fuqi dhe që këto të drejta janë të aplikueshme ndaj të gjithë personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara, pa marrë parasysh se kush është subjekt i procedurës pranë Dhomave të Specializuara", thuhet në një përgjigje me shkrim nga zyra për media e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria ka thënë se deri tash nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga familjarët e të akuzuarve për ndonjë pagesë.

"Për shkak të masave anti-COVID në Evropë, respektivisht në Mbretërinë e Holandës, masat janë me rigoroze dhe nuk lejohen vizita tek qendrat e paraburgimit", thuhet nga ministria.

Ministria e Drejtësisë, nuk ka dhënë detaje se sa para është paguar një avokat.

SHIKONI EDHE: Kush i paguan avokatët pranë Gjykatës në Hagë?

Nga ana tjetër Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se Ministria e Drejtësisë duhet të jetë transparente se sa para janë shpenzuar dhe kujt i janë bërë pagesat.

"Pa dyshim që po, nuk ka dilema këtu. Çdo shpenzim nga paraja publike duhet të jetë transparent dhe publik. Nuk kemi se çka të fshehim. Pa dyshim që unë konsideroj se është obligative për institucionet t'i bëjnë publike shpenzimet nga paratë e shtetit", tha Qelaj.

Avokati Qelaj tha se vetëm në raste te caktuara me ligj nuk mund të bëhen publike shpenzimet e parave të shtetit.

"Unë besoj se ky nuk është një nga ato raste ku nuk mund të bëhen publike ato të dhëna", tha Qelaj.

SHIKONI EDHE: Kurti kërkon që Qeveria e Kosovës të mbrojë të akuzuarit e Hagës

Edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thonë se ligjet e aplikuara në Kosovë, nuk lejojnë që pagesat për avokatë të jenë sekrete.

Sipas këtij instituti, ky proces duhet të jetë transparent dhe të sigurohet që të gjithë të akuzuarit, të trajtohen në mënyrë të barabartë.

SHIKONI EDHE: Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon nisjen e gjykimit në qershor të vitit 2022

Mënyra se si janë paguar avokatët deri tash, sipas IKD-së cenon rëndë parimet e transparencës, llogaridhënies dhe mundësisë për të trajtuar në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe sipas kushteve të njëjta të gjithë personat e akuzuar.

Me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Drejtësisë të datës 24 korrik 2020, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se buxheti për mbështetje financiare për personat e akuzuar potencial është përcaktuar me ligj, ku janë paraparë mjete në vlerë prej 17 milionë euro. Sipas Ligjit, [https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=11037] çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.