Gjeorgjia llogarit në ndihmën e mikut rreth ligjit për agjentët e huaj

Protestuesit mbajnë kopje të flamujve evropian dhe gjeorgjian teksa marshojnë rrugëve të kryeqytetit Tbilisi, për të protestuar kundër projektligjit për "agjentët e huaj", për të cilin kundërshtarët thonë se do ta minojë rrugën e Gjeorgjisë drejt BE-së, 22 prill 2024.

Qeveria gjeorgjiane po e vë në sprovë durimin e Brukselit duke tentuar ta risjellë një projektligj për “agjentët e huaj”, i cili javën e kaluar e kaloi njërën prej tre leximeve në Parlament.

Tbilisi u përpoq ta kalonte një projektligj të ngjashëm vitin e kaluar. Dallimi kryesor mes tyre është se termi “agjentët e huaj” është zëvendësuar nga një term më i tërthorët, “organizatat që ndjekin interesat e pushteteve të huaja”.

Ai tentim kishte dështuar pas protestave të mëdha në vend dhe pas trysnisë nga Perëndimi, por a do të jenë në gjendje Uashingtoni dhe Brukseli të përgjigjen në të njëjtën mënyrë përsëri?

Derisa partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, duket se po e bën këtë në përpjekje për ta konsoliduar dhe ndezur elektoratin e vet para se të kërkojë mandatin e katërt dhe të paprecedentë në pushtet, pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit, pyetja është nëse ajo do t’ia dalë t’i fitojë të dyja, posaçërisht në marrëdhëniet e saj me BE-në.

SHIKONI EDHE: Mijëra njerëz protestojnë kundër ligjit për “agjentët e huaj” në Gjeorgji

Për këtë, ajo i ka disa përparësi: kohën, shabllonin dhe pakëz ndihmë nga një mik.

Ta themi troç: nuk ka kohë më të mirë se tani për të provuar miratimin e një ligji për agjentët e huaj që është i ngjashëm me ato të Rusisë dhe të regjimeve të tjera autoritare, në të cilat, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat që marrin fonde të huaja, jo vetëm që duhet të raportojnë para autoriteteve vendore, por duhet t’u lejojnë pushtet mbikëqyrës atyre autoriteteve. Një ligj i tillë mund të përfshijë madje edhe dënime për shkelje të paspecifikuara penale.

Na vjen keq Tbilisi, jemi të zënë

Për ata që s’e dinë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë buzë mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, përkatësisht. Por, edhe kur as Uashingtoni e as Brukseli nuk do të jenë të zënë, i gjithë përqendrimi i tyre do të jetë ta ndihmojnë Ukrainën në luftë kundër Rusisë, si dhe ta parandalojnë Lindjen e Mesme nga zhytja në një luftë të përgjithshme rajonale.

Natyrisht, Brukseli ishte i vrazhdët kur erdhi lajmi nga Gjeorgjia. Shefi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, përmes një komunikate i bëri thirrje Gjeorgjisë “të mos e miratojë një legjislacion i cili mund ta rrezikojë rrugën e Gjeorgjisë drejt BE-së, një rrugë e mbështetur nga shumica dërrmuese e qytetarëve gjeorgjianë”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ishte edhe më i prerë kur shkroi në X: “Më lejoni të jem i qartë: projektligji për transparencën rreth ndikimit të huaj nuk është në përputhje me synimet evropiane të Gjeorgjisë e as me rrugën e saj drejt anëtarësimit. Ai do ta largojë Gjeorgjinë më shumë nga BE-ja”.

SHIKONI EDHE: Si po ec procesi i zgjerimit të BE-së?

Të enjten, më 25 prill, Parlamenti Evropian do ta miratojë me shumicë dërrmuese një rezolutë të ashpër për Tbilisin.

Por, është e qartë se Brukseli nuk ka vërtet shumë energji për t’u marrë me këtë çështje tani për tani. Gjatë një samiti të BE-së në Bruksel javën e kaluar, liderët e 27 vendeve anëtare të bllokut i miratuan konkluzionet për Ukrainën dhe për Turqinë, si dhe e kaluan shumicën e kohës duke argumentuar si ta bëjnë bllokun më konkurrues.

Asnjë fjalë s’u tha për Gjeorgjinë.

Gjeorgjia nuk ishte në agjendë as gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në fillim të kësaj jave në Luksemburg.

Mund të ndodhë që një grup i ministrave të Jashtëm të BE-së të vizitojnë Tbilisin në të ardhmen e afërt, apo që ministri i Jashtëm gjeorgjian, Ilia Darchiashvili, të vijë në një këshill të BE-së për çështje të jashtme. Ndërsa, rezoluta e Parlamentit Evropian për Gjeorgjinë nuk është detyruese për vendet anëtare.

SHIKONI EDHE: Porti i Detit të Zi që mund t’ia përcaktojë të ardhmen gjeopolitike Gjeorgjisë

Radio Evropa e Lirë mëson se nuk ka zëra për sanksione të mundshme ndaj figurave të rëndësishme politike të këtij vendi, e as ndonjë vlerësimin “afatmesëm” për atë se si po i plotëson Gjeorgjia reformat e nevojshme për ta ndërmarrë hapin e radhës drejt anëtarësimit në BE – të kalojë nga një vend kandidat dhe një vend që i ka hapur bisedimet për anëtarësim.

Raporti i mirëfilltë i zgjerimit nga Komisioni Evropian nuk do të dalë deri në fund të tetorit. Prandaj, ka mjaftueshëm kohë për ta zhbërë çfarëdo vendimi në Tbilisi. Brukseli pret që disa njerëz në Tbilisi, me gjasë edhe ish-kryeministri, Bidzina Ivanishvili, do të shfaqen papritmas si burrështetas dhe do ta dobësojnë, apo ta largojnë plotësisht këtë projektligj.

Ndjekja e hapave të Serbisë

Vendimet e Gjeorgjisë i ngjajnë shumë atyre të një vendi tjetër kandidat për BE – Serbisë. Serbia, megjithëse e lavdëron haptazi Moskën dhe refuzon t’i bashkohet Brukselin për vendosjen e sanksioneve kundër Kremlinit, është ende formalisht në mesin e vendeve që shpresojnë t’i bashkohen bllokut.

Ajo ende nuk e ka hapur apo mbyllur një kapitull për anëtarësim në BE tash e tre vjet, por ka mundësi që kjo të ndryshojë në qershor, pasi disa vende anëtare të BE-së mund të kërkojnë që Beogradi të bëjë hapa përpara, nëse jepet drita e jeshile për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë.

SHIKONI EDHE: Si po u shmanget Serbia masave ndëshkuese të BE-së për Banjskën?

Dhe, megjithëse ia ka “vështirësuar” punët Brukselit për shumë çështje në përgjithësi, Serbia ende shpërblehet dhe nuk ndëshkohet. Ajo i ka shmangur deri tani sanksionet e BE-së për sulmin e vdekjeprurës të vitit të kaluar nga një grup i serbëve të armatosur kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Së fundmi, BE-ja e miratoi një plan për rritje për Ballkanin Perëndimor për tre vjetët e ardhshme në vlerë 6 miliardë euro, dhe Beogradi do jetë përfituesi më i madh nga kjo ndihmë.

Duket se Gjeorgjia mund shumë lehtë ta përsërisë marifetin e njëjtë. Së fundmi, diplomatët e BE-së e miratuan një paketë të ndihmës ushtarake jovdekjeprurëse në vlerë 30 miliardë dollarë për Gjeorgjinë, përmes instrumentit evropian të paqes (EPF), një mjet buxhetor i BE-së që përdoret kryesisht për dërgimin e armëve Ukrainës.

SHIKONI EDHE: BE-ja zyrtarisht kushtëzon integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën

Me fjalë të tjera, rrjedha e parave po vazhdon dhe rruga drejt BE-së është ende e hapur, derisa dikush mund të punojë fshehurazi me Moskën dhe Pekinin.

Sikurse Serbia, edhe Gjeorgjia llogarit në ndihmën e një miku të veçantë brenda bllokut – Hungarinë.

Hungaria ka shfrytëzuar drita jeshile për Ukrainën në çështje të ndryshme në lidhje me BE-në për t’i ndihmuar vendet si, Bosnja e Hercegovina dhe Gjeorgjia, të ecin përpara. Dhe, duke qenë se ajo do ta marrë kryesimin e BE-së për gjashtë muaj duke filluar nga korriku, Budapesti ka qenë i qartë rreth prioriteteve të veta për ta çuar përpara zgjerimin e BE-së – dhe kjo përfshin hapa pozitivë për Tbilisin.

Përgatiti: Ekrem Idrizi