Në dhjetor të vitit 2023, liderët e Bashkimit Evropian e kanë marrë vendimin historik për t’i nisur bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.
Mirëpo, edhe pasi kanë kaluar dy muaj të vitit 2024, hapja de facto e negociatave nuk ka ndodhur, pasi ka zëra brenda bllokut evropian që frikësohen se BE-ja po vepron shpejt në këtë drejtim, sidomos kur është fjala për Kievin.
Dilemat rriten edhe më shumë, pasi Parlamenti Evropian do t’i mbajë zgjedhjet në qershor të këtij viti.
Meqë Ukraina dhe Moldavia tani janë të lidhura në perspektivën e tyre të zgjerimit, kjo natyrisht se ka ndikim te Kishinau.
Në këtë moment duhet vëzhguar disa aspekte në të njëjtën kohë, duke nisur prej kornizës negociuese që duhet të miratohet si për Ukrainën, ashtu edhe për Moldavinë, si dhe vlerësimet ’afatmesme’ për të dyja, si dhe për Bosnje e Hercegovinë, të cilat Komisioni Evropian pritet t’i dorëzojë para vendeve anëtare më 12 mars.
Raportet e plota për të gjitha vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe ato në lindje të Evropës, do të publikohen në fund të tetorit.
Mënyra më e mirë për të kuptuar gjithë procesin është duke iu rikthyer konkluzioneve të samitit të BE-së, të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, kur të 27 liderët e vendeve anëtare janë pajtuar kur ka qenë fjala për zgjerimin.
Në dokument ceket që ”Këshilli Evropian vendos për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe me Republikën e Moldavisë. Këshilli Evropian fton Këshillin që të miratojë kornizat respektive negociuese pasi të përmbushen rekomandimet e Komisionit, të datës 8 nëntor 2023”.
Sa i përket Ukrainës dhe Moldavisë, rekomandimet që lidhen me çështje të sundimit të ligjit veçse janë duke u kryer, ndonëse më pas varet prej interpretimit nëse janë përfunduar të gjitha.
Komisionit Evropian nuk i takon të bëjë interpretime në këtë drejtim dhe as vendeve të BE-së që të pajtohen ose jo me to.
Me fjalë tjera, ecja përpara mund të duket si proces në bazë meritash, mirëpo sikurse gjithçka tjetër në Bruksel, thelbin e ka politik.
Edhe për Bosnje e Hercegovinën duket është kthyer mbrapa te konkluzionet.
Në samitin e njëjtë, kur ka qenë fjala për Sarajevën, është thënë se “Këshilli Evropian do t’i hapë bisedimet e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, sapo të arrihet një përputhshmëri me kriteret e anëtarësimit. Këshilli i kërkon Komisionit që të raportojë për përparimin e bërë në mars të vitit 2024, para se të merret vendimi”.
Ku është procesi tani?
Sarajeva është një hap mbrapa Ukrainës dhe Moldavisë, pasi nisja e bisedimeve është kushtëzuar me kryerjen e një numri reformash, të cilat përmenden në raportimin e zgjerimit të Komisionit Evropian, të publikuar në nëntor të vitit të kaluar.
Por, këtu ekzistojnë edhe doza politike, pasi disa prej mbështetësve më të mëdhenj të Sarajevës në BE – Austria, Kroacia, Hungaria dhe Sllovenia – të gjitha dëshirojnë që Bosnja të ecë me të njëjtin ritëm sikurse Ukraina dhe Moldavia.
Prandaj këto vende e kanë shfrytëzuar situatën, duke përdorur një lloj vetoje për t’i dhënë dritën e gjelbër Kishinaut dhe Kievit, me qëllim që të binden disa vende që ka dilema për përparimin e Bosnjës.
Një pikë tjetër është se liderët e BE-së kanë kërkuar një raport specifik për përparimin që ka bërë Bosnja deri në mars të vitit 2024, diçka që nuk është kërkuar edhe për Moldavinë dhe Ukrainën.
Skenari më i mundshëm është që Komisioni Evropian do të dorëzojë një raport me shkrim për Bosnjën, ndërsa do të bëjë vetëm vlerësime gojore për Ukrainën dhe Moldavinë.
Liderët e BE-së do të mblidhen sërish për një samit në Bruksel më 21-22 mars.
Disa burime i kanë thënë Radios Evropa e Lirë që Gjermania dhe Franca nuk dëshirojnë që samiti t’i dedikohet zgjerimit, pasi kanë më shumë interesim për problemin e armatimit të Ukrainës.
Data më premtuese duket se është fundi i qershorit. Natyrisht, pas zgjedhjeve evropiane.
Liderët e BE-së planifikojnë t’i mbajnë dy samite në Bruksel – kryesisht për të zgjedhur presidentin e Komisionit Evropian dhe atë të Këshillit Evropian – por të diskutojnë edhe mbi zgjerimin.
Ekziston edhe një tjetër arsye pse fundi i qershorit mund të jetë afat i fundit – Ukraina dhe Moldavia mund t’i kryejnë edhe disa reforma deri atëherë.
Po korniza negociuese që përmendet në konkluzat e samitit?
Në fakt, ai është një dokument prej 20 faqesh që përmend disa prej kapitujve kryesorë të negociatave, zakonisht rreth 33, dhe secili ka në fokus fusha të ndryshme, shembull bujqësinë, taksat, çështjet e brendshme dhe ajo se çfarë duhet të bëjë një shtet kandidat për t’i harmonizuar ligjet me ato të BE-së.
Zakonisht, dokumenti është një përmbledhje dhe nuk përmban ndonjë element politik kundërthënës dhe një i ngjashëm as nuk pritet të formulohet për Ukrainën dhe Moldavinë.
Komisioni Evropian është duke punuar në drafte dhe presidentja e këtij trupi Ursula von der Leyen pati thënë në një vizitë në Kiev, në përvjetorin e dytë të luftës së Rusisë, se korniza negociuese për Kievin (si dhe për Kishinaun) mund të jetë gati në mesin e marsit.
Pikëpyetja e madhe është nëse vendet anëtare të BE-së do t’i miratojnë ato.
Miratimi duhet të bëhet në mënyrë unanime, prandaj qershori mund të jetë afati më i mirë.
Plani i Hungarisë dhe përfshirja e Gjeorgjisë në të
Në këtë fotografi, goxha komplekse, janë të përfshira edhe dy vende tjera: Gjeorgjia dhe një plan i Hungarisë që Tbilisi të ecë përpara.
Budapesti edhe Komisionarin Evropian, Oliver Varhelyin, i cili është i angazhuar në negociatat e zgjerimit.
Hungaria do të jetë në krye të presidencës gjashtëmujore të Këshillit Evropian prej 1 korrikut.
Duke marrë parasysh dilemat e hapura të Budapestit për anëtarësimin e Ukrainës në BE – të ilustruara më së miri në dhjetor, kur kryeministri hungarez, Viktor Orban është detyruar të largohet prej dhomës, në mënyrë që vendet tjera t’i jepnin dritën e gjelbër Ukrainës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit - ka shqetësime që Ukraina nuk do të lëvizë aspak në këtë drejtim, as në gjysmën e dytë të vitit 2024.
Pse?
Diplomatët, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, janë të ndarë në dy kampe të ndryshme.
Disa mendojnë që Hungaria do të jetë aktive ndaj gjithçkaje që është ukrainase dhe që çdo vendim që lidhet me Kievin do të duhet të merret para 1 korrikut, ose duhet të presë derisa Polonia të jetë në krye të presidencës, më 1 janar të vitit 2025.
Të tjerë besojnë që nuk duhet të krijohet shumë histeri dhe të mbivlerësohet roli i Hungarisë në vendimmarrje vetëm pse është në krye të presidencës, pasi nëse Budapesti dëshiron të shkaktojë telashe, ai do ta bëjë këtë si kur është, si kur nuk është në presidencë.
Për më shumë, vendimet për zgjerimin duhet të merren në mënyrë unaime.
Mund të thuhet që një konferencë ndërqeveritare do të mbahet me Moldavinë dhe Ukrainën në qershor. Nuk mund të përjashtohet një e tillë edhe me Bosnjën.
Në këtë pikë duhet përmendur edhe rolin e Varhelyit, i cili pavarësisht faktit që zyrtarisht punon për Komisionin Evropian, duket se i pëlqen qëndrimet e Budapestit, kur është fjala për zgjerimin.
Procesi i verifikimit për Ukrainën dhe Moldavinë përbën shembull konkret.
Verifikimi është proces kur zyrtarët e Komisionit Evropian ulen dhe homologët e tyre, në këtë rast me ata të Ukrainës dhe Moldavisë, dhe analizojnë politikat e të gjitha fushave, për të parë se si mund të harmonizohen ligjet e këtyre vendeve me ato të BE-së
Në këtë drejtim, verifikimi përbën mishin dhe skeletin e kornizës negociuese.
Diplomatët e BE-së prej vendeve anëtare janë shprehur të befasuar kur kanë mësuar në janar që procesi i verifikimit nuk ka nisur menjëherë me Ukrainën dhe Moldavinë, pasi liderët e BE-së janë pajtuar për hapje të negociatave qysh në dhjetor.
Në fakt, procesi i verifikimit nuk ka nisur ende, ndonëse zyrtarët ukrainas dhe ata moldavë pretendojnë të kundërtën.
Çfarë në të vërtetë ka ndodhur janë disa takime sqaruese me diplomatë ukrainas dhe moldavë, me mundësinë e nisjes së takimeve mbi verifikimin në këtë pranverë.
Zërat diplomatikë në BE kanë thënë se Varhelyi nuk e ka nisur procesin pa e pasur një dritë të gjelbër prej vendeve anëtare, ndonëse disa zyrtarë kanë pohuar që për një hap të tillë teknik nuk nevojiten nënshkrimet e udhëheqësve të kryeqyteteve të bllokut evropian.
Si përfundimin, Ukraina i ka humbur disa muaj, falë konfuzionit institucional dhe zvarritjeve brenda BE-së.
Ku është pozicioni i Gjeorgjisë në këto diskutime?
Gjeorgjia e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, në samitin e njëjtë kur liderët e B-së kanë vendosur që të nisin bisedimet e anëtarësimit me Moldavinë dhe Ukrainën.
Por edhe këtu ka mundësi të vërehet ndikimi o Hungarisë.
E marrim shembull një takim mes BE-së dhe Gjeorgjisë që është zhvilluar në muajin shkurt në Bruksel.
Në situatë normale as nuk duhet mbajtur ndonjë takim mes palëve, ato vetëm mund të shkëmbejnë informacione për zhvillimet më të rëndësishme politike.
Mirëpo, këtë herë, kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Kobakhidze ka qenë prezent, ndërsa në anën tjetër ka qenë krydiplomati i BE-së, Josep Borell, bashkë me Varhelyin.
Në kësi raste, vendet anëtare të BE-së, as nuk i dërgojnë ambasadorët e tyre nëpër takime, por vetëm zyrtarët për çështje të lindjes së Evropës.
Jo edhe këtë herë, pasi në takim është parë ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.
Qeveritë e Gjeorgjisë dhe Hungarisë kanë kultivuar lidhje të ngushta politike, mirëpo ky hap ka qenë goxha i pazakonshëm.
Sipas disa burimeve që kanë qenë në dhomën e diskutimeve, ministri hungarez ka thënë se zgjerimi do të jetë prioritet i presidencës hungareze në BE, mirëpo ai më pas e ka përmendur nevojën e një konference ndërqeveritare me Gjeorgjinë në fund të vitit.
Kjo deklaratë mund të konsiderohet e fuqishme, pasi Komisioni Evropian ende nuk ka bërë rekomandim për nisje të bisedimeve të anëtarësimit me Gjeorgjinë.
Diçka e tillë edhe mund të jetësohet kur të publikohet raporti vjetor për zgjerimin, në muajin tetor, mirëpo edhe atëherë nevojitet vota e 27 vendeve anëtare.
Prandaj edhe mund të supozohet që Budapesti mund të tentojë të përshpejtojë rrugën e Gjeorgjisë në BE, dhe kështu mund ta përdorë veton e saj kur është fjala për Ukrainën dhe Moldavinë.