Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se punimet për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak të Serbisë, do të rinisin më 5 maj. Gërxhaliu thotë po ashtu se në Kizhevak do të punohet për dy javë rresht, nëse lejojnë kushtet atmosferike. Sipas tij, tashmë është konfirmuar se eshtrat që u zhvarrosën vitin e kaluar në këtë lokacion, i përkasin viktimave të luftës në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: A janë duke vazhduar gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak të Serbisë?
Arsim Gërxhaliu: Po, të premten e kaluar, bazuar edhe në vendimet e marra në grupin punues i cili është mbajtur para dy jave në Beograd për çështjen e të pagjeturve, është marrë vendimi që ekspertët të bëjnë kontrollimin e terrenit dhe mundësinë e rifillimit të punës në terren.
Gjatë vizitës, kemi parë se terreni ishte ende i vështirë, me një lartësi të madhe mbidetare. Ai është në afërsi të qendrës së skijmit. Na nevojitet edhe një drenim i ujit, për t'u tharë dheu i hedhur nga miniera dhe duke marrë parasysh festat, u pajtuam që puna të fillojë më 5 maj, ku do të fillojmë edhe me dekonzervimin e terrenit, të cilin e kemi kryer në dhjetor të vitit të kaluar.
Radio Evropa e Lirë: Sa mbetje mortore janë gjetur kohëve të fundit dhe sa janë identifikuar?
Arsim Gërxhaliu: Kanë qenë diku nëntë identifikime. Janë bërë në 12-13 lokacione, si në Kosovë, qoftë edhe jashtë Kosovës.
SHIKONI EDHE: Nga varreza në Serbi deri te vendi i krimit të luftës në KosovëRadio Evropa e Lirë: Sa do të zgjasin punimet në këtë lokacion, pra në Kizhevak?
Arsim Gërxhaliu: Punimet do të zgjasin minimum 15 ditë. Do të thotë, dy javë deri në 20 ditë, varësisht nëse lind ndonjë problem. Në terren nuk përjashtohen mundësitë e shfaqjes së problemeve të ndryshme, të ndonjë shembjeje apo problemeve të tjera atmosferike. Por, do të thotë, minimum 15 ditë, është e sigurt se do të punohet.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Gërxhaliu, në bazë të vlerësimeve që janë bërë, sa persona dyshohet se janë në atë vend dhe nga cili rajon i Kosovës?
SHIKONI EDHE: Holliday: Në Kizhevak janë mbetjet mortore të 7 deri në 20 personaveArsim Gërxhaliu: Unë si ekspert nuk i lejoj vetes të flas për numrin e personave që janë aty, para se ta kryejmë punën tonë. Kur ta pastrojmë terrenin, mund të japim numrin minimal të personave të mundshëm, e pastaj i njëjti të vërtetohet edhe me analizat e ADN-së. Për shkak të shpërndarjes së mbetjeve kockore, ato mund të variojnë. Andaj, deri më tash është kryer, do të thotë puna, dhe bëhet fjalë për minimum pesë persona. Për dy persona na kanë arritur analizat gjenetike dhe të njëjtat i takojnë rajonit të Rrezallës.
Radio Evropa e Lirë: A është gjithmonë ekipi i ekspertëve nga Kosova pjesë e gërmimeve në Serbi?
Arsim Gërxhaliu: Po, çdo herë jemi pjesë e gërmimeve. Në terren do të jenë një numër i madh i ekspertëve. Gjithashtu është ekipi edhe i ICMP-së, i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i EULEX-it, pala serbe dhe ne.
Radio Evropa e Lirë: Ku bëhet identifikimi i gjetjeve mortore?
Arsim Gërxhaliu: Mostrat dërgohen në Komitetin Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur në Hagë (ICMP), dhe pas arritjes së rezultateve, normal që duhet të pritet edhe eksuhumimi i të gjitha mbetjeve mortore dhe pastaj bëhet organizimi i kthimit të trupave nga Kizhevaku.
Your browser doesn’t support HTML5
Radio Evropa e Lirë: A jeni ju të kënaqur me intensiteti e punimeve në Kizhevak?
Arsim Gërxhaliu: Ne jemi të lidhur me kushtet atmosferike dhe ka qenë e pamundur të punohet. Të premten kur ishim, ishte e pamundur të punohej, për shkak të baltës, e cila është një baltë e dheut, që ne i themi dhe i vdekur, i hedhur nga miniera. Dhe ishte e pamundur që të punohej sepse aty nevojitet një drenazh i terrenit, që të mund t’i qasemi punës dhe mbetjeve kockore. Andaj ky është një dakordim i përbashkët mes meje dhe doktoreshës (Suzana) Matejiq nga pala serbe, dhe përcaktimin, duke u bazuar edhe kushtet atmosferike, që puna të vazhdojë më 5 maj dhe ky dakordim u përmbyll me këtë organizim dhe caktim të datës.