Ndërlidhjet

Nga varreza në Serbi deri te vendi i krimit të luftës në Kosovë


Kizhevak.
Kizhevak.

Gurorja “Kizhevak“ në Komunën e Rashkës, në afërsi të kufirit me Kosovën, është lokacioni i pestë në Serbi, në të cilin janë gjetur mbetjet mortore, siç dyshohet, të civilëve shqiptarë të vrarë gatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Ende nuk dihet se sa është numri i trupave që janë gjetur në këtë vend, më 16 nëntor. Dy ditë më vonë, Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e tyre. Se kur do të fillojë zhvarrimi "do të përcaktohet më vonë", i është thënë Radios Evropa e Lirë nga kjo gjykatë.

Që nga viti 2001 e deri më sot, në territorin e Serbisë, në 4 lokacione janë gjetur varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.

Sipas të dhënave të Zyrës për pesona të zhdukur të UNMIK-ut, në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa. Të njëjtin vit, në Petrovo Selo, në Serbinë Lindore, janë gjetur 61 trupa. Në liqenin Peruqac, në vitin 2001, është zbuluar varrezë masive me 84 trupa.

Për herë të fundit, varrezë masive është zbuluar në vitin 2013, në Rudnicë, në jugperëndim të Serbisë, në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë. Aty janë gjetur mbetjet mortore të 52 personave.

Ku gjendet lokacioni i ri?

Gurorja "Kizhevak" në Rashkë, në pjesën jugperëndimore të Serbisë, është disa kilometra në veri të Rudnicës dhe vendit, në të cilin para shtatë vjetësh është gjetur varreza masive me trupat e civilëve shqiptarë.

Mbetetjet mortore në lokacionin e ri, më 16 nëntor i kanë gjetur ekspertët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit të Qeverisë së Serbisë për personat e zhdukur.

Më 20 nëntor, EULEX-i tha që ekspertët e tij kishin gërmuar në Kizhevak që nga viti 2015 dhe se përparimin e kishin bërë falë pamjeve nga ajri.

"Problemi ishte në atë se bëhet fjalë për një gurore të madhe dhe se peizazhi ndryshoi me kalimin e kohës për shkak të faktit se gurorja ishte akoma duke u përdorur përgjatë shumë viteve", tha Javier Santana, arkeolog mjeko-ligjor në EULEX.

Gurorja "Kizhevak" u privatizua pas vitit 2007. Në maj të vitit 2020, kompania gjeologjike "Tethian" nga Kanadaja, e bleu të drejtën e shfrytëzimit të vendit të dikurshëm të minierave të argjendit, zinkut dhe plumbit, nga kompania serbe "EFPP".

Nga EULEX-i kanë deklaruar që procesi i përcaktimit të vendndodhjes së saktë ishte shumë i ndërlikuar, sepse në minierë ekzistojnë katër deri pesë nivele, me një lartësi të përafërt prej 13 metrash secila.

Dyshohet për trupa të viktimave nga fshati Rezallë në Kosovë

Pas zbulimit të lokacionit "Kizhevak", kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për personat e zhdukur, Velko Odalloviq, i tha Radio Televizionit të Serbisë (RTS), më 18 nëntor, se informacionet tregojnë se në atë vend potencialisht gjenden 15 deri 17 trupa.

Ky lokacion përmendet në raportin e progresit për të drejtat e njeriut, të cilin për çdo vit e publikojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në raportin e vitit 2015 thuhet se në këtë vend "dyshohet që forcat serbe kanë varrosur mbetjet e shqiptarëve të Kosovës, të vrarë në fshatin Rezallë në Kosovë, në vitin 1999".

Trupat e 28 viktimave nga ky fshat janë gjetur në vitin 2013, në varrezan masive në Rudnicë, ndërkaq dy vjet më vonë janë varrosur në Rezallë.

Krimin në Rezallë e vuri në dukje ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, pas zbulimit të lokacionit të ri.

Kjo organizatë joqeveritare, e cila merret me hulumtimin e krimeve të luftës, në vitin 2015 ka publikuar dokumentin me titull "Dosja e Rudnicës", në të cilin, përveç tjerash, vuri në dukje krimin masiv në Rezallë dhe zhvendosjen e trupave të viktimave.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka theksuar që nëntë viktima nga ky fshat edhe më tej evidentohen si të zhdukur në evidencën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Vrasja e më shumë se 40 civilëve në Rezallë

Spas raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare, pjesëtarët e ish-Ushtrisë së Jugosllavisë dhe policisë, në prill të vitit 1999, kanë vrarë në Rezallë të paktën 42 civilë shqiptarë, prej tyre 39 në ekzekutim masiv.

Në dosjen “Rudnica", e cila përmban dokumentet e ushtrisë dhe policisë, deklaratat e të mbijetuarve, si dhe dokumentet dhe dëshmitë e oficerëve të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe të zyrtarëve të policisë përpara Tribunalit të Hagës, Fondi për të Drejtën Humanitare thekson që pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë, më 5 prill, kanë hyrë në këtë fshat, i kanë dëbuar banorët nga shtëpitë e tyre, i kanë çuar në një oborr dhe më pas i kanë pushkatuar.

Mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Këto mbetje janë gjetur në një varrezë masive në Rudnicë të Serbisë dhe janë identifikuar 15 vjet pas mbarimit të luftës.
Mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Këto mbetje janë gjetur në një varrezë masive në Rudnicë të Serbisë dhe janë identifikuar 15 vjet pas mbarimit të luftës.

"Pjesëtarët e forcave serbe kanë vrarë në vend 39 civilë, ndërkaq dy i kanë mbijetuar pushkatimit, duke u mbuluar me trupat e vdekur të njerëzve që binin mbi ta. Në mesin e civilëve të vrarë ishin 3 djelmosha, ndërkaq viktima më e moshuar ishte 97 vjeç“, shkuan në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Duke vënë në dukje që gjatë konfliktit në Kosovë, fshati Rezallë ishte në zonën e përgjegjësisë së Brigadës së 37 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, Fondi për të Drejtën Humanitare thekson që "analiza e dokumenteve të ushtrisë dhe policisë, deklaratat e dëshmitarëve dhe burimet e tjera, tregojnë fuqishëm që krimin e kanë kryer pjesëtarët e kësaj brigade dhe njësia e policisë, e cila deri më tash është e panjohur".

Si u zhvendosën trupat nga vendi i krimit?

Në dosjen e Fondit për të Drejtën Humanitare thuhet që "pastrimi i terrenit" gjithashtu ka qenë nën kompetencën e Brigadës së 37 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë.

"Trupat e civilëve të pushkatuar mbetën në vendin e krimit. Një ditë më vonë, më 6 prill, ushtarët sërish erdhën në fshat dhe trupat e civilëve të vrarë i mbuluan me dhe", thuhet në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Në dokument, më tutje thuhet që trupat mbetën në Rezallë deri më 13 prill, kur ushtarët u kthyen në fshat, i zhvarrosën dhe i me kamion i dërguan në drejtim të panjohur.

Për krimin në këtë fshat dhe për heqjen e trupave të vrarë, raportoi edhe organizata ndërkombëtare joqeveritare Human Rights Watch, në vitin 2001.

Human Rights Watch theksoi se "është e mundur që forcat serbe kanë shpresuar që krimin ta paraqesin si rezultat të shkëmbimit të zjarrit ose zjarrit të rastësishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", por që dëshmitë e dy të mbijetuarve "nuk lanë vend për dyshim për shkaktarin e vërtetë të vdekjes së banorëve të Rezallës".

Kjo organizatë ndërkombëtare shkruan, gjithashtu, që "tmerri në Rezallë nuk përfundoi me vrasje" dhe i transmeton dëshmitë e të mbijetuarve, të cilat tregojnë se trupat u zhvendosën nga varrezat e cekëta.

Kush ishte në krye të brigadës?

Në kohën e krimit në fshatin Rezallë, komandant i Brigadës së 37 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë ishte gjenerali, Lubisha Dikoviq.

Dikoviq u pensionua në vitin 2018, por paraprakisht për shtatë vjet ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.

Pasi që ishte emëruar në këtë detyrë, Fondi për të Drejtën Humanitare, në janar të vitit 2012 kishte publikuar dosjen "Lubisha Dikoviq", e cila më vonë bashkë me dosjen "Rudnica", theksojnë që njësia, me të cilën ka komanduar ai, ka kryer krime të luftës mbi civilët shqiptarë në Kosovë.

"Urdhrat që i ka nënshkruar gjenerali Dikoviq për pastrimin e terrenit, tregojnë që Brigada e 37 e motorizuar ishte e obliguar për heqjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës në zonën e saj të përgjegjësisë", thuhet në dosje.

Akuzat kundër Lubisha Dikoviqit u refuzuan

Menjëherë pa publikimit të dosjes, reagoi Prokuroria për krime të luftës e Serbisë, e cila hodhi poshtë pretendimet e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe theksoi që "nuk ekziston kurrfarë baze për dyshim për përgjegjësi penale" të Dikoviqit.

Vet Dikoviq kishte ngritur padi ndaj drejtoreshës së atëhershme të Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq. Në emër të "shkeljes së reputacionit dhe të nderit" për shkak të publikimit të dosjes, më 2013, Dikoviq kërkoi nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe nga Natasha Kandiq që t’i paguanin atij një milion dinarë (rreth 8.5 mijë euro).

Tre vjet më vonë, në prill të vitit 2016, Gjykata e Parë Themelore në Beograd, vendosi në favor të Lubisha Dikoviqit. Fondi për të Drejtën Humanitare u urdhërua t’i paguante atij pak më shumë se gjysmën e shumës së kërkuar "sepse paraqitja e të pavërtetave, atij i shkaktoi dhembje shpirtërore".

Pas zbulimit të varrezës masive në Rudnicë dhe publikimit të dosjes së re, Fondi për të Drejtën Humanitare, në fund të vitit 2015, ka ngritur padi të re kundër Dikoviqit.

Prokuroria për krime të luftës, më 13 nëntor të atij viti, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kanë nisur procedurën hetimore, por "kundër personit NN, për vrasjen e civilëve që ishin të varrosur në varrezën masive në Rudnicë".

Çfarë ka konfirmuar Gjykata e Hagës?

Provat për transferimin e kufomave nga Kosova në Serbi dhe varrosjen e tyre në varreza të fshehta u prezantuan në dy raste para Tribunalit të Hagës.

Gjykata e trajtoi operacionin e fshehjes së trupave si tregues i një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale në gjyqin e ish-zëvendëskryeministrit jugosllav, Nikolla Shainoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të ushtrisë dhe policisë, si dhe në çështjen kundër ish-shefit të resorit të Sigurimit Publik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Vllastimir Gjorgjeviq.

Në gjykimin e Shainoviqit dhe të tjerëve, në vitin 2007, dëshmoi edhe Lubisha Dikoviq, i cili ka thënë se në rajonin e Kosovës, për të cilin ishte përgjegjës si komandant i Brigadës së 37 të motorizuar, "asnjëherë nuk ka gjetur kurrfarë varrezash masive".

"Edhe pse njësia e juaj ishte drejtpërdrejtë e angazhuar në atë zonë, askush nga Ushtria e Jugosllavisë nuk ju thirri për përgjegjësi për cilëndo prej këtyre operacioneve ose që të jepnit çfarëdo informate për varrezat masive të gjetura?", e kishte pyetur Dikoviqin prokurorja April Carter, në dhjetor të vitit 2007.

"Besoni, nuk e di se për cilat varreza masive po flisni. Po e përsëris, nuk kam hasur në kurrfarë varrezash masive në atë rajon", ishte përgjegjur atëherë Dikoviq.

Ndonëse në çështjen e Shainoviqit dhe të tjerëve, Prokuroria e Tribunalit të Hagës nuk arriti që të vërtetojë veprimin e mëtejmë të Brigadës së 37 të motorizuar me trupat në fshatin Rezallë, gjykata në vendimin e shkallës së parë konkludoi se "nuk ka dyshim që gjatë bombardimeve të NATO-s, në vitin 1999, është kryer operacioni i fshehtë i zhvarrosjes së mbi 700 trupave, të cilët fillimisht ishin varrosur në Kosovë, si dhe bartja e tyre në Serbi".

Në vendimin e gjykatës gjithashtu theksohet që procesi i zhvarrosjes dhe zhvendosjes së trupave "ishte kryer me qëllim që të mbulohen pasojat e operacionit të përbashkët të ushtrisë dhe policisë".

"Figurat kryesore të përfshira në organizimin e këtij operacioni të madh ishin ministri i atëherëshëm i Punëve të Brendshme, Vllajko Stojiljkoviq, presidenti i Republikës Federative të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq dhe shefi i resorit të Sigurimit Publik, Vllastimir Gjorgjeviq", shkruhet në vendimin e shkallës së parë kundër Shainoviqit dhe të tjerëve, në vitin 2009.

Gjorgjeviq, i dënuari i vetëm për lëvizjen e trupave

Dhoma gjyqësore e Tribunalit të Hagës, në aktgjykimin ndaj Vllastimir Gjorgjeviqit, arrit në përfundim që në të gjitha nivelet e policisë dhe ushtrisë "ekzistonte komploti i heshtjes".

Vendimi gjyqësor ndaj Gjorgjeviqit, me të cilin, më 2001, u dënua me 27 vjet burg për krime lufte në Kosovë, është gjithashtu i vetmi që e përfshin transferimin e trupave të shqiptarëve të vrarë të Kosovës në varre masive. Dënimi i tij, më vonë u zvogëlua në 18 vjet dhe ai po e vuan atë në një burg në Gjermani.

Me këtë vendim gjyqësor, përveç tjerash, është vërtetuar që Gjorgjeviq ka pasur rol udhëheqës "në përpjekjet që Ministria e Punëve të Brendshme të fshehë vrasjet e shqiptarëve të Kosovës".

"Provat konfirmojnë që në javën e dytë të prillit të vitit 1999, të paktën gjashtë herë në periudhën prej disa javëve, kamionët me kufoma të shqiptarëve të Kosovës, të cilët i vranë forcat serbe në Kosovë, arrinin më 13 maj, para Qendrës së Njësisë speciale atiterroriste në Batajnicë, në afërsi të Beogradit", thuhet në vendmin e gjykatës.

Gjithashtu shtohet që edhe dy transportime të tjera janë kryer në Qendrën e njësive të veçanta të policisë në Petrovo Selo dhe se edhe trupat e gjetur në liqenin e Peruqacit janë varrosur në varrezë masive jo larg nga aty.

"Dhoma ka konkluduar që transportimi i i trupave nga Kosova, për varrim të fshehtë në varreza masive, është zbatuar në përputhje me operacionin e koordinuar për të larguar provat e krimeve që kanë kryer forcat serbe mbi shqiptarët e Kosovës", thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Hagës për Vllastimir Gjorgjeviqin.

Pa përgjegjësi para gjykatave në Serbi

Deri më sot, askush në Serbi nuk është përgjegjur për operacionin për fshehjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës në varreza masive.

Për një gjë të tillë ka folur edhe Komiteti për punë të jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, duke reaguar më 18 nëntor, lidhur me gjetjen e trupave në lokacionin e ri "Kizhevak".

Komiteti ka theksuar që për varrezat masive dhe fshehjen e krimeve askush nuk është përgjigjur në gjykatat në Serbi, ndërkaq që vetëm një zyrtar i Serbisë është përgjigjur para gjykatave ndërkombëtare.

"Ende janë duke u gjetur trupa të varrosur në Serbi, viktima të spastrimit etnik të (Sllobodan) Millosheviqit në Kosovë. Deri më sot, janë gjetur mbi 900 viktima shqiptare të Kosovës", është shkruar në llogarinë zyrtare në Twitter të Komitetit amerikan, me një ndërlidhje për lajmin për zbulimin e mbetjeve mortore.

Cilët janë hapat e mëtejmë?

Puna në Kizhevak është larg nga përfundimi. Procesi është mjaft kompleks dhe afatgjatë. Që puna të mund të vazhdojë, nevojitet një urdhër i gjykatës, ka thënë më 20 nëntor, koordinatori për gërmime i EULEX-it, Krasimir Nikollov.

Gjykata e Lartë në Beograd, më 18 nëntor, ka sjellë urdhrin, me të cilin përcakton zhvarrosjen e një numri të paspecifikuar të kufomave në këtë lokacion.

Gjykata i ka thënë Radios Evropa e Lirë se policia është urdhëruar që të sigurojë në mënyrë adekuate lokacionin, ndërsa elementët e tjerë të rëndësishëm do të përcaktohen me një urdhër shtesë që do të lëshohet më vonë "duke pasur parasysh kushtet aktuale të motit, periudhën e vitit, si dhe mungesën e të dhënave të hollësishme".

Pas urdhëresës nga gjykata, hapi i radhës është vazhdimi i gërmimeve dhe i nxjerrjes së mbetjeve mortore.

"Kur mbetjet të nxirren, do të kryhet obduksioni dhe do të merren mostrat e eshtrave për testimin e profileve të ADN-së. Në rastet kur të afërmit e personit të zhdukur kanë dhënë mostra referimi të gjakut dhe raporti i përputhjes së ADN-së është pozitiv, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen eshtrat e personave të zhdukur”, tha zyrtari i EULEX-it, Krasimir Nikollov.

Që nga fillimi i mandat të EULEX-it e deri më 19 nëntor 2020, misioni i BE-së ka kryer 662 operacione në terren për gjetjen e personave të pagjetur, përfshirë këtu 169 gërmime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 457 personave, përfshirë 317 të pagjetur.

Më shumë 1.640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të pagjetur.

Vendet e varrezave masive, të pashënuara

Gati se dy dekada pas zbulimit të varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo dhe te Liqeni i Peruqacit, si dhe shtatë vjet pas zhvarrimeve në Rudnicë, në ato vende nuk ekziston kurrfarë shenjimi, që do të tregonte se ato kanë fshehur krimet e ushtrisë dhe policisë serbe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

‘Një minutë heshtje’ e Vuçiqit nuk pranohet nga familjet kosovare
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Nisma e Fondit për të Drejtën Humanitare, që nga viti 2015, për formimin e Qendrës memoriale kushtuar viktimave të gjetura në varrezat masive në Batajnicë, deri më sot ka ngelur pa përgjigje.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG