Puna për hulumtimin e varrezave masive në Serbi, nuk do të përfundojë me Rashkën, sepse ekzistojnë informacione edhe për varreza të tjera, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gërxhaliu, ju keni qenë udhëheqës i ekipit të ekspertëve të Kosovës në gërmimet në varrezat masive në Rudnicë të Rashkës, por edhe në varrezat tjera që janë gjetur në Serbi. Sa kanë qenë të vështira të gjitha këto, t’i quajmë, misione?
ARSIM GËRXHALIU: Po është e vërtetë që nga viti 1999, kam marrë pjesë edhe jashtë Kosovës, domethënë edhe në Serbi në varrezat e Batajnicës, Petrovo Selos, Peruçacit e kështu me radhë, edhe tash së fundi në Rashkë. Vështirësitë kanë qenë të natyrave të ndryshme. Deri në vitin 2010 kam qenë fare i papërkrahur në çfarëdo mënyre - qoftë financiare, qoftë me ndonjë teknologji, e cila na nevojitet për punë në terren.
Në rastin e dytë në Rashkë, kushtet kanë diçka më të përmirësuara, edhe pse kërkesat tona nuk janë plotësuar dhe vetëm me përfundimin e Rashkës 2 kanë filluar të na arrijnë disa rroba dhe një fotoaparat.
RADIO EVROPA E LIRË
Domethënë, mundësitë teknike nuk kanë qenë të mira?
ARSIM GËRXHALIU: Jo ashtu siç nevojitet, sepse krejt problemi qëndron në procedurat e blerjeve në Qeverinë tonë dhe se këto procedura kërkojnë kohë, e puna jonë nuk pret për kohë, se mund të ndodhë që derisa tani, sa jemi duke biseduar, të dalë një pjesë kockore diku në ndonjë themel kur hapet ose në ndonjë kanal andej rruge ku ndërtohet dhe ne duhet të jemi menjëherë aty.
Do të thotë, kjo punë nuk duhet të mbështetet në procedura, por duhet të jesh i gatshëm në çdo sekondë, kur mund të kesh një informatë, për të ndërhyrë për të hapur një vend ku dyshohet për mbetje mortore apo gjendet një pjesë kockore dhe ti duhet të ndërhysh dhe ta kryesh pjesën tënde personale.
RADIO EVROPA E LIRË
Rreth një muaj më parë është thënë se mbeten edhe rreth 1675 persona të pagjetur. Familjarët e këtyre personave, por edhe zyrtarë të institucioneve kanë deklaruar se adresa për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur është tek autoritetet në Beograd. Sa ka indikacione se pala serbe është e gatshme për një gjë të tillë?
Me Rashkën nuk përfundon çdo gjë!
ARSIM GËRXHALIU: Po është më se e vërtetë që adresa është në Beograd, sa i përket viktimave të luftës të palës shqiptare, meqë kemi pasur të bëjmë me një shtet policor dhe ushtarak të organizuar mirë, është më se e ditur se çdo gjë është bërë me proces dhe faktikisht jemi në mëshirën e hapjes së këtyre arkivave ose informatave nga pala serbe.
Qe 15 vjet kemi insistuar që pala ndërkombëtare të bëjë një trysni në palën serbe për të njëjtat. Nuk është se nuk kemi pasur rezultate deri më tani. Edhe pse transferet e fundit të Batajnicës më 30 qershor të vitit 2006, e deri më sot tani kur kanë ndodhur dy transferet e Rashkës, nuk kemi pasur transfer tjetër, por nuk do të thotë që puna është ndërprerë gjatë tërë kësaj kohe, sepse ne vazhdimisht punojmë për gjetjen e informatave dhe për mundësinë e ekzistimit të ndonjë varreze në Serbi. Me Rashkën nuk përfundon çdo gjë!
Do të thotë, kemi informacione që në afërsi mund të ketë edhe lokacione të tjera dhe në disa pjesë të tjera të Serbisë. Këtu bëhet fjalë për informacione që janë shtjelluar vite më parë qysh prej kohës së UNMIK-ut dhe thjesht të punohet në atë sistem që të bëhet më i thuktë informacioni që të arrijmë deri te lokacioni i saktë se ku mund të ndodhet ajo varrezë.
Po një çështje duhet të mos e harrojmë, se prej këtyre 1700 viktimave që mungojnë, se këtë shifër që ju e keni, faktikisht është minusuar(zbritur) numri i cili pritet të dalë nga Rashka, diku nën 500 janë joshqiptarë dhe shpesh ne në opinionin tonë dalim vetëm me rezultatet që ne i gjejmë - e duhet ta dini se nuk është e lehtë të dialogohet me palën serbe, sepse edhe ata i kërkojnë të vetët dhe normalisht presin edhe nga ana jonë që të dorëzojmë ndonjë informacion për serbët. Në një çështje të tillë ne kemi qenë paksa të hendikepuar, sepse nuk kemi pasur një ushtri të rregulluar e me bazë qendrore, dhe faktikisht e kemi shumë të vështirë të arrijmë deri tek informacionet.
RADIO EVROPA E LIRË
Cili ka qenë raporti i deritashëm me palën serbe gjatë punës suaj dhe a ka qenë pala serbe tërësisht korrekte gjatë punës në varrezat e gjetura?
ARSIM GËRXHALIU: Kur kemi filluar të punojmë, është i vetmi komision që s’e ka ndërprerë punën prej vitit 2004 ne takimet e rregullta që i kemi pasur. Bazën tonë e kemi mbështetur mbi bazën humanitare, edhe pse çdo kontakt me Serbinë, është politik thuajse. Vetë germa “S“ e Serbisë është politike në këtë aspekt, mirëpo sa i përket sjelljeve të kolegëve të Mjekësisë Ligjore, kanë qenë korrekte, edhe pse kemi shpesh divergjenca profesionale, por ato i pastrojmë aty për aty, do të thotë në vendin e punës.
Sa i përket çështjeve tjera, duhet të dini se është paksa vështirë derisa të arrijmë tek informatat – këtë e kemi kyçe. Me të arritur ne deri tek informatat dhe vendi i saktë, atëherë do ta kemi shumë më lehtë të bëjmë kërkesën te pala serbe që të hapet një vend i dyshuar i tillë.
RADIO EVROPA E LIRË
Ju si ekspert, keni qenë edhe pjesë e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur. Në muajin gusht, nëpërmjet rrjeteve sociale, keni thënë se do të tërhiqeni nga ky komision. Pse?
ARSIM GËRXHALIU: Unë kam paralajmëruar edhe në tetorin e kaluar të njëjtën, por për hir të zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi jam kthyer që ta përfundoj edhe këtë proces. Gjithashtu, e kemi ditur pak a shumë se ndodhemi në procesin e gjetjes së Rashkës, do të thotë të njëjtën pothuajse e përfundova me sukses për atë çka u gjet deri më tani. Kemi bërë edhe dy transfere, do ta kemi edhe një transfer. Unë kam premtuar se derisa të kthehet i fundit nga ky proces, do të jem pjesë e Komisionit Qeveritar, përndryshe nuk do të jem pjesë e Komisionit Qeveritar, sepse thjesht edhe puna aty është vështirësuar.
Shumë gjëra duhet të ndryshohen në atë Komision, duke filluar nga parimet e punës, rregullat e punës, e kështu me radhë. Pikërisht duke marrë parasysh se që nga viti 1999 jam në këtë proces, ky komision punon bazuar në një memorandum të nënshkruar qysh në kohën e UNMIK-ut ndërmjet UNMIK-ut dhe palës serbe.
Dhe, kur ka ardhur transferi i fundit, ne kemi pasur probleme, se pala serbe nuk na njeh, na thanë edhe në takim se nuk na njeh si shtet, dhe unë nuk e pranoj me emrin Administrata e UNMIK-ut, unë e pranoj me emrin apo vulën e Republikës së Kosovës, Ministria e Drejtësisë, departamenti i Mjekësisë Ligjore – këtu e patëm një fërkim dhe për të mos mbetur vëllezërit tanë në Serbi, arritëm një ujdi me ndihmën e EULEX-it që ekspertët e EULEX-it ta bëjnë pranimin nga pala serbe, e pastaj ne ta bëjmë pranimin nga EULEX-i.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, keni pasur probleme edhe brenda Komisionit që ju ka shtyrë të hiqni dorë nga pozicioni që keni pasur brenda këtij Komisioni?
ARSIM GËRXHALIU: Komisioni paksa i ka tejkaluar disa kompetenca të tij dhe ka filluar që të na anashkalojë si Departament i Mjekësisë Ligjore. Nuk e koordinon punën ashtu siç duhet dhe si e ka edhe me ligj që ta koordinojë punën me ne. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ndërmjetëson ndërmjet palës së Beogradit dhe palës kosovare dhe me dërgimin e dokumenteve dhe informatave, si dhe analizave të ADN-së te Komisioni Qeveritar. Ata duhet të koordinohen me ne dhe në bashkëpunim – ne kemi sektorin e posaçëm, i cili është i specializuar për kontaktim të familjarëve - dhe ata kanë filluar që vetë t’i njoftojnë familjarët besa edhe të flasin për Mjekësi Ligjore, për analiza të ADN-së që nuk i takojnë as fushës së mjekësisë, e lëre më fushës forenzike të gjenetikës. Së fundi na kanë sjell disa telashe...
Pse e them këtë? Ne edhe më tutje presim analiza të ADN-së. Për çdo ditë na arrijnë analiza të ADN-së prej Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur nga Bosnja. Ju duhet ta dini fare mirë se nuk janë identifikuar të gjithë personat dhe kemi pasur 176 pjesë mortore, të cilat kanë qenë të shkapërderdhura. Ato pjesë mortore u takojnë këtyre personave, të cilët presim të jenë diku rreth 60 nga Rashka. Dhe, ato pjesë mortore janë copëza të trupave të këtyre, dhe për këtë arsye ne duhet t’i kompletojmë të gjitha analizat e ADN-së që të mund ta bashkojmë një trup dhe t’ia dorëzojmë familjarit aq sa është i kompletuar dhe çka kemi gjetur në Rashkë.
Pra, ne ende nuk jemi të kompletuar me analiza të ADN-së. Ne presim së shpejti ta bëjmë edhe një transfer që është edhe transferi i fundit, dhe kemi kërkuar që pa marrë parasysh, janë identifikuar apo jo, t’i kthejmë të gjitha mbetjet mortore t’i sjellim sikurse dy transferet e mëhershme në Departamentin e Mjekësisë Ligjore dhe pastaj në qoftë se
ICMP (Kryqi i Kuq Ndërkombëtar) punon me afat rekord, te ne ndoshta nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit mund të jemi ndoshta të gatshëm që t’i dorëzojmë mbetjet mortore familjare.
RADIO EVROPA E LIRË
Do ta vazhdoni punën?
ARSIM GËRXHALIU: Po unë jam drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore dhe puna ime personale vazhdon për çdo ditë, sepse kam edhe rastet e freskëta në punë. Do të jem brenda përbrenda Departamentit të Mjekësisë Ligjore, por nuk do të jem pjesë e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, sepse aty duhet të bëhen ndryshime radikale dhe duhet të ndryshohet edhe forma e punës, pasi që ajo formë e punës nuk do të japë më rezultate në të ardhmen.