Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federicha Mogherini, gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ngjarjet e ditës së hënë në Kosovë, nuk duhet të përsëriten dhe se bashkimi evropian pret që të ruhet paqja përmes qasjes të mençur dhe të përmbajtur.
Vuçiq dhe Mogherini janë takuar të martën në mbrëmje në Beograd, për të biseduar në mënyrë të hapur dhe të sinqertë për zhvillimet më të reja, si dhe për të ardhmen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ka njoftuar Shërbimi për bashkëpunim me media i presidentit të Serbisë.
Mogherini, siç thuhet në njoftim, ka shprehur keqardhje lidhur me ngjarjet në Kosovë
“Ajo që ka ndodhur dje (të hënën), nuk guxon të përsëritet, Bashkimi Evropian pret që të ruhet paqja përmes qasjes së mençur dhe të përmbajtur”, ka theksuar Mogherini.
Siç thuhet në njoftim, Mogherini dhe Vuçiq janë pajtuar që të gjejnë mënyra të reja për të vazhduar me punën dhe zgjidhjen e problemeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përmes rrugëve paqësore.
Your browser doesn’t support HTML5
Gjithashtu, në njoftim theksohet që në bisedimin thelbësor dhe me përmbajtje, presidenti serb Vuçiq dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, kanë konstatuar që “është në interesin nacional dhe shtetëror të Serbisë që ta ruaj stabilitetin, paqen dhe përparimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.
Mogherini ka udhëtuar për në Beograd, në mënyrë që të bisedojë me presidentin e Serbisë për të ardhmen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas arrestimit, ditën e hënë, të shefit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjyriq nga Policia e Kosovës.