Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçin ka deklaruar se pikërisht në ditën kur institucionet e Kosovës filluan punën për krijimin e grupit punues për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka ndodhur provokimi i radhës nga shteti i Serbisë.
Në një komunikatë dërguar medieve thuhet se një gjë të tillë e konfirmon edhe vendimi i sotëm për daljen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.
"Zhvillimet e së hënës, më 26 mars 2018, janë në kundërshtim me angazhimet për dialog dhe për ndërtim të paqes së qëndrueshme në Kosovë, si dhe cenim i përpjekjeve për normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.
Presidenti i Thaçi ka bërë thirrje që të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut në mes Kosovës e Serbisë dhe të dyja vendet të mbeten të fokusuar në normalizimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe pajtim.
Në komunikatë thuhet se presidenti ka pasur një bisedë telefonike me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.
"Sot bisedova përsëri me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën edhe një herë u pajtuam për nevojën e uljes së tensioneve, sepse dialogu nuk ka alternativë dhe të gjithë duhet të fokusohemi në rrugën përpara. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së më njoftoi se sot do të udhëtojë në Beograd për të takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’ia bartur edhe atij mesazhin e njëjtë se dialogu dhe pajtimi janë e vetmja rrugë përpara", thuhet në komunikatë.
Në fund të komunikatë theksohet se Kosova mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit në tërë territorin dhe do të kërkohet gjithmonë që të gjithë t’i respektojnë ligjet e Kosovës.