Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar që të bëhen ndryshime në ekzekutivin që ai udhëheq. Gjatë fjalimit para kongresit të Partisë Socialiste, që ai drejton, Rama tha se menjëherë do t’i dorëzojë presidentit Bajram Begaj, propozimet e tij, që prekin ministritë kyçe, siç janë e Brendshme, e Mbrojtjes dhe e Financave.
Taulant Balla do të lërë drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe është propozuar që të marrë drejtimin e asaj për Marrëdhënie me Parlamentin. Në vend të Ballës, në Ministrinë e Brendshme, Rama ka propozuar Ervin Hoxhën.
Po ashtu, është propozuar që të largohet ministri i Financave, Ervin Mete, dhe vendin e tij ta zërë Petrit Malaj. Ndërkaq, Niko Peleshi është propozuar të largohet nga posti i ministrit të Mbrojtjes dhe vendin e tij ta zërë Pirro Vëngu.
Për postin e kryetares së Kuvendit, Rama ka propozuar Elisa Spiropalin, e cila deri më tani ka drejtuar Ministrinë për Marrëdhënie me Parlamentin.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, dha dorëheqje nga ky post të premten.
SHIKONI EDHE: Dorëhiqet kryetarja e Kuvendit të ShqipërisëNdërkaq, nënkryetarja aktuale e Kuvendit, Emonela Felaj është propozuar të largohet dhe në vend të saj të vijë Bledi Çuçi, aktualisht kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Që ndryshimet të miratohen, duhet të mbahet një seancë e posaçme e Kuvendit.
Kush janë ministrat e rinj?
Ervin Hoxha, që pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, deri tani ka mbajtur postin e drejtorit të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Për më shumë se 20 vjet ai ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qendrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë.
Drejtimin e Ministrisë së Financave pritet ta marrë Petrit Malaj, i cili deri sot ishte drejtor i Agjencisë Kombëtarë të Burimeve Natyrore.
Ndërsa në krye të ministrisë së Mbrojtjes është propozuar të jetë Pirro Vengu, që aktualisht mban postin e kreut të Autoritetit Portual në Durrës. Më herët ai ka mbajtur postin e drejtorit Antikorrupsionit në Kryeministri.
Gjatë fjalës së gjatë që mbajti në Kongresin e PS-së, kryeministri Rama kritikoi disa deputetë, pa i përmendur me emra, për të cilët tha se “bëjnë takime me zgjedhësit vetëm për të bërë fotografi, apo për të shoqëruar kryeministrin në aktivitete të ndryshme”.
Rama po ashtu paralajmëroi se do të ketë një ekip të ri socialist për zgjedhjet e vitit 2025.