Në vend të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve, sulm i armatosur në Banjskë; në vend të pranimit të simboleve kombëtare dhe respektimit të integritetit territorial, Serbia me rezervat e saj; në vend të anëtarësimit të papenguar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, grup punues për pengimin e saj; në vend të zgjidhjes për pozitën e serbëve në Kosovë dhe financimin nga Serbia, shfuqizim i dinarit dhe mbyllje e institucioneve serbe.
Të gjitha këto janë hapa drejt shkeljes së Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u pranua dy vjet më parë - më 27 shkurt, 2023 - nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Dokumenti, i cili në opinion u njoh edhe si “Plani Franko-Gjerman” dhe kishte mbështetjen e SHBA-së, duhej të çonte në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Për të u ra dakord dhjetë vjet pasi dy palët nënshkruan Marrëveshjen e parë të Brukselit. E, për t’u “siguruar” se do të zbatohet, ato u pajtuan edhe për Aneksin e Zbatimit gjatë një takimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, 2023.
SHIKONI EDHE: Pesë gjërat kryesore nga takimi i Ohrit“Kemi një marrëveshje”, tha me entuziazëm shefi i atëhershëm i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Atëkohë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ishte “një marrëveshje e vështirë, por e nevojshme”, e cila “do t’ia hapë dyert rajonit për të hyrë në një epokë të re paqeje”.
Me marrëveshje, Kosova, mes tjerash, u obligua ta formonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia të mos e bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Marrëveshja parashikonte, gjithashtu, të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektimin e integritetit territorial dhe paprekshmërinë e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe hapjen e përfaqësive diplomatike të Kosovës dhe Serbisë në selitë e qeverive të këtyre vendeve.
Megjithatë, gjatë dy vjetëve të fundit, në terren ndodhi pothuajse e kundërta e zbatimit.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës, Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Presidencës së Serbisë, si dhe Bashkimit Evropian - që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë - me pyetjen se kush është përgjegjës që marrëveshja ka mbetur vetëm një “germë e vdekur në letër”, por prej asnjërit institucion nuk mori përgjigje.
Ambasada gjermane: Marrëveshja nuk është vjetruar
Ambasada gjermane në Kosovë tha se Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi për Zbatimin e saj nuk mund të vjetrohen.
Sipas saj, dokumentet mbeten të detyrueshme për të dyja palët dhe bazë për negociatat e mëtejshme.
“Presim zbatim të plotë”, thuhet në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë.
Ambasada gjermane pranoi se në dy vjetët e fundit ka pasur “përparim të kufizuar” në dialog, por se kjo “në asnjë mënyrë nuk i pakëson të arriturat dhe mirëkuptimet e ndërsjella, të përcaktuara me Marrëveshjen e Ohrit”.
“Serbia dhe Kosova kanë riafirmuar angazhimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Ohrit në kontekstin e Planit të Rritjes të BE-së. Ne besojmë se ka një vrull të ri në dialog nën udhëheqjen e Komisionit të ri Evropian dhe përfaqësueses së lartë të tij, Kaja Kallas, së bashku me përfaqësuesin e sapoemëruar të posaçëm të BE-së, Peter Sorensen”, thuhet në deklaratën e Ambasadës gjermane.
REL-i kontaktoi edhe ambasadat e SHBA-së, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar për këtë temë, por nuk mori përgjigje.
“Përmbajtjen nga kërcënimet dhe përdorimi i forcës” e zëvendësoi sulmi në Banjskë
Në vend që “të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të zgjidhen ekskluzivisht me mjete paqësore dhe të ushtrohet përmbajtje nga kërcënimet dhe përdorimi i forcës”, siç parashihet në nenin 3 të marrëveshjes, në Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm i armatosur nga serbët, të cilët vranë një polic.
Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Ngjarja ndodhi më 24 shtator 2023, rreth gjashtë muaj pas arritjes së marrëveshjes.
Përgjegjësinë e mori nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili më pas dha dorëheqje nga pozita në këtë parti - më e madhja e serbëve në Kosovë.
Autoritetet e Kosovës ngritën aktakuzë kundër më shumë se 40 personave në rastin Banjska - në mesin e tyre dhe Radoiçiq, i cili besohet se është i lirë në Serbi.
Kosova e cilësoi këtë sulm si terrorist dhe e akuzoi Serbinë se qëndron pas tij - gjë të cilën Beogradi e mohoi fuqishëm.
Komuniteti ndërkombëtar e dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi që pjesëmarrësit të sillen para drejtësisë.
“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative me shtetin e Serbisë, por jemi duke e hetuar në tërësi”, tha Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në mars të vitit 2024.
Ish-zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit shtoi se SHBA-ja nuk kërkon nga Serbia që ta hetojë këtë sulm, por të marrë përgjegjësi.
SHIKONI EDHE: BE-ja përsëri i kërkon Serbisë t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në BanjskëRezervat e Serbisë ndaj marrëveshjes
Në nenet 1 dhe 2 të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve thuhet se palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale dhe të fqinjësisë së mirë, do të njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës dhe do të respektojnë pavarësinë dhe integritetin e tyre territorial.
Por, në dhjetor të vitit 2023, kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, i dërgoi një letër BE-së, në të cilën Serbia shprehu rezerva ndaj marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit të saj.
SHIKONI EDHE: Çfarë po ndodh me letrën e Bërnabiqit?Në atë letër, ajo theksoi se marrëveshja konsiderohet “e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk ka të bëjë me njohjen de facto dhe de jure të Kosovës”.
Përfaqësuesi i atëhershëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha në shtator të vitit 2024 se Serbia e ka tërhequr letrën.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, insistoi në nënshkrimin e marrëveshjes si garanci për zbatimin e saj.
Por, Bashkimi Evropian, në disa raste, theksoi se ajo është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, edhe pse nuk është nënshkruar.
Bllokimi i Kosovës në Këshillin e Evropës
Neni 4 i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve përcakton se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
SHIKONI EDHE: Pafuqia e Marrëveshjes së Ohrit për anëtarësim në organizatat ndërkombëtarePresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë të këtij vendi thanë në disa raste se nuk do të lejojnë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Më 5 prill të vitit 2024, me urdhër të Vuçiqit, u formua grupi punues për koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore, lidhur me “problemin e pranimit” të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai kërkoi që argument kryesor kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, të ishte fakti që Prishtina nuk e ka formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e jo që “Kosova nuk është shtet”, sepse kjo, siç tha, nuk do të kishte efekt, meqë shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën.
Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi rekomandimin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, por vendet si Franca dhe Gjermania e kushtëzuan pranimin e saj me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Meqë Kosova e refuzoi këtë kërkesë, anëtarësimi i saj në Këshillin e Evropës nuk u fut në agjendën e Komitetit të Ministrave të këtij organi, më 17 maj, 2024.
Refuzimi i Kosovës për të bërë hapa drejt formimit të Asociacionit
Neni 7 i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i sigurohet “nivel i duhur i vetëmenaxhimit dhe aftësi për të ofruar shërbime në fusha të caktuara, përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës”.
SHIKONI EDHE: Lajçak: Kosova ta themelojë Asociacionin, Serbia t'i njohë simbolet e KosovësNë tetor të vitit 2023, të dërguarit nga Pesëshja e Madhe - Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia - paraqitën një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi ta dërgonte atë draft-statut për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që ishte hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit.
Në vend të Asociacionit, mbyllja e institucioneve serbe dhe heqja e dinarit
Statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe parasheh zgjidhje për pozitën e komunitetit serb në Kosovë, rregullon mbrojtjen e të drejtave të tij, si dhe financimin nga Serbia.
Edhe pse nuk u formua, Kosova, në dhjetor të vitit 2023, miratoi një rregullore për ndalimin e transaksioneve të pagesave në dinarë, gjë që goditi komunitetin serb, i cili pranon pagesa të ndryshme nga buxheti i Serbisë - nga pagat deri te shtesat për fëmijë.
Nga janari i vitit 2024, ndërkaq, Kosova nisi edhe mbylljen e institucioneve që vepronin në kuadër të sistemit të Serbisë, me arsyetimin se puna e tyre ishte e paligjshme.
Këto vendime të Qeverisë së Kosovës u pritën me kritika të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i cilësoi si “të njëanshme dhe të pakoordinuara”.
Vendet perëndimore e kritikuan Kosovën që nuk ofroi zgjidhje alternative para se të shfuqizonte dinarin dhe të mbyllte institucionet serbe.
SHIKONI EDHE: Profesori në Johns Hopkins: Veprimet e Kurtit bëjnë që të gjithë ta harrojnë BanjskënMosrespektimi i marrëveshjeve të tjera të arritura
Në dy vjetët e fundit, Bashkimi Evropian përsëriti se Kosova dhe Serbia nuk i kanë respektuar as marrëveshjet e tjera, edhe pse neni 10 i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve përcakton se “të dyja palët konfirmojnë obligimin e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme në dialog, të cilat mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”.
Qeveria e Kosovës tha në mes të korrikut të vitit të kaluar se synon të hapë për trafik urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila e ndan qytetin në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe në veriun e banuar me shumicë serbe.
SHIKONI EDHE:
Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanëBE-ja thotë se Kosova do të mbetet “e vetme dhe mbrapa”, nëse nuk i dëgjon miqtëKjo ide u kundërshtua fuqishëm nga BE-ja dhe vendet e Quint-it (SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia), të cilat thanë se ura duhet të hapet ekskluzivisht në përputhje me marrëveshjet përkatëse, të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës mbi Ibër në vitin 2014, por më 2016 u ra dakord për një plan të ri zbatimi, me qëllim tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme që u bëheshin konkluzioneve të mëparshme.
Ura duhej të hapej në vitin 2017, por në praktikë nuk ndodhi kurrë.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, pjesëtarët e të cilit janë në urë, tha gjithashtu se vendimi për hapjen e urës për trafik, duhet të merret në kuadër të dialogut.
Qeveria e Kosovës, në fund, hoqi dorë nga synimi i saj.
SHIKONI EDHE: BE-ja thotë se Serbia ka shkelur qartazi obligimet nga dialogu me KosovënNë anën tjetër, Qeveria e Serbisë, më 28 tetor të vitit të kaluar, i propozoi Parlamentit për miratim ligjin që parasheh gjykimin për të gjitha veprat e parapara me Kodin Penal, të cilat janë kryer pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, si dhe ligjin që territorin e Kosovës ta shpallë zonë të mbrojtjes së veçantë sociale.
Bashkimi Evropian e cilësoi këtë iniciativë të Qeverisë së Serbisë si shkelje të marrëveshjeve të Brukselit dhe i bëri thirrje Beogradit zyrtar që ta rishqyrtonte miratimin e paralajmëruar të ligjeve.
Ai kujtoi se obligimet e Serbisë dhe Kosovës në lidhje me juridiksionin e autoriteteve gjyqësore, kanë qenë të qarta që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2013.
Deri më tash, këto ligje nuk kaluan në procedurë parlamentare në Serbi.