Ndërlidhjet

Pafuqia e Marrëveshjes së Ohrit për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare


Fotografi e 18 marsit 2023, dita kur Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri në Ohër për një aneks zbatimit të marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh.
Fotografi e 18 marsit 2023, dita kur Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri në Ohër për një aneks zbatimit të marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh.

Thuhet qartë në Nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit se Serbia “nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Serbia, në anën tjetër, ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq, grupi përfshin pjesëtarë të Qeverisë dhe të Parlamentit serb dhe koordinon aktivitetet e tyre kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Asambleja Parlamentare e kësaj organizate, që është lidere në Evropë për të drejtat e njeriut, do të votojë për pranimin e Kosovës më 16 prill, ndërsa vendimi përfundimtar pritet në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 16 maj.

Vuçiq ka kërkuar që si argument kryesor kundër Kosovës të shfrytëzohet refuzimi i saj për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Të mos këmbëngulet se Kosova nuk është shtet. Kjo nuk do të ketë efekt, sepse shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Vuçiq.

Themelimi i Asociacionit parashihet, po ashtu, me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të cilën palët e kanë arritur më shumë se një vit më parë.

Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i kësaj marrëveshjeje, insiston vetëm se të dyja vendet duhet ta zbatojnë atë “pa vonesa të tjera”, edhe pse nuk e kanë nënshkruar.

Zëdhënësi Peter Stano nuk ka pranuar t’i komentojë përpjekjet e Serbisë për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Për komentuesit e çështjeve politike, të vetmit ata që besojnë se Marrëveshja e Ohrit është në të vërtetë marrëveshje, janë zyrtarët e Bashkimit Evropian, të përfshirë në ndërmjetësimin e saj.

Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS - Shkolla e Londrës për Ekonomi, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Këto nuk janë marrëveshje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, pavarësisht nga ajo që thotë BE-ja dhe SHBA-ja. Kur shikoni të drejtën ndërkombëtare, marrëveshjet, për shumicën e vendeve duhet të nënshkruhen dhe të ratifikohen. Dhe, siç e dini, e ashtuquajtura Marrëveshje e Ohrit nuk është nënshkruar prej asnjërës palë dhe nuk është ratifikuar”.

Lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare daton vite para Marrëveshjes së Ohrit dhe ka qenë i suksesshëm në disa raste.

Përkundër aplikimeve, Kosova, për shembull, nuk ka arritur të bëhet as pjesë e agjencisë ndërkombëtare të policisë, INTERPOL, as e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për kulturë, UNESCO.

Hartwell thotë se Kosova tani “është në një pozitë të ndërlikuar” dhe se nuk mund të presë shumë nga BE-ja.

“Pas sulmit terrorist në Banjskë, BE-ja nuk ka ndërmarrë ndonjë masë për ta ndëshkuar Serbinë, edhe pse ka shumë indikacione që tregojnë për lidhje të fuqishme midis presidentit Vuçiq dhe terroristëve. Andaj, nuk kam shumë shpresë se BE-ja do të bëjë ndonjë gjë për t’iu përgjigjur Serbisë, e cila përpiqet ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës”, thotë Hartwell.

Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, thotë për Exposenë se Perëndimi po përpiqet ta përdorë anëtarësimin në Këshillin e Evropës si presion mbi Qeverinë e Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai nuk e përjashton mundësinë që ndonjëri prej vendeve të QUINT-it ta shtyjë votimin në Këshillin e Evropës.

“Ajo që mund të bëjë Kosova, është ta dorëzojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese dhe ta çojë përpara çështjen e formimit të tij. Është një gjë jo e këndshme politikisht, por pa e bërë këtë, nuk mendoj se do të ketë përparim drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thotë Vogel.

Mendim të ngjashëm ndan edhe Hartwell.

“Kjo nuk do ta linte me shumëçka në tryezën e bisedimeve me Serbinë, por do të ndihmonte për të treguar se Kosova është e gatshme të ecë përpara”, thotë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 19 mars se çështja e formimit të Asociacionit nuk mund të ndahet nga Marrëveshja e Ohrit, apo, siç e quan ai, Marrëveshja bazike. Sipas tij, ato duhet të pranohen paralelisht.

“...unë thashë: mirë pra, po e marrim paketën me Marrëveshjen Bazike, Aneksin e zbatimit, draft-statutin me të gjitha vërejtjet e mia, dhe si një paketë po e nënshkruajmë këtu në Bruksel... Pala tjetër refuzoi, ndonëse vërehej një lloj entuziazmi tek udhëheqësit evropianë për propozimin tim. Ju e dini që presidenti i Serbisë po i përmbahet asaj fjale të tij që e ka një dhembje të madhe në dorën, e cila do të duhej ta nënshkruante këtë marrëveshje”, ka thënë Kurti.

Intervista e plotë e Kurtit për REL-in:

Analistët nuk presin ndonjë lëvizje të madhe në procesin për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur kanë mbetur edhe pak muaj deri te zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe për disa pozita kyçe në BE.

Vogel thotë se BE-ja dhe vendet e saj anëtare duhet ta shfrytëzojnë largimin e ndërmjetësuesve evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, si një mundësi për ta rivlerësuar qasjen e tyre aktuale ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

“Nevojitet një fillim i ri si në personel, ashtu edhe në format të dialogut. Perëndimi duhet t’i ndryshojë stimujt nën të cilët vepron lidershipi i Kosovës dhe ai i Serbisë. BE-ja dhe SHBA-ja duhet ta kuptojnë se Vuçiq do të vazhdojë ta luajë lojën e tij aktuale, nëse rregullat e lojës nuk ndryshojnë”.

“Kjo do të thotë të bëhesh i ashpër ndaj tij për shkak të destabilizimit të rajonit me programin e tij irredentist të ‘botës serbe’, e jo ta ftosh atë për të darkuar në Pallatin Elysee dhe t’i shesësh avionë të avancuar luftarakë”, thotë Vogel.

Vogel i referohet një takimi që ka zhvilluar javën e kaluar Vuçiq me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Paris. Pas atij takimi, Vuçiq ka thënë se ka arritur marrëveshje për blerjen e avionëve luftarakë nga Franca, ndërsa Macron ka thënë se vendi i tij do të sigurohet që secila pikë e Marrëveshjes së Ohrit të zbatohet.

Për më shumë se 13 vjet të përfshira në dialog për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

Në shtator të vitit 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, dy vendet kanë nënshkruar edhe një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, pjesë e së cilës ka qenë edhe një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës.

Deri atëherë, Serbia, e mbështetur edhe nga Rusia, ka pretenduar se ka arritur t’i bindë disa vende për t’i tërhequr njohjet e Kosovës, në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone e të tjera.

Autoritetet e Kosovës, megjithatë, nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.

Shteti i fundit që ka njohur Kosovën, ka qenë Izraeli. Njohja është bërë në vitin 2021 dhe ka qenë zotim i Marrëveshjes së Uashingtonit.

Kosova vazhdon të mos njihet nga pesë vende të BE-së - Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qiproja - dhe kjo, sipas analistëve, është pengesë në vete. Ngurrimi vazhdon përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Sidoqoftë, gjatë 16 vjetëve shtet, vendi ka arritur të bëhet pjesë e disa organizatave të rëndësishme ndërkombëtare - në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik e të tjera, ndërsa, në dhjetor të vitit 2022, ka aplikuar për t’u anëtarësuar edhe në Bashkimin Evropian.

Kosova ka kohë që nuk ka marrë një lajm të mirë sa u përket organizatave ndërkombëtare - përjashtuar këtu faktin se, nga 1 janari i këtij viti, qytetarët e saj mund të udhëtojnë pa viza në shumicën e vendeve të BE-së dhe disa të tjera.

Sytë do të jenë në Strasburg më 16 prill, kur së paku dy të tretat e përfaqësuesve të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës duhet ta çojnë dorën lart, për ta çuar Kosovën edhe një hap përpara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG