Mbyllja e Qeverisë: Trump shtyn fjalimin drejtuar kombit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump gjatë një adresimi nga Zyra Ovale. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nuk do të mbajë fjalimin vjetor, drejtuar kombit, derisa mbyllja e pjesshme e Qeverisë amerikane të marrë fund.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e tërhoqi ftesën për Trumpin për t’iu drejtuar Kongresit më 29 janar, duke thënë se fillimisht duhet të rihapen shërbimet e Qeverisë.

Mbyllja e Qeverisë ka lënë 800,000 punonjës federalë pa paga qysh më 22 dhjetor.

Trump do 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën, që do të pengonte hyrjen e migrantëve në SHBA, por Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, refuzon.

Mosmarrëveshja mbi sigurinë kufitare ka çuar në mbylljen më të gjatë të Qeverisë në historinë amerikane.

Trump, më herët, ka thënë se fjalimi i tij “duhet të mbahet në kohë”, por, në një postim në Twitter, ai e pranoi se nuk mund ta përmbushë zotimin e tij.

Ai tha se Pelosi ka refuzuar ta lejojë Kongresin që të jetë nikoqir i tij derisa të përfundojë mbyllja e Qeverisë, që tani ka hyrë në ditën e 34-të.

“Kjo është e drejta e posaçme e saj. Do ta mbaj fjalimin kur mbyllja e Qeverisë të marrë fund”, tha Trump.

Pelosi u përgjigj po ashtu me një postim në Twitter, duke thënë se shpreson se Trump do ta mbështesë një ligj që ka kaluar Dhoma e Përfaqësuesve, për të financuar agjencitë e prekura nga mbyllja e Qeverisë.

“Ju lutem pranojeni këtë propozim, në mënyrë që të mund të rihapim Qeverinë, t'i paguajmë punëtorët tanë federalë dhe pastaj t’i negociojmë dallimet tona", tha Pelosi.

Demokratët kanë argumentuar se me aq shumë punonjës federalë që janë larguar përkohësisht nga puna ose punojnë pa pagesë, fjalimi i presidentit drejtuar kombit, i cili përfshin të dyja dhomat e Kongresit, nuk është i mundshëm.

Por, Trump mohon se ka ndonjë shqetësim për sigurinë, të paraqitur nga mbyllja e Qeverisë.

SHIKONI EDHE: Trump ofron “kompromis” për t’i dhënë fund mbylljes së Qeverisë

Ai po ashtu i ka refuzuar sugjerimet për ta mbajtur fjalimin nga Shtëpia e Bardhë ose ndonjë vend tjetër.

Një president amerikan duhet të dorëzojë në Kongres një raport vjetor mbi gjendjen e kombit, por nuk është e domosdoshme që këtë ta bëjë në një ngjarje të drejtpërdrejtë. Disa presidentë e kanë dhënë atë me shkrim.

Përgatiti: Valona Tela