Në Maqedoninë e Veriut vetëm gjysma e qytetarëve kanë arritur të pajisen me dokumentet e reja personale, në të cilat figuron emri i ri i shtetit.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri më 25 dhjetor të këtij viti ka dorëzuar 1 milion e 151 mijë e 628 pasaporta të reja, 993 mijë e 966 letërnjoftime dhe 525 mijë e 225 patentë shoferi kundrejt 1 milion e 836 mijë qytetarëve shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe, të gjithë shtetasit maqedonas duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Pas kësaj date, dokumentet aktuale – pra ato me emërtimin Republika e Maqedonisë – nuk do të jenë të vlefshme, pavarësisht nëse ende kanë afat.
Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar më 17 korrik 2018 ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.
Operatorët e dikasterit të policisë bëjnë të ditur se termini më i përafërt i lirë për marrjen e dokumenteve të reja personale mbetet maji, përkatësisht qershori i vitit të ardhshëm.
Kjo ka bërë që në pikën e vetme ku qytetarët mund të aplikojnë për dokumente të reja në komunën e Kisella Vodës, të krijohen radhë të gjata.
Atanas Mitrevski thotë se, edhe pse e ka të vështirë të presë, i duhet patjetër pasi që në mungesë të letërnjoftimit valid, nuk do të mund të kryejë asnjë shërbim në bankë. Me të qeshur na thotë se aplikimin për pasaportë do ta lërë për më vonë pasi si pensionist që është nuk e ka ndërmend të udhëtojë.
“Shumë vështirë, po pres me orë, po çka të bëj unë jam i vjetër, por s’kam zgjidhje tjetër pasi pa letërnjoftim asnjë punë nuk mund ta kryej as në bankë, spital apo gjëkundi”, thotë Mitrevski.
Amet Rexhepi, i cili angazhohet si punëtor sezonal gjatë muajve të verës në bregdetin kroat, thotë për Radion Evropa Lirë se është paraqitur për të caktuar termin që në nëntor, por për shkak se termini më i afërt për letërnjoftim ka qenë fundi i qershorit thotë se është detyruar të vijë të presë në pikën për dhënien e dokumenteve personale pa caktuar termin në Kisella Vodë.
“Kontratën për punë e kam për tre muaj gjatë verës - qershor, korrik gusht - nëse më ik qershori më ka ikur një e treta e sezonit”, shprehet Ahmeti.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se përpos Shkupit, në të gjitha qytetet e tjera të vendit mbi 80 për qind e qytetarëve janë pajisur me dokumente personale.
Për qytetarët nga Shkupi, opsion i vetëm mbetet pika në Kisella Vodë ku dokumentet personale mund të nxirren pa caktuar termin.
Por, nga dikasteri i policisë thonë se personat e moshuar dhe ata që janë të sëmurë nuk mund të shkojnë në pikën për aplikim për dokumentet personale, mund të paraqiten tek ekipet mobile, por pasi paraprakisht të kenë siguruar vërtetim nga mjeku se kanë probleme shëndetësore.
Marrëveshja e Prespës po ashtu obligon autoritetet e Maqedonisë së Veriut që të ndryshojnë edhe targat e automjeteve duke vendosur kodin e ri të shtetit NMK në vend të MK siç ishte deri më tani.
Por, që të mos iu nënshtrohen shpenzimeve shtesë si për dokumentet personale, të cilat bien në kurriz të qytetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se në vend të tabelave të reja, në ato ekzistueset do të vendosen ngjitëse me akronimin e ri NMK.
Megjithëse kanë mbetur vetëm edhe dy muaj, përkatësisht deri më 12 shkurt, qytetarët druajnë se edhe për marrjen e ngjitëseve do të krijohen radhë të gjata.
Nga Lidhja e Automjeteve në Maqedoninë e Veriut thonë gjatë këtyre ditëve do të përcaktohet rregullorja për vendosjen e ngjitësve dhe do të merret vendim se sa do të jetë kostoja e tyre, duke theksuar se ajo do të jetë shumë më e vogël sesa rreth 25 euro sa do të kushtonte nëse do t’i ndryshonin targat e automjeteve.
Ndryshe, për t’i ndryshuar të gjitha dokumentet një familje katëranëtarëshe duhet të ndajë rreth 180 euro.
Për të gjithë ata që deri më 12 shkurt nuk do të arrijnë t’i ndryshojnë dokumentet personale me emrin e ri të shtetit, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka thënë për mediat se nuk do të ketë dënime.