Ndërlidhjet

Pritje të gjata për dokumentet me emrin e ri të shtetit


Pasaporta e re me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e vjetër me emrin Republika e Maqedonisë. Gusht, 2023.
Pasaporta e re me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e vjetër me emrin Republika e Maqedonisë. Gusht, 2023.

“Ju lutem prisni! Të gjithë operatorët janë të zënë”. Kjo është porosia që mori ekipi i Radios Evropa e Lirë pas dhjetëra përpjekjesh për të caktuar termin për ndryshimin e dokumenteve personale – letërnjoftimin, pasaportën, patentë-shoferin – me emrin e ri të shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Termin të lirë për nxjerrjen e këtyre dokumenteve do të ketë vetëm pas gjysmës së muajit tetor.

Qytetarët duke pritur të pajisjen me dokumente të reja personale në Maqedoninë e Veriut.
Qytetarët duke pritur të pajisjen me dokumente të reja personale në Maqedoninë e Veriut.

Të gjithë shtetasit maqedonas duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Pas kësaj date, dokumentet aktuale – pra ato me emërtimin Republika e Maqedonisë – nuk do të jenë të vlefshme, pavarësisht nëse ende kanë afat.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar më 17 korrik 2018, midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, që i dha fund mospajtimeve të kahmotshme mes dy shteteve.

“Dokumentet që përmbajnë emrin e shtetit ‘Republika e Maqedonisë’ do të jenë të pavlefshme pavarësisht nëse nuk u ka skaduar afati i përdorimit”, bëhet e ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Nga ky institucion thanë se kjo vlen edhe për pasaportat dhe rrjedhimisht pas 13 shkurtit, shtetasit maqedonas nuk do të mund të udhëtojnë jashtë vendit, nëse pasaporta e tyre ende ka emërimin “Republika e Maqedonisë”.

Një muaj pritje për të caktuar termin

Qytetarët janë ankuar se procesi i ndërrimit të dokumenteve personale po ua rrit shpenzimet. Disa prej tyre kanë shprehur indinjatë se pse duhet të ndryshojnë këto dokumente, edhe pse ato janë ende të vlefshme.

Çmimi i nxjerrjes së pasaportës së re për personat deri në 27 vjeç është 1.500 denarë (24 euro), ndërkaq mbi 27 vjeç është 2.000 (32 euro). Për letërnjoftim, qytetarët duhet të paguajnë 310 denarë (5 euro), ndërkaq për patentë-shofer, çmimi është 390 denarë (6 euro).

Pasaportat e reja me emërtimin Republika e Maqedonisë së Veriut.
Pasaportat e reja me emërtimin Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në bazë të këtyre çmimeve, nxjerrja e të gjitha këtyre dokumenteve për një person kushton 43 euro. Ndërkaq, për një familje katëranëtarëshe, sigurimi i këtyre dokumenteve kushton 173 euro, apo 50 për qind e vlerës së pagës minimale në shtet.

Krahas çmimeve, që nga qytetarët po konsiderohen të larta, problem është shndërruar edhe sigurimi i terminëve për nxjerrjen e këtyre dokumenteve, me ç’rast janë shkaktuar radhë të gjata para sporteleve në institucionet ku lëshohen ato.

“Ka shumë njerëz. Po presim me orë të tëra në këto temperatura të larta. Për termin jam lajmëruar mbi një muaj e gjysmë më parë dhe sot kur duhet të fotografohem dhe të dorëzoj kërkesën po pres kaq gjatë. Diçka nuk po funksionon”, tha për Radion Evropa e Lirë Enver Kastrati, që po priste për të nxjerrë pasaportën e re.

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut duke pritur para sporteleve për nxjerrjen e dokumenteve të reja personale. Gusht, 2023.
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut duke pritur para sporteleve për nxjerrjen e dokumenteve të reja personale. Gusht, 2023.

Marija Borozan ankohet se nuk po respektohet koha e terminëve të caktuar paraprakisht.

“Unë në moshën 70-vjeçare vi këtu dhe maltretohem. Kjo është arsyeja pse të rinjtë ikin në shtetet e huaja sepse shteti ynë nuk është në shërbim të qytetarëve”, thotë ajo.

Për Ace Stojanovskin është e pakuptimtë që në një shtet me 2 milionë banorë të krijohet kaos në sistemin e lëshimit të dokumenteve të reja personale.

“Është e çuditshme se pse krijohet aq kallaballëk në një shtet me 2 milionë banorë. Kjo tregon se diçka nuk është në rregull me menaxhimin e administratës”, thotë ai.

Kreu i Sindikatës së pavarur të policisë maqedonase, Goce Dellcev Todev, thotë për Radion Evropa e Lirë se në dekadën e fundit gjatë verës zakonisht ka mbingarkesë në sektorin që lëshon dokumente personale.

Ai thotë se ndryshimi i dokumenteve e ka rënduar edhe më shumë sistemin.

“Ministria e Shoqërisë Informative dhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet me urgjencë të gjejnë një zgjidhje për të eliminuar pritjet e gjata para sporteleve. Ne të punësuarit përballemi çdo ditë me kaos të tillë. Kjo e rëndon punën tonë, por njëkohësisht qytetarët me pa të drejtë maltrohen me orë të tëra”, thotë ai.

Lëshimi i dokumenteve me emrin e vjetër

Më 2019, shteti ndryshoi Kushtetutën, ku u përfshi ndryshimi i emrit nga Republika e Maqedonisë në atë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Por, edhe pas këtyre ndryshimeve, autoritetet shtetërore vazhduan të lëshonin dokumente me emrin e vjetër të shtetit.

Aplikimet për dokumente të reja personale shihen në një institucion shtetëror në Maqedoninë e Veriut.
Aplikimet për dokumente të reja personale shihen në një institucion shtetëror në Maqedoninë e Veriut.

Prandaj, shumë dokumente që posedojnë qytetarët kanë afat, por të njëjtat duhet që të ndërrohen.

Autoritetet maqedonase janë arsyetuar se qytetarët kanë qenë të njoftuar me kohë se duhet të ndërrojnë dokumentet e tyre dhe për të menaxhuar fluksin e madh të qytetarëve, janë formuar edhe ekipe plotësuese që punojnë në sportele edhe gjatë festave shtetërore dhe fundjavave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG