Rreth një milion pasaporta të vlefshme të qytetarëve maqedonas, që duhet të ndërrohen brenda tetë muajsh, po krijojnë rrëmujë e pritje të gjata në sportelet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjithashtu, shpenzimet për ndërrimin e dokumenteve personale duhet të mbulohen nga vetë ata, gjë që është kritikuar edhe nga Avokati i Popullit.
Në bazë të Marrëveshjes së Prespës, që i dha fund kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, të gjitha dokumentet personale - pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë - qytetarët duhet t’i ndërrojnë deri në shkurt të vitit 2024, përfshirë këtu dhe ata të cilët kanë dokumente valide. Këto janë dokumente me emrin e ri kushtetues të shtetit, ku krahas Maqedonia, shtohet pjesa “e Veriut".
Sipas MBP-së, vetëm 40 për qind e pasaportave mbajnë emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo ministri i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë rreth 1 milion e 736 mijë pasaporta të vlefshme, por mbi 60 për qind prej tyre kanë emrin e vjetër të shtetit.
Por, koha e shkurtër që ka mbetur për të zëvendësuar dokumentet personale ka krijuar një listë të gjatë pritjeje.
Qytetarët që caktojnë një termin me telefon, do të duhet të presim më shumë se 40 ditë. E njëjta gjë vlen edhe për caktimin e terminit përmes sistemin online.
Sipas qytetarëve, pritjet para sporteleve të MBP-së për nxjerrjen e këtyre janë të gjata, ka rrëmujë e zënka, meqë, sipas tyre, nuk po respektohet radha e as termini i paracaktuar.
Radio Evropa e Lirë ka folur me disa qytetarë që ishin duke pritur për të aplikuar për këto dokumente.
Dragi Stojkovski nga Shkupi thotë se ka më shumë se një muaj që ka marrë terminin për nxjerrjen e pasaportës së re. Ai thotë se po pret më shumë se dy orë për të dorëzuar kërkesën edhe pse kishte një orar të caktuar se kur duhej ta bënte këtë. E gjithë rrëmuja, sipas tij, bëhet për shkak të mosrespektimit të terminëve apo “futjes me miq brenda sporteleve”.
“Ka shumë rrëmujë, kështu është çdo ditë. Kjo çfarë ndodh këtu është e turpshme, shohim gra me fëmijë se si mundohen për të zënë radhën për të dorëzuar dokumentet. Unë punoj në Gjermani dhe kjo çfarë ndodh këtu nuk ndodhë askund në Evropë. Akoma këtu funksionojnë lidhjet me miq edhe pse s’ka nevojë për këtë pasi çdonjëri e ka një termin të caktuar”, thotë ai.
Një tjetër qytetar, i cili punon në Belgjikë, thotë se ata po maltretohen.
“Kur vijmë këtu ndodh që të kthehemi prapa për shkak të maltretimeve që na bëjnë. Nuk arrijmë të kryejmë punë. Kjo është e padrejtë pasi ne po kontribuojmë më së shumti për këtë shtet, me investime, me para. Maqedonia [e Veriut] punon me paratë tona dhe neve të na maltretojnë, kjo është e padrejtë”, thotë Agim Dauti, banor i Shkupit me punë të përkohshme në Belgjikë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka deklaruar më herët se pritjet e gjata janë edhe me fajin e qytetarëve, të cilët, sipas tij, aplikimin për pasaporta të reja kanë mundur ta bëjnë edhe vitin e kaluar.
Shpenzimet për pasaportat e reja, obligim i qytetarëve
Qytetarët ankohen jo vetëm për radhët e gjata, por edhe për shpenzimet që po bëjnë për nxjerrjen e dokumenteve me emrin e ri të shtetit. Madje, këtë po e bëjnë edhe ata që para dy vjetëve i kanë nxjerrë pasaportat për shkak të skadimit të afatit të tyre, e tani detyrohen sërish të bëjnë për shkak të detyrimit ligjor.
Dokumentet personale mund të merren për disa ditë vetëm nëse qytetarët aplikojnë për procedurë të shpejtuar, por kostoja e një pasaporte është dyfish më e lartë dhe arrin rreth 100 euro.
Pikërisht, kostoja e lartë ka bërë që qytetarët të aplikojnë me procedurë të rregullt, por edhe për këtë ata kanë vërejtje pasi një familje prej katër anëtarësh duhet të ndajë së paku 10 mijë denarë apo 150 euro për nxjerrjen e pasaportave të reja, apo edhe 180 nëse nxjerrin letërnjoftime dhe patentë shoferi.
Nëse pasaportat për të rritur, bazuar në çmimet e reja, më të larta, kushtojnë 2.300 denarë (afër 40 euro), ndërsa për fëmijët 1.700 denarë (afër 30 euro), shteti do të inkasojë mesatarisht 2.000 denarë (rreth 35 euro) për një pasaportë, apo mbi 32 milionë euro, nëse të gjithë qytetarët vendosin t'i zëvendësojnë pasaportat me emrin e ri të shtetit.
Nga Qeveria maqedonase nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it se pse ekzekutivi nuk i mbulon shpenzimet në rastet kur dokumentet personale kanë ende afat vlefshmërie.
Avokati i Popullit, Naser Zyberi, konsideron se Qeveria është dashur të shqyrtojë të gjitha obligimet për ndryshimin e dokumenteve personale, të cilat, siç thotë ai, janë rezultat i ndryshimit të Kushtetutës, e më pas të nxjerrë konkluzione për pasojat financiare për qytetarët.
Duke qenë se karta e identitetit është detyrim ligjor për çdo qytetar, për Zyberin, një zgjidhje e drejtë do të ishte të paktën që shteti ta subvenciononte atë.
“Qeveria e përjashton veten nga këto implikime financiare, duket se ajo nuk është marrë me këto çështje. Qeveria e nënshkroi marrëveshjen në emër të qytetarëve, e më pas Kuvendi e ratifikoi me ligj dhe më pas ndryshoi Kushtetutën, e cila rezultoi me detyrimin për harmonizimin e dokumenteve personale të qytetarëve me vendimet e mëparshme. Prandaj, mendoj se Qeveria duhet të kishte debatuar dhe nxjerrë konkluzionet e duhura se a është e drejtë që kostot e shkaktuara nga këto vendime t'i bartin qytetarët”, thotë Zyberi.
Ai thotë se barra mbi qytetarët do të ishte më e lehtë nëse shteti nuk do të vonohej në zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë, sa u përket dokumenteve personale.
Sipas Ziberit, përveç që nuk do të kishte radhë të gjata para sporteleve, edhe kostoja për nxjerrjen e tyre do të ishte më e lirë.
Marrëveshja e Prespës me Greqinë është nënshkruar më 17 qershor 2018. Megjithatë, edhe pse kushtet e Marrëveshjes filluan me ndryshimin e Kushtetutës, në shkurt të vitit 2019, institucionet nuk filluan me kohë të lëshojnë dokumente personale me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut.