"Solidariteti" – instalacion për përjetimet e rënda të refugjatëve

Sipas UNHCR-së, në botë ekzistojnë 120 milionë refugjatë që janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre dhe i kanë lënë mbrapa vendlindjet.

Në vjetët e fundit kanë shpërthyer konflikte të reja - sikurse lufta në Ukrainë dhe ajo në Gazë - ndërsa të vjetrat nuk janë zgjidhur ende.

Agron Blakçori, autori i instalacionit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se puna është krijuar enkas për këtë ngjarje.

Ai ka vendosur të punojë me materiale më të vrazhda - metale dhe gjemba - pasi i tillë është rrugëtimi i një refugjati, por edhe kujtimet që e ndjekin gjithmonë mbrapa.

“Janë shfrytëzuar shufrat metalike, rrjetat, që simbolizojnë kufijtë, izolimet e kështu me radhë”.
 

Zyrtarë të UNHCR-së kanë thënë se edhe moti ekstrem po detyron zhvendosjen e disa komuniteteve dhe po ndikon në rritje të tensioneve.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, e pranishme në ngjarjen e organizuar për refugjatë, ka thënë se Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve tregon për gatishmërinë e autoriteteve për t’iu ndihmuar këtyre njerëzve.

Arjun Shrestha, shef i misionit të UNHCR-së në Kosovë, ka thënë në hapje të instalacionit se askush nuk vendos nga dëshira të jetë refugjat.

“Për shumë njerëz, është mundësia e vetme e mbijetesës. Refugjatët kanë nevojë për solidaritetin tonë, më shumë se kurrë më parë”.

Sipas tij, Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve tregon për vullnetin kolektiv të njerëzimit për t’i kaluar sfidat që lidhen me refugjatët.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se Kosova i ka avancuar shërbimet rehabilituese për refugjatët, për shkak të përvojës që kanë pasur vetë kosovarët disa vjet më parë me konflikte - referencë për luftën në Kosovë më 1999.

Olta, refugjate prej Ukrainës, ka treguar se si është shpërngulur në Kosovë një vit më parë, bashkë me tre fëmijët e saj.

“Jeta ime ka nisur prej fillimit. Jam shumë e lumtur që fëmijët e mi janë këtu me mua”, ka thënë ajo para të pranishmëve.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe disa refugjatë prej Sirisë. Sipas Ligjit për azil në Kosovë, për të fituar statusin e azilit, procedurat marrin gjashtë deri në nëntë muaj kohë. Kosova i ka dy qendra për azilkërkuesit: në Magurë dhe Vranidoll.

Silueta të prindërve dhe fëmijëve me valixhe nëpër duar.

Në hapje të instalacionit kanë qenë edhe ambasadorë të angazhuar në Kosovë, dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Gjemba, izolime, kufij. Janë vetëm disa prej mjeteve e procedurave me të cilat përballen refugjatët nëpër botë, sa herë që detyrohen të largohen prej shtëpive të tyre. Ky realitet i ashpër është shndërruar në instalacionin “Solidariteti”, të prezantuar të enjten në Prishtinë, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve. Zyra e UNHCR-së në Prishtinë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e kanë organizuar ngjarjen, në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë shtetërorë, pjesëtarë të misioneve diplomatike, të shoqërisë civile dhe vetë refugjatë që tani jetojnë në Kosovë.