Duhanpirësit mund të jenë më të rrezikuar nga infektimi me koronaviurus për shkak se ky veprim përfshin gishtat me gojën, çka rrit mundësitë e bartjes së virusit nga duart brenda organizmit të njeriut.
Kështu thotë udhëzuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për lidhjen më mes të duhanpirjes dhe sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
OBSH-ja tërheq vërejtjen se ende nuk ka kërkime shkencore të vërtetuara që tregojnë për rrezikun që përbën koronavirusi te kjo kategori.
Megjithatë, kjo Organizatë thekson se pirja e çfarëdo lloji të cigares zvogëlon kapacitetin e mushkërive dhe rrit rrezikun e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes.
Deri më tani dihet se sëmundja COVID-19 fillimisht sulmon mushkëritë. Meqë duhani dëmton funksionin e mushkërive, trupi është më pak i aftë që të luftojë koronavirusin dhe sëmundje tjera që lidhen me frymëmarrjen.
Të dhënat e deritashme sugjerojnë se duhanpirësit kanë më shumë mundësi që të përballen me simptoma të rënda në rast se infektohen me këtë virus.
Ndalimi i duhanpirjes, pjesë e masave kufizuese kundër koronaviursit
Më 27 mars, kur autoritetet e Afrikës së Jugut kanë marrë vendim për izolim të shtetit, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri, aty kanë përfshirë edhe ndalimin e blerjes së duhanit.
Përveç duhanit, ato kanë ndaluar edhe blerjen e alkoolit, një masë e pashembullt për pjesën më të madhe të vendeve në botë.
Më 15 gusht, presidenti jugafrikan, Cyril Ramaphosa, ka thënë se ndalesat e vëna për shkak të koronavirusit do të pezullohen me qëllim të rikthimit të aktivitetit ekonomik.
Ndërkohë në Spanjë, dy rajonet autonome të këtij shteti, Galicia dhe Ishujt Kanari, kanë ndaluar pirjen e duhanit në hapësira publike pas shqetësimeve se ai rrit rrezikun për përhapje të koronavirusit.
Autoritetet kanë vënë njoftime për këtë ndalesë nëpër rrugë dhe hapësira publike, siç janë restorantet dhe baret, nëse masat për distancim fizik nuk mund të zbatohen.
Ky vendim është marrë meqë Spanja është prekur më së keqi në Evropën Perëndimore nga koronavirusi i ri.
Vendimi i Galicias është mbështetur nga një projekt kërkimor i Ministrisë së Shëndetësisë atje, i publikuar muajin e kaluar, i cili ka theksuar lidhjen në mes të pirjes së duhanit dhe rritjes së përhapjes së koronavirusit.
Aty është thënë se rreziku rritet pasi njerëzit lëshojnë stërpika - potencialisht edhe koronavirusin - derisa pinë duhan.
Aty është thënë edhe se duhanpirësit rrezikojnë përhapjen e koronavirusit derisa mbajnë maska, duke e vendosur apo hequr atë disa herë gjatë procesit të duhanpirjes.
SHIKONI EDHE: Sa është i sigurt frekuentimi i bareve dhe restoranteve gjatë pandemisë?Ndikimi i nikotinës kundër koronavirusit?!
Në prill të këtij viti, Franca ka ndaluar shitjen online të produkteve të nikotinës si dhe ka kufizuar shitjen e tyre nëpër barnatore, pasi disa studime kanë sugjeruar se nikotina mund të luajë rol në mbrojtje kundër koronavirusit.
SHIKONI EDHE: Franca ndalon shitjet në internet të produkteve të nikotinës
Rregullat e reja janë zbatuar për produktet me nikotinë si çamçakëzët dhe fashat, që janë krijuar për të lehtësuar procesin e lënies së duhanit.
Qeveria franceze pati thënë se njerëzit do të lejohen të blejnë vetëm një produkt të tillë në muaj.
Vendimi është marrë pasi disa të dhëna të një spitali në Paris patën treguar se sipas statistikave, duhanpirësit shtrihen më pak në spital për t’u trajtuar nga COVID-19.
Përmes kësaj mase, autoritetet kanë synuar që t’ua pamundësojnë njerëzve futjen e një sasie të madhe të nikotinës në organizëm, të cilët shpresojnë se mund ta mbrojnë veten kundër infektimit me koronavirus.
Pavarësisht të dhënave të spitalit francez, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ende nuk ka informacione të plota për lidhjen në mes të duhanit apo nikotinës dhe parandalimit të koronavirusit.
A është tani koha e duhur për ta lënë duhanin?
Më shumë se 1 milion persona kanë hequr dorë nga duhani në Mbretërinë e Bashkuar, prej kur ka shpërthyer pandemia me koronavirus, ka gjetur një sondazh i kryer nga organizata bamirëse, Aksioni mbi duhanpirjen dhe shëndetin.
Rreth 41 për qind e respodentëve kanë thënë se arsyeja e braktisjes së kësaj shprehie ka qenë si përgjigje ndaj koronavirusit.
Ndaras këtij sondazhi, Universitetit College i Londrës ka gjetur se më shumë njerëz kanë hequr dorë nga duhanprirja më 2020 sesa në secilin vit tjetër, prej kur ka nisur të mbledhë të dhëna më 2007.
SHIKONI EDHE: Duhani mbetet një nga shkaktarët kryesor të kanceritPërveç koronavirusit, një pjesë e të anketuarve kanë thënë se kanë vendosur të mos pinë më duhan për shkak të shqetësimeve mbi shëndetin, qasjen në duhan në kohën e izolimit dhe pamundësisë për të qenë bashkë me shoqërinë derisa pinë atë.
Shumë studiues kanë vlerësuar se koha e pandemisë me koronavirus është ideale për të lënë duhanin, ndonëse njëkohësisht mund të jetë edhe më e vështira për shkak të stresit dhe ankthit që ka munduar të shkaktojë periudha e izolimit në mesin e njerëzve.
Prandaj, për ata që nuk në plan të heqin dorë nga duhanpirja, OBSH-ja ka këshilluar që këta persona:
-të mos këmbejnë cigaret me dikë tjetër, çfarëdo qofshin ato
-të pastrojnë shpesh duart dhe të mbajnë distancën fizike