Nuk ka kaluar as një javë nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse/dalëse dhe nga dy palët ka pritshmëri për përparim të mëtejshëm.
“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po futet në një nivel të ri serioziteti”, vlerëson njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi.
Shtetet e Quint-it - Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe SHBA-ja - po krijojnë një zë të përbashkët lidhur me këtë proces, thotë Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.
Shenjë për një gjë të tillë, sipas tyre, është vendimi i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe i presidentit francez, Emmanuel Macron, për të emëruar këshilltarët e tyre për dialogun.
Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune u tha se do t’i ofrojnë mbështetje të dërguarit të BE-së për këtë proces, Mirosllav Lajçak.
Lajçak dhe dy këshilltarët e rinj pritet të qëndrojnë në Kosovë dhe Serbi, më 9 shtator.
“Nuhatja” e marrëveshjes
Maliqi kujton se emërimi i këshilltarëve nga Gjermania dhe Franca nuk ndodh për herë të parë, por koha kur ndodh - derisa vazhdon pushtimi rus i Ukrainës - ia shton seriozitetin këtij veprimi, thotë ai.
Pushtimi rus i Ukrainës
REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.
“Kjo mund të shihet edhe si shenjë se shtetet e rëndësishme, si Gjermania dhe Franca, e nuhasin mundësinë që të ecet përpara me një marrëveshje gjithëpërfshirëse [midis Kosovës dhe Serbisë], por edhe e shfrytëzojnë rastin për të theksuar urgjencën [e këtij procesi]”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Diplomatët në Perëndim thonë se lufta e Rusisë në Ukrainë, që ka nisur në fund të shkurtit, ka krijuar një momentum të ri për sigurinë evropiane, por edhe për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, ku disa vende kanë ende çështje të hapura.
Maliqi thotë se “është e dukshme” që Kosova dhe Serbia janë duke hyrë në një proces bisedimesh, që mund të përfundojë shpejt, ndonëse jo detyrimisht. Ai thotë se ndjeshmërinë e vendeve të BE-së ndaj dialogut e ka ndikuar “alarmi i NATO-s”.
Muajin e kaluar, kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur - për shkak të një vendimi të Qeverisë në Prishtinë për targa të automjeteve dhe dokumente të udhëtimit - NATO ka paralajmëruar se do të ndërhyjë, nëse stabiliteti vihet në rrezik.
“Unë e shoh si interesim më të madh [të vendeve të BE-së], si angazhim më të madh... por edhe si formë e presionit ndaj liderëve [të Kosovës dhe Serbisë] që të mos përsëriten rastet e përshkallëzimeve që ndodhën së voni, si dhe të shfrytëzohet mundësia që të shkohet drejt një marrëveshjeje”, thotë Maliqi.
SHIKONI EDHE: Shea: NATO-ja garanton sigurinë në Kosovë, jo BeogradiJanjiq, në anën tjetër, thotë se Quint-i mund të jetë duke përgatitur një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë.
“... në mënyrë që ajo konferencë t’i ndihmojë palët që të sjellin vendime të guximshme. Është e nevojshme pikërisht ajo që Scholz dhe Macron i kanë thënë Kurtit dhe Vuçiqit - ata vetë të fillojnë të marrin vendime të guximshme”, thotë Janjiq.
Kur Scholz dhe Macron njoftuan më 4 shtator për emërimin e këshilltarëve të tyre, ata i dërguan një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu bërë thirrje që të tregojnë gatishmëri për të marrë vendime të vështira, të cilat, siç u tha, do të sillnin përparim në dialog.
Se çfarë mund të përfshijnë këto vendime, nuk u elaborua.
Ndihma e BE-së në gjetjen e kompromisit
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, bën të ditur se Lajçak dhe këshilltarët e rinj do të takojnë më 9 shtator Kurtin në Prishtinë dhe Vuçiqin në Beograd.
“Ne, me të vërtetë, duam të bëjmë sa më shumë që të mundemi, për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë të gjitha kompromiset e nevojshme dhe pajtimin për ta çuar dialogun përpara, për t’i mbyllur të gjitha çështjet e hapura dhe, përfundimisht, të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, të pranueshme reciprokisht dhe të detyrueshme ligjërisht”, thotë Stano për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: BE-ja pret fokus për targat, Asociacionin dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëseI pyetur nëse dialogu është duke hyrë në një fazë të re, Stano shpjegon:
“Afatet kohore dhe rezultatet në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, varen gjithmonë nga aftësia, vullneti dhe gatishmëria e dy palëve për të gjetur kompromisin e nevojshëm. BE-ja, si lehtësuese e këtij dialogu, po përpiqet t’i ndihmojë të dyja palët në gjetjen e këtij kompromisi. Çdo gjë që është duke ndodhur tani, është pjesë e këtij aktiviteti”.
Çfarë thonë qytetarët?
Për disa qytetarë të anketuar nga REL-i në Prishtinë mbetet ende pikëpyetje nëse një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është afër.
Artan Behluli, profesor i Arkitekturës, thotë se presioni ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje është më shumë i përqendruar ndaj Serbisë. Por, ai thotë se nuk pret rezultate të cilat do t’i dëshironte Kosova.
“Serbia, në disa vija strategjike të veta, nuk e ndërron politikën. Ajo është aq e durueshme - mbase ka edhe një memorie historike - që e bën të kuptojë se Evropa është ajo që ndryshon e jo Serbia”, thotë Behluli.
Ramadan Ahmeti, punëtor bankar, vlerëson se partnerët perëndimorë të Kosovës janë duke rritur presionin që të arrihet një marrëveshje, që do t’i zgjidhte kontestet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Po besoj që do të ketë një marrëveshje. Unë besoj që është më afër se që ka qenë. Mirëpo, prapë jam në dilemë se a do të jetë një marrëveshje e kënaqshme për ne, e mos të flasim për ata [palën serbe]”, thotë Ahmeti.
Të përkushtuara, thonë të dyja palët
Nga Qeveria e Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se e mirëpresin “përkushtimin shtesë të dy shteteve të rëndësishme të Bashkimit Evropian” - Gjermanisë dhe Francës - në arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me “njohjen reciproke në qendër”.
“Kryeministri [Kurti] ndan gjithashtu mendimin se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësisë së veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se Qeveria është e përkushtuar për dialog parimor”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës.
SHIKONI EDHE: Retorika nxitëse – ekzagjerim apo përgatitje për një zgjidhje?Autoritetet në Serbi nuk e komentuan publikisht angazhimin shtesë të Gjermanisë dhe Francës në dialog. Por, gjatë një vizite në Kosovë, më 5 shtator, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, theksoi se vendi i saj është “gjithmonë i gatshëm për dialog”.
“[Normalizimi i marrëdhënieve] na duhet, jo për shkak të integrimit evropian, por për shkak të vetvetes, për shkak të asaj që duam me gjithë zemër, e që është paqja dhe stabiliteti afatgjatë”, tha Bërnabiq në Mitrovicën e Veriut.
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur, dhe për këtë, ato fajësojnë njëra-tjetrën.
Muajin e kaluar, tensionet mes tyre janë rritur, si pasojë e një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia në RKS (Republika e Kosovës), si dhe për dokumente të veçanta hyrëse/dalëse për qytetarët e Serbisë.
Në shenjë pakënaqësie, disa serbë në veri të Kosovës janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada.
Me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Kosova e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 30 ditë, përkatësisht deri më 1 shtator.
Por, ndërkohë, me ndërmjetësimin e diplomatëve perëndimorë, palët kanë arritur marrëveshje për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse nga të dyja anët, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator.
Your browser doesn’t support HTML5
Sfidë tani mbetet riregjistrimi i automjeteve. Serbia kërkon negociata, duke propozuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Qeveria e Kosovës nuk heq dorë nga vendimi i saj. Procesi i riregjistrimit, i cili është thënë se do të zgjasë dy muaj, ka nisur më 1 shtator.
SHIKONI EDHE: Nis riregjistrimi me targa RKS
Gjatë vizitës në Kosovë, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha po ashtu se “është koha” për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Edhe pse palët kanë arritur marrëveshje për këtë Asociacion, kryeministri Kurti thotë se Kosova nuk mund të pranojë formimin një “asociacioni njëetnik”.
Komuniteti ndërkombëtar, në anën tjetër, vazhdimisht përsërit se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë për Asociacionin.
Se cilat do të jenë “vendimet e vështira” të palëve që t’i normalizojnë marrëdhëniet, mbetet të shihet.
Kosova e ka bërë të qartë se marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të përfshijë njohjen reciproke me Serbinë, të cilën gjë Serbia, tash për tash, thotë se nuk do ta bëjë.