Përhapja e koronavirusit në nivel global, i ka shtyrë të gjitha qeveritë botërore që t’i përqendrojnë të gjitha angazhimet në parandalimin e përhapjes dhe luftimit të këtij virusi, i cili mund të jetë edhe vdekjeprurës.
Edhe në Kosovë, proceset politike kanë marrë kahe tjetër nga paraqitja e rasteve të para të sëmundjes me Covid-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Në këtë aspekt, edhe vazhdimi i dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka mbetur tashmë në planin dytësor apo tretësor, pavarësisht faktit që Kuvendi i Kosovës, përkatësisht deputetët e partive në koalicionin qeverisës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Koosvës, miratuan gjatë fundjavës një rezolutë me të cilën autorizohet Qeveria e Kosovës si bartëse e dialogut me Serbinë.
Kjo rezolutë, përpiqet që të fuqizojë rolin e Qeverisë së Kosovës në dialog dhe margjinalizuar rolin e presidentit, Hashim Thaçi.
SHIKONI EDHE: Kuvendi miratoi rezolutën për dialogunAnalisti politik, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se dialogu do të jetë një interes i dorës së dytë, qoftë në vëmendjen e liderëve botërorë që kanë ndikim në këtë proces, e po ashtu edhe në vëmendjen e liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
"Kështu që domosdoshmërish kjo për një periudhë të caktuar kohore do ta vendosë dialogun si një çështje, më pak të rëndësishme. Mendoj se [pezullim të iniciativave për dialog] do të ketë edhe për shkak, jo vetëm të këtij virusi, po edhe për shkak të ngjarjeve politike që janë në Serbi - pra atje do të jetë një proces zgjedhor, i cili mund të shtyhet edhe atje nëse do të ketë një përshkallëzim të epidemisë", tha Krasniqi.
SHIKONI EDHE: Presidenti Thaçi kushtëzon përfshirjen e BE-së në dialog me liberalizimin e vizaveKrasniqi mendon se në rast se dialogu do të ishte në pikën e tij kulmore dhe vetëm do të pritej nënshkrimi i marrëveshjes, atëherë do të mund të pritej diçka e shpejtë drejt një marrëveshjeje. Por, siç thotë ai, procesi i negociatave, të paktën zyrtarisht do, të mbetet i ngrirë për një kohë të gjatë.
"Ky bllokim që mund të jetë potencial [për shkak të pandemisë]. Është edhe në favor të palës kosovarë, pra në mënyrë që ta definojë nga brenda pozicionin e saj në gjithë ketë proces", tha Krasaniqi.
Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina qysh në nëntor të vitit 2018. Muajin e kaluar, Kurti ka shpalosur planin e tij për heqjen graduale të kësaj takse. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar heqjen e plotë të saj.
SHIKONI EDHE: Përplasje brenda koalicionit rreth taksësPër shkak të mospajtimeve me masat gjysmake të propozuara nga Kurti, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosovës i kanë ardhur edhe paralajmërime për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova.
Taksa ka bërë që edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të ndërpritet qysh në fund të vitit 2018. Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës. Kosova kërkon që Serbia të ndalë fushatën për çnjohjet e pavarësisë së saj.
Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht çfarëdo zhvillimesh që do të ketë në raport me dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të ketë një unitet dhe plan-veprimi në këtë rrafsh.
"Ne nuk e dimë se sa do të zgjasë pandemia e koronavirusit dhe çfarë efekti do të ketë. Ajo çfarë mbetet e rëndësishëm është që palët në Kosovë, partitë politike, institucionet, të ndërtojnë konsensusin e shumëkërkuar. Ne kemi dy vjet që jemi duke e kërkuar këtë gjë edhe nuk ka pasur dialog të ndërmjetësuar që nga viti 2018 nga e BE-ja dhe SHBA-ja, që nuk ishin aq të përfshira siç janë tani. Kemi parë që partitë politike nuk e kanë përdorur këtë kohë për të ndërtuar konsensus apo strategjinë e Kosovës", tha Krasniqi.
Përderisa Bashkimi Evropian nuk ka dhënë ndonjë sinjal të qartë për vazhdimin e dialogut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar angazhimin e tyre në këtë proces, përmes të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, ambasadorit Richard Grenell.
Megjithatë, që nga shpallja e pandemisë, aktualisht askush nuk pret që një rifillim apo vazhdim të dialogut në këtë situatë.