Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar që Bashkimi Evropian duhet të nxjerrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas të mendojë se a ka kapacitete, hapësirë, vizion dhe lidership për të shtyrë përpara dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Deklaratën e tillë, presidenti Thaçi e bëri pas takimit me një delegacion gjermano-francez, i përbërë nga Jan Hecker, këshilltar i kancelares gjermane, Angela Mergel dhe Emmanuel Bonnem këshilltar i presidentit francez, Emmanuel Macron, të cilët po qëndrojnë të martën në Prishtinë.
“Bashkimi Evropian dhe roli i tij duhet të jetë imediat, i domosdoshëm dhe i shpejtë që të nxjerrë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kur të merret ky vendim, për liberalizimin e vizave, atëherë ne duhet të diskutojmë si lidership i Kosovës t’i përgjigjemi ftesave të Bashkimit Evropian. Flas në emrin tim, si president i vendit - dhe do të flas edhe me të gjithë lidershipin e Kosovës – që përderisa nuk ndodhë liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian, së paku, unë si president i vendit, nuk ulem në tavolinë në Bruksel, sepse nuk meriton këtë kredi që Kosova t’ia japë Brukselit, për sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se këtë qëndrim ua ka bartur emisarëve nga Gjermania dhe Franca.
Deklaratat e tilla, Thaçi i ka bërë në kontekstin e deklaratave të mëhershme, ku ai kishte bërë thënë që rolin udhëheqës në ndërmjetësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duhet ta kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka ripërsëritur qëndrimin e tij, duke thënë se roli i SHBA-së “është i pazëvendësueshëm në procesin e mundësisë së arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi”.
Që nga nëntori i vitit 2018, kur Kosova ka zbatuar taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Beogradi zyrtar e ka pezulluar pjesëmarrjen e tij në dialogun e ndëmjetësuar nga Bashkimi Evropian, deri në heqjen e kësaj mase.
Gjatë ngecjes së këtij dialogu, megjithatë, Berlini dhe Parisi kanë provuar që të kontribuojnë në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me qëllim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy palëve.
Në një konferencë të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, në prill të vitit 2019, kancelaria gjermane, Angela Merkel ka porositur që konferenca nuk e ka për qëllim ta zëvendësojë procesin e Brukselit dhe as bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe që “zgjidhja përfundimtare për Kosovën dhe Serbinë nuk mund të jetë në dëm të të tjerëve në rajon”.
Takimi i radhës, i cili do të duhej të mbahej në Paris, në korrik të vitit 2019, ishte anuluar, derisa kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, me këmbëngulje ka refuzuar që ta heqë taksën deri sa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.