Retorika nxitëse – ekzagjerim apo përgatitje për një zgjidhje?

Një ushtar i KFOR-it në barrikadat në veri të Kosovës më 1 gusht 2022

“Ekzagjerim”, “fryrje” dhe “pallavra” – kështu i komentojnë disa nga qytetarët shqiptarë e serbë deklaratat e fundit të zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë lidhur me një konflikt të mundshëm mes dy shteteve.

Edhe pse thonë se brenga ekziston, ata besojnë se e gjitha ka të bëjë me përfitime politike.

“Mendoj se është një situatë e ekzagjeruar. Madje, mendoj se po përdoret për poenë politikë. Unë sinqerisht mund të them se nuk mendoj që do të ketë ndonjë konflikt”, thotë Vesna, një qytetare serbe që jeton në Mitrovicën e Veriut.

SHIKONI EDHE: Petkoviq: E vetmja gjë që di Kurti është nxitja e luftës

Agron Oranaj, qytetar nga Prishtina, thotë për Radion Evropa e Lirë se mendon që fjalët për një luftë të mundshme, “janë pallavra” (fjalë të kota).

“Luftën që po e përmendin, nuk ma merr mendja [që ndodh]. Shpresoj se kam të drejtë”, thotë ai.

“Të dyja anët po fryjnë deklarata të tilla. Kam shumë shokë shqiptarë… shqiptarët nuk duan luftë. S’mund t’i fusim të gjithë në një thes, as nga ana jonë, as nga ana e tyre”, thotë Jeremie Aksentijeviq nga Mitrovica e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe.

SHIKONI EDHE: Kurti: Kur Serbia flet për vrasje e dhunë, flet për vete e jo për Kosovën

Edhe nëse nuk ka gjasa që situata të tensionohet, sipas Minire Berishajt, një qytetare nga Fushë Kosova, përmendja e luftës risjell kujtime të këqija për kosovarët që e kanë përjetuar luftën e viteve 1998-99.

“Çdo njeri që është në Kosovë, mendoj unë, e brengos dhe e frikëson [diskursi i luftës]. Ka njerëz që kanë probleme me trauma të luftës, që menjëherë sapo ta dëgjojnë lajmin frikësohen ose ju kujtohet ndonjë ngjarje”, thotë ajo.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në fillim të muajit gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pasur mundësi që tensionet më 31 korrik dhe 1 gusht të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur. Ai po ashtu është shprehur se vazhdon të mendojë se situata mund të përshkallëzohet.

*Video: Intervista e plotë e kryeministrit Kurti dhënë për REL-in më 8 gusht 2022.

Your browser doesn’t support HTML5

Kurti: Tensionet në veri u planifikuan në Rashkë e Beograd

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka informacione për plane të Kosovës që të “likuidojë” serbët në veri.

Këto deklarata erdhën pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë në veri të Kosovës, bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Barrikadat u ngritën për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. Ato u hoqën pasditen e 1 gushtit, pasi Prishtina zyrtare vendosi të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve, pas ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar.

Kosova dhe Serbia ia hedhin fajin njëra-tjetrës për retorikën nxitëse

Më 14 gusht, Bashkimi Evropian, që është ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka kërkuar nga liderët politikë në Kosovë dhe Serbi që “menjëherë t’i japin fund retorikës nxitëse dhe të veprojnë me përgjegjësi”, duke shtuar se “politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të çojë deri te ndonjë rritje të tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”.

SHIKONI EDHE: BE-ja fton Kosovën dhe Serbinë që t’i japin fund "menjëherë" retorikës nxitëse

Pas kësaj deklarate reagoi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, që e konsideroi këtë reagim si të padrejtë karshi Serbisë.

“Duke parë këtë deklaratë të BE-së, dikush mund të mendojë se sot është 1 Prilli. Duket shaka pa kripë. Për 175 ditë të plota, Kurti ka provokuar për një konflikt të armatosur me serbët”, tha Bërnabiq në përgjigjen e saj ndaj deklaratës së BE-së.

Qeveria e Kosovës në anën tjetër nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment ndaj deklaratës së BE-së.

Megjithatë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media më 15 gusht, deklaroi se Kosova “në asnjë moment nuk ka kontribuar për tensione, as përmes gjuhës, as përmes veprimeve”.

“Kjo tendencë për t’i trajtuar të dyja palët sikur të dyja në mënyrë ekuivalente po kontribuojnë në destabilizim, është gabim i madh. Për të gjithë ata që shohin faktet janë përpara, realiteti është përpara”, tha Osmani.

SHIKONI EDHE:

Osmani: BE-ja të jetë më e zëshme karshi tendencave destabilizuese serbe Bërnabiq i reagon ashpër BE-së

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian “nuk mund të bëjë më shumë” përveç thirrjeve publike ndaj palëve që të përmbahen nga gjuha nxitëse.

Haxholli mendon se Serbia është ajo e cila përdor “më shumë retorikë provokuese dhe veprime konkrete armiqësore në terren”.

“Retorika nxitëse natyrisht që e dëmton atmosferën e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë dhe mundësitë për progres në këtë proces”, thotë ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Pala kosovare megjithatë ka thënë se për vendimet e Qeverisë së Kosovës nuk do të diskutohet në Bruksel.

*Video nga arkivi: Çfarë mendojnë në Beograd dhe Mitrovicë të Veriut për situatën në veri?

Your browser doesn’t support HTML5

Çfarë mendojnë në Beograd dhe Mitrovicë të Veriut për situatën në veri?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se qëllimi i vetëm i takimit të radhës në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është që të ruhet paqja dhe stabiliteti. Vuçiq foli edhe për çështjen e targave të makinave, që përdoren nga serbët në Kosovë, e të cilat Prishtina po kërkon që të zëvendësohen me targat RKS (Republika e Kosovës).

"Nëse dikush dëshiron ta bëjë këtë me forcë, ju mund të bëni gjithçka me forcë. Do të flasim për gjithçka, por a do të kenë këto bisedime ndonjë kuptim, për çka unë dua të besoj, do ta shohim pas dy-tre ditësh", tha ai.

*Video: Pse duhet të regjistrohen makinat në RKS?

Your browser doesn’t support HTML5

Pse duhet të regjistrohen makinat në RKS?

Paçarizi: Retorika e tensioneve, lojë e Prishtinës e Beogradit

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi, gjithashtu mendon se gjuha e ashpërsuar ndikon keq në vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Megjithatë, sipas tij, nëse në prapaskena palët i kanë premtuar tashmë faktorit ndërkombëtar se do ta gjejnë zgjidhjen për marrëveshjen Kosovë-Serbi, retorika nxitëse mund të jetë edhe lojë politike.

“Mendoj se kjo retorikë e ashpërsuar më shumë është një lojë e Beogradit dhe Prishtinës, në mënyrë që duke e imponuar diskursin e rrezikut, diskursin e luftës, diskursin e frikës te qytetarët, ta bëjnë më të pranueshme cilëndo zgjidhje e cila do të imponohet apo do të pranohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Paçarizi.

Ai shton se palët do të duhej që të gjenin mënyra të tjera për t’u komunikuar qytetarëve të dy shteteve respektive se cilat janë zgjidhjet apo kompromiset që mund të bëhen në dialog, në vend të përdorimit të gjuhës që ngjall frikë.

*Video: Çfarë është dokumenti për hyrje/dalje?

Your browser doesn’t support HTML5

Çfarë është dokumenti për hyrje/dalje?

Verolub Petroniq, ekspert i sigurisë nga Mitrovica e Veriut, beson se Kosova dhe Serbia "duhet të tërhiqen" kur është fjala për retorikën rreth ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës.

Ai nënvizon se mediat nga të dyja palët kontribuojnë në përkeqësimin e situatës, duke publikuar “deklarata bombastike” të përfaqësuesve politikë nga të dyja anët dhe shton se e gjithë situata dëmton qytetarët e thjesht, të cilët, sipas Petroniq, janë shumë të frikësuar.

“Mund të ndodhë shumë lehtë që të ketë destabilizim më të madh. Nëse kjo ndodh, atëherë do të jetë vonë... Mendoj se ky duel verbal Vuçiq-Kurti mund të na çojë në një konflikt të ri, mund të çojë në një konflikt të armatosur”, thotë Petroniq, i cili udhëheqë organizatën joqeveritare “Humani centar Mitrovica”.

Sipas tij, kjo situatë është krijuar për shkak të ngecjes së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Sa më larg të jemi nga një zgjidhje në dialog, aq më afër konfliktit jemi”, thotë ai.