Ndërlidhjet

Bërnabiq i reagon ashpër BE-së


Kryministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Kryministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Serbia është e vendosur për paqe dhe stabilitet, teksa reagoi ndaj një deklarate të Bashkimit Evropian lidhur me retorikën e ashpër midis zyrtarëve nga Serbia dhe Kosova.

“Përveç deklaratave të kota, BE-ja nuk është përgjigjur në asnjë mënyrë tjetër ndaj provokimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me konfliktin e armatosur me serbët”, tha Bërnabiq përmes një postimi në Twitter më 14 gusht.

Të dielën, BE-ja shprehu shqetësimin për deklaratat ku përmendet lufta dhe konflikti dhe dënoi retorikën nxitëse të liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi.

“Politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të çojë deri te ndonjë rritje të tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”, u tha në deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

BE-ja po ashtu tha se të gjitha çështjet e hapura midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen përmes dialogut që Brukseli ndërmjetëson.

“Duke parë këtë deklaratë të BE-së, dikush mund të mendojë se sot është 1 Prilli. Duket shaka pa kripë. Për 175 ditë të plota, Kurti ka provokuar për një konflikt të armatosur me serbët”, tha Bërnabiq në përgjigjen e saj ndaj deklaratës së BE-së.

Reagimi i BE-së erdhi pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë akuzuar njëri-tjetrin për nxitjen e një dhune të mundshme në Kosovë.

Më 11 gusht, Vuçiq deklaroi se ka informacione për plane në veri të Kosovës dhe se autoritetet në Kosovë se po përgatiten për “likuidimi i popullit tonë” në veri të Kosovës.

Një ditë më vonë, Kurti u kundërpërgjigj duke thënë se Kosova dëshiron paqe dhe stabilitet. Ai tha se deklaratat që vijnë nga Serbia për dhunë dhe vrasje, “flasin për imagjinatën dhe mendimet” e zyrtarëve serbë.

Por, Ana Bërnabiq, tha se BE-ja mban fajin kryesor për situatën aktuale.

“Nëse BE-ja do ta bënte pjesën e saj, për të siguruar zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të garantojë të drejta bazike të njeriut për serbët në Kosovë, gjërat do të ishin më ndryshe sot”, shtoi ajo.

Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia në prill të vitit 2013, arritën Marrëveshjen e parë të Brukselit, që synon të sjellë të dy shtetet më afër BE-së.

Por, Bërnabiq tha se po afrohet dekada e parë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje dhe “BE-ja vetë e pranon se nuk mund ta detyrojnë Kurtin që të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shtyllës së Marrëveshjes së Brukselit”.

Përveç marrëveshjes së vitit 2013, ku është përfshirë Asociacionin, palët më 2015 arritën Marrëveshjen mbi parimet për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se akordi nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, ndërkaq Kosova kundërshton një asociacionin njëetnik.

Ndryshe, në Serbi ka pasur edhe reagime të tjera sa i përket deklaratës së BE-së. Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se përkushtimi i Beogradit për dialogun nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe i kërkoi BE-së të ndarë hapa.

“Nëse situata del jashtë kontrollit, përgjegjësinë do ta mbajnë ata që kanë mundur të veprojnë me kohë dhe me masa parandaluese, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, u tha në deklaratën e kësaj zyreje.

Lidhur me deklaratën e BE-së ka reaguar edhe ministri serb për Punë të Brendshme, Aleksandar Vulin.

“Aleksandar Vuçiq nuk e ka përmendur asnjë luftën si mjet për të zgjidhur problemet me Prishtinën, prandaj Kurti e ka bërë këtë. Prandaj jam i befasuar që BE-ja ka kërkuar nga të dyja palët që të përmbahen”, tha Vulin përmes një deklarate.

Deklarata e BE-së erdhi katër ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku.

Ky do të jetë takimi i parë midis Kurtit dhe Vuçiqit pas më shumë se një vit. Liderët u takuan vitin e kaluar dy herë, por asnjëri takim nuk solli ndonjë rezultat konkret.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG