Për shtatë ditë (nga data 21 deri më 27 gusht), në Kosovë kanë vdekur 97 pacientë me COVID-19, derisa numri i të infektuarve në javën e fundit, ka shkuar mbi 16 mijë.
Aktualisht, në Kosovë janë mbi 25 mijë raste aktive me koronavirus.
Kjo rritje, sipas mjekëve, ka ndodhur si pasojë e lirimit të tepërt të masave dhe mosmbajtjes së maskës dhe distancës fizike. Sipas tyre, në rritjen e numrave ka ndikuar edhe shkalla e ulët e vaksinimit.
SHIKONI EDHE: Lufta për të shpëtuar jetëRadio Evropa e Lirë ka biseduar me mjekun kosovar Arbër Shehu, i cili është hulumtues shkencor në universitetin amerikan “Johns Hopkins”. Ai është një nga autorët e studimit për efikasitetin e vaksinave nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna.
Shehu thotë se lirimi i masave para kohe, ka rezultuar që infeksioni me SarsCov2 të përhapet më shpejt.
"Numri i ultë i të vaksinuarve në nivel vendi, ka bërë që rritja e infeksioneve me këtë virus, të shoqërohet me hospitalizim, ku pacientët përfundojnë në kujdesin intensive dhe fatkeqësisht vije deri tek vdekja”, thotë Shehu.
Sipas tij, vaksinimi është mbrojtja më e mirë nga varianti Delta, i cili është më i përhapuri në Kosovë.
"Distribuimi sa më adekuat i vaksinave në një interval kohor sa më të shpejtë, do të kishte mundësuar që gjërat të stabilizohen dhe të kthehen drejt normalitetit”, thotë Shehu.
Shehu shton se Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, duhet të bëjë informim sa më të saktë për rëndësinë e vaksinimit dhe të sensibilizojë qytetarët për t’u vaksinuar.
SHIKONI EDHE: Ibrahimi: Fillimi i vitit të ri shkollor do të shtyhetDeri më tani, mbi 260 mijë qytetarë të Kosovës kanë marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.
Numri i popullsisë në Kosovë vlerësohet të jetë mbi 1.7 milion banorë, kurse aktualisht po vaksinohen personat mbi moshën 16-vjeçare.
Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) thotë se disa të dhëna tregojnë se te personat e pavaksinuar, varianti Delta mund të shkaktojë më shumë sëmundje të rënda, sesa variantet paraprake.
Në dy studime të ndara, në Kanada dhe në Skoci, pacientët e infektuar me variantin Delta, për shkak të gjendjes së tyre, kishin më shumë mundësi të përfundonin të shtrirë në spital, sesa pacientët me variantin Alfa, ose atë fillestar të COVID-19. Ndërkaq, shumica e madhe e personave që janë shtrirë në spital, dhe e personave që kanë vdekur nga COVID-19, ishte e pavaksinuar.
Megjithatë, sipas CDC, personat që janë të vaksinuar plotësisht, dhe janë infektuar me variantin Delta, mund ta përhapin atë te të tjerët, mirëpo për një kohë më të shkurtër.
SHIKONI EDHE: Rreth 7,500 fëmijë të vaksinuarMbi 50 pacientë në gjendje të rëndë
Që vaksina është armë më e fortë në luftimin e këtij virusi, pajtohet edhe infektologu Lirim Tafilaj, që është pjesë e Klinikës Infektive në Prishtinë.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në Klinikën Infektive janë të shtrirë 118 pacientë, shumica prej tyre janë me oksigjeno-terapi.
“Një prej problemeve është edhe mosrespektimi i masave. Mosmbajtja e maskave, tubimet nëpër vende të mbyllura, ahengjet e këto, kanë ndikuar në shpërndarjen e virusit. Po ashtu është edhe varianti Delta, që shpërndahet më lehtë dhe prekë edhe fëmijët dhe gratë shtatzëna”, thotë Tafilaj.
SHIKONI EDHE: Në Kosovë, 55 pacientë me koronavirus në gjendje të rëndëSipas tij, shumica e pacientëve që janë në gjendje të rëndë janë të pavaksinuar.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Univeristar i Kosovës, në raportin ditor më 27 gusht, ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i pacientëve me koronavirus të shtrirë në spitale, është mbi një mijë. Prej tyre, mbi 950 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi dhe mbi 50 janë në gjendje të rënduar shëndetësore, thuhet në raport.
Qytetarët thonë se ‘ua panë sherrin’ dasmave
Në ballkonet e Klinikës Infektive, janë të shumtë qytetarët që po kujdesen për familjarët e tyre që janë të infektuar me COVID-19. Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa prej tyre, të cilët thonë se infektimet janë rritur si pasojë e organizimit të dasmave dhe tubimeve tjera masive.
Bahrije Ismaili nga Gjilani, ka 10 ditë që është duke u kujdesur për bashkëshortin e saj, i cili është infektuar me koronavirus dhe sëmurë me COVID-19. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë, se ai u infektua në një dasmë.
“Katastrofë. Nuk po ka mbikëqyrje. Nuk po ruhen njerëzit. Ne jemi ruajtur boll, por u infektuam nëpër dasma. Të ndalohen dasmat, gastronomitë, të mbyllën këto derisa të bie numri i të infektuarve”, thotë ajo.
SHIKONI EDHE: Në Kosovë po vdesin të pavaksinuaritEdhe Imer Qorri nga komuna e Drenasit dhe Hajrie Aliu nga Podujeva, të cilët po kujdesën për të afërmit e tyre, thonë se për Radion Evropa e Lirë se lirimi i masave ka rritur numrin e të infektuarve.
“Nuk e di kush mund ta arsyetojë këtë. Nuk e di a ishte neglizhencë e qytetarëve, a e qeverisë. Diskotekat gjithë natën, dasmat gjithë natën. Pa mbikëqyrje, pa mbrojtje asgjë”, thotë Qorri.
“Numrat po rriten sepse nuk po i rrimë gati, s’po jemi të kujdesshëm. Dasmat kah 200-300 veta, tubimet, kafet. Pse nuk po sëmurën ata që po rrinë në shtëpi? Ata që nuk po shkojnë në dasma”, thotë Hajrie Aliu.
Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit në mars të vitit 2020, në Kosovë kanë vdekur mbi 2,300 qytetarë nga COVID-19.