Ndërlidhjet

Në Kosovë po vdesin të pavaksinuarit


Një pacient i shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Një pacient i shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Që prej nisjes së fushatës së imunizimit, asnjë person i vaksinuar në Kosovë nuk ka vdekur si pasojë e koronavirusit.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

Vaksinimi i qytetarëve në Kosovë nisi në fund të marsit dhe aktualisht po përdoren dy vaksina për imunizim, ajo e kompanisë AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.

Vaksinimi i qytetarëve të Kosovë është esencial për shpëtimin e jetës së tyre dhe institucionet shëndetësore dhe qeveritare kompetente për shëndetësinë, duhet të jetë më agresive në fushatën për vaksinimin e qytetarëve, vlerëson epidemiologu Isuf Dedushaj.

Vishaj: Për 12 ditë, 20 mijë të infektuar

Dita e hënë, më 23 gusht, ishte një prej ditëve me bilancin më tragjik për sa i përket numrit të personave që kanë vdekur nga koronavirusi. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës raportoi për 17 raste të vdekjes për 24 orë, më datën 23 gusht. Në këtë datë, raste të reja të infektimit janë evidentuar 1,067 ndërkaq, numri më i madh i personave të infektuar i takojë moshës prej 20 deri në 50 vjet.

Vetëm me 23 gusht janë evidentuar 16 raste të reja të moshës prej 0 deri në 9 vjeç, ndërkaq, 112 raste të moshave prej 10 deri në 19 vjet.

Në shtatë ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 57 viktima dhe 13.389 raste të reja me COVID-19. Aktualisht numri i përgjithshëm i rasteve pozitive të konfirmuara është 130.376.

Rastet e evidentuara të qytetarëve me COVID-19 , në veçanti në ditët e fundit, janë rritur, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

“Për 10 ose 12 ditë janë infektuar rreth 20 mijë qytetarë. Kjo i bie gati një e pesta e atyre që janë infektuar për një vit e gjysmë. Rrjedhimisht është i pritshëm edhe spitalizimi i një numri të madh (të pacientëve). Ne, në datën 10 apo 12 gusht, në të gjithë Prishtinën i kemi pasur diku rreth 25 deri 28 pacientë të hospitalizuar. Sot jemi gati se në përmbushje të kapaciteteve. Është ardhje e përnjëhershme e një numri shumë të madh të pacientëve. Rrjedhimisht, kjo çon edhe në këtë shkallën e tanishme të mortalitet. Këto janë të gjitha të pritshme”, tha Vishaj.

Ai shtoi se ende është herët për të dhënë një përgjigje nëse varianti Delta i koronavirusit është më agresive sesa variantet paraprake, për shkak se sipas tij, duhet të përcillen të gjitha rastet e reja deri në shërimin e tyre.

Dedushaj: Vaksinimi nuk do të lejonte kërdinë e sëmundjes

Por, epidemiologu Isuf Dedushaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që varianti Delta është më agresiv, Sipas tij, në tri valët e kaluara të pandemisë, mundësia e shpërndarjes së infektimit nga një person ka qenë te tre persona tjerë, ndërkaq, siç thotë ai, me variantin Delta një person mund të shpërndajë infeksionin deri te tetë persona të tjerë.

“Do të thotë është afërsisht trefish më agresiv, trefish është përhapja më e fuqishme. Ky është një prej faktorëve dominantë që po paraqet komponenti Delta. Kjo është brengosëse. Përfshin moshat më të reja, ku dominon mosha mbi 20 vjeç, pra 20 deri në 40 vjeç dhe për fat. Tash, sikur të ishte vaksinuar popullata, të ishte arritur mbulimi i saj prej 60 deri në 80 për qind, nuk do të kishte shans që sëmundja të bëj kërdi ose të paraqitet në formë të ashpër, agresive ose masive”, tha Dedushaj.

“Asnjë i vaksinuar nuk ka vdekur nga koronavirusi”

Por, drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj thotë se deri më tash, prej kur ka nisur të shtohet numri i pacientëve, në Klinikën Infektive kanë qenë të shtrirë rreth 140 pacientë të infektuar, prej të cilëve 13 kanë qenë të vaksinuar.

“Asnjë i vaksinuar dhe i shtrirë (në spital) nuk ka përfunduar me fatalitet. Ne tash i kemi dy probleme: problemin e komunitetit të pavaksinuar, i cili është problem madhor, sepse ata te ne paraqesin shumicën dhe problemin tjetër shumë të vogël te komuniteti i njerëzve që janë të vaksinuar. Ata që janë të vaksinuar, prej tyre, një përqindje shumë e vogël, e marrin infeksionin. Por edhe nëse infektohen, deri më tash kemi parë që kalojnë më lehtë, ndonëse edhe te këta mund të paraqitet një formë e moderuar e sëmundjes”, theksoi Vishaj.

Mungesë e një fushate më agresive për vaksinim

Epidemiologu Isuf Dedushaj, vlerëson se numri ende i vogël, sipas tij, i personave të vaksinuar është pasojë e neglizhencës së vetë qytetarëve, por edhe e mungesës së një fushate më agresive nga institucionet e vendit për vaksinim.

Aktualisht, imunizimi i qytetarëve kundër COVID-19 po vazhdon të bëhet në 30 komuna me mbi 300 ekipe të vaksinimit.

Por, sipas Dedushajt, institucionet duhet t’i shumëfishojnë pikat ku mund të bëhet vaksinimi, të krijojë ekipe mobile dhe t’i qasen më fuqishëm vetëdijesimit të qytetarëve për imunizimin e tyre ndaj COVID-19.

“E vetmja mënyrë e parandalimit, për momentin, për këtë vend të varfër, është dhënia e vaksinës. Është fat që Kosova i ka siguruar vaksinat më të mira dhe më efikase. Janë kushtet, ka frigoriferë, ka ekipe. Do të thotë, vaksinat mund të arrijnë në çdo lloj punkti, brenda ditës dhe mund të vaksinojnë. I kemi parë në Perëndim, në makina i vaksinojnë. I ndalin në rrugë njerëzit dhe i vaksinojnë. Vetëm i regjistrojnë dhe ua lëshojnë kartelat e vaksinimit. Së dyti, duhet thënë këtij populli troç, se ai që e dëshiron vdekjen, mos të vaksinohet. Vetëm ata që i kanë humbur më të afërmit, e dinë shkallën e dhimbjes dhe vuajtjes që kanë”, u shpreh Dedushaj.

Deri më 23 gusht, Kosova ka administruar mbi 714 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë mbi 239 mijë persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG