Propozimi franko-gjerman, propozimi evropian, Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Marrëveshja Bazë.
Të gjitha e përshkruajnë një dokument.
Atë për të cilin kanë arritur pajtueshmëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt të këtij viti në Bruksel, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Këtij dokumenti me 11 nene, më 18 mars i është bashkëngjitur një aneks i zbatimit, pas diskutimeve mbi 12-orëshe mes dy palëve në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
SHIKONI EDHE: Pesë gjërat kryesore nga takimi i OhritÇfarë parasheh Marrëveshja?
Dokumenti fillestar, të cilit tani shumica i referohen si Marrëveshja Bazë, u kërkon palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë.
Dy palëve u kërkohet ta respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës.
Palëve u kërkohet që t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Për autoritetet në Kosovë, kjo pikë nënkupton që Serbia e njeh de facto shtetësinë e Kosovës.
Pikat me më së shumti vëmendje
Aneksi e veçon pikën 7 të Marrëveshjes Bazë.
Kjo pikë ka të bëjë me sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut.
Disa e shohin këtë pikë si referencë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Muaj më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përmendur modelin kroat si zgjidhje për minoritetin serb.
Mësoni më shumë për të në këtë video:
Një tjetër pikë është Deklarata për Personat e Zhdukur.
Kurti dhe Vuçiq e kanë miratuar një të tillë në një takim të zhvilluar më 2 maj të këtij viti.
Sipas ekspertëve, diçka e tillë sjell shpresë për zbardhje të fatit të më shumë se 1.600 të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, sepse palët janë zotuar të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si 'konfidenciale'.
SHIKONI EDHE: Deklarata për të Zhdukurit "ofron qasje në dokumente të ndjeshme”Kush e mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes?
Në dokument përmendet një Komitet i Përbashkët Monitorues, i kryesuar nga BE-ja.
Ky trup është formuar më 18 prill.
Kosova përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë, shefi i delegacionit të saj për dialog, Petar Petkoviq.
SHIKONI EDHE: BE: Formohet Komisioni për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes Kosovë - SerbiPika tjera me rëndësi
Parashihet krijimi i misioneve të përhershme në selitë përkatëse të qeverive dhe rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve në shumë fusha.
Po ashtu, Marrëveshja parasheh edhe zyrtarizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe ofrimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.
Marrëveshja Bazë dhe Aneksi parashohin që pikat e dokumentit bazë të zbatohen të pavarura nga njëra-tjetra dhe se renditja e tyre nuk e paragjykon renditjen e zbatimit.
Pasojat e moszbatimit të Marrëveshjes
Si Kosova, ashtu edhe Serbia janë paralajmëruar se dështimi për zbatim të Marrëveshjes Bazë mund të ketë pasoja negative në proceset e tyre integruese në BE, si dhe në marrjen e fondeve nga ky bllok.
SHIKONI EDHE: Propozohet që deri më 2030 BE-ja dhe shtetet kandidate të jenë gati për zgjerimPër çfarë fondesh bëhet fjalë?
Marrëveshja Bazë parasheh organizimin e një konference donatorësh për të krijuar një pako investimesh dhe ndihme për dy vendet nëse të gjitha pikat e Marrëveshjes Bazë zbatohen plotësisht.
Diçka e tillë nuk ka ndodhur ende, pasi si Kosova, ashtu edhe Serbia e kanë fajësuar shpesh njëra-tjetrën për shkelje të dokumentit.
Disa shembuj...
Në mesin e 11 neneve, Marrëveshja Bazë parasheh që Serbia të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Mirëpo, vetëm tri ditë pas Marrëveshjes së Ohrit, presidenti serb, Vuçiq, ka thënë se vendi i tij nuk do ta zbatojë pjesën e marrëveshjes lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Në anën e Kosovës diskutimet vlojnë për Asociacionin.
Bashkimi Evropian ka thënë pas takimit në Ohër se Kosova duhet ta formojë Asociacionin, me urgjencë.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka thënë në korrik se nuk sheh gatishmëri të palëve për zbatim të Marrëveshjes, ndonëse ajo, sipas tij, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet.
SHIKONI EDHE: Escobar: S’kam marrë zotim nga Kurti për zbatimin e marrëveshjesKosova dhe Serbia janë në proces të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh që atëherë, por jo të gjitha janë zbatuar.