Ndërlidhjet

Escobar: S’kam marrë zotim nga Kurti për zbatimin e marrëveshjes


I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha më 13 shtator se nuk kishte marrë kurrfarë zotimi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për zbatimin e marrëveshjes bazike mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të saj.

Kurti tha të hënën se bisedoi me emisarin amerikan “për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

Por, në një intervistë për Zërin e Amerikës, të publikuar më 13 shtator, Escobari tha: “Nuk kam marrë zotim nga Kurti.”

Ne duam zotim konkret për fillimin e zbatimit (të marrëveshjes). Dhe sa i përket Kosovës, kjo përfshin prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ai nuk u zotua për ta bërë këtë gjë. Ai, në thelb, u zotua të shkonte në Bruksel dhe të ishte i pranishëm në takime, por asgjë përtej kësaj”, shtoi Escobar.

Më 27 shkurt, në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Më 18 mars palët janë pajtuar edhe për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes, e cila parasheh një nivel të caktuar të vetmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.
Escobari i bëri këto komente në prag të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten në Bruksel.

Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Takimi i fundit mes bartësve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 2 maj, - nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Emisari amerikan tha se rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës do të ishte nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë japin dorëheqje.

“Nëse doni të keni zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, mendoj se dorëheqjet janë rruga më e shpejtë, më e lehtë. Peticioni si nismë nuk është provuar ndonjëherë më parë. Po kërkojmë nga serbët që të marrin pjesë plotësisht në zgjedhje kur ato të vendoset të mbahen. Se si arrijmë deri aty, është çështje që do të diskutohet mes palëve. Por, gjithsesi besoj se dorëheqjet do të ishin më të shpejtat. Megjithatë, po e përcjellim situatën me shumë vëmendje”, tha Escobar.

Derisa kryetarët shqiptarë nuk kanë pranuar të japin dorëheqje, Kosova është zotuar për riorganizimin e zgjedhjeve, por dëshiron ta bëjë këtë përmes një udhëzimi administrativ që u mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse përmes një peticioni.

Escobari tha se ajo që e shqetëson në Kosovë “është mungesa e vazhdueshme e koordinimit mes dy palëve për rrugën përpara, përfshirë shfrytëzimin e njësive të posaçme të policisë për shpronësime dhe dëbimin e disa institucioneve serbe nga ndërtesat qeveritare.”

“Të gjitha duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut, dhe po u bëjmë thirrje dy palëve që të sigurohen që të gjitha çështjet të koordinohen me bashkësinë ndërkombëtare”, theksoi ai.

Në fillim të këtij muaji, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq – i cili doli nga zgjedhjet e prillit dhe vjen nga partia e kryeministrit Kurti Vetëvendosje – kërkoi lirimin e një objekti komunal në Lagjen e Boshnjakëve, për të cilin tha se “janë duke e shfrytëzuar në mënyrë të jashtëligjshme katër institucione të Serbisë, pasi objekti i përket komunës.”

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.

Ky vendim është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada amerikane në Prishtinë.

*Intervistën e plotë të Gabriel Escobar, dhënë për Zërin e Amerikës, mund ta lexoni KËTU

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG