Në Shqipëri, aktualisht, 5.564 persona ndodhen në qeli, pjesa më e madhe e të cilëve janë të paraburgosur, konkretisht 3.008.
Nga 20 burgjet që ka ky vend, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, vetëm dy prej tyre janë të mbipopulluara, konkretisht burgu i Drenovës në Korçë dhe ai i Shën Kollit në Lezhë, ku mbahen 430 persona me masë shëndetësore, përkatësisht me probleme të shëndetit mendor.
Tri burgje drejt mbylljes
Mbipopullimi dhe kushtet e papërshtatshme në disa prej institucioneve të vuajtjes së dënimit, janë problemet kryesore që vëren Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Evropës, në raportin e hartuar pas një inspektimi të kryer në maj të vitit që shkoi në ambientet e burgjeve dhe paraburgimeve në Shqipëri.
Në këtë raport, që u publikua më 12 janar, rekomandohet mbyllja e burgut të Tepelenës, pasi ambientet janë të degraduara, me qeli pa ajrosje të duhur dhe me hapësira të vogla që, siç thuhet, nuk i plotësojnë standardet.
Për kushte jashtëzakonisht të këqija, ky raport përmend edhe një pjesë të ambienteve të burgut “Jordan Misja” në Tiranë, e po ashtu edhe në Shën Koll të Lezhës.
Nëndrejtori i Burgjeve në Shqipëri, Fehmi Sufaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në strategjinë e hartuar nga Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht në master-planin për zhvillimin infrastrukturor të këtij sistemi për vitet 2024-2028, të gjitha këto ndërhyrje janë të parashikuara dhe në pritje të buxhetit të nevojshëm.
“Kemi menduar se duhet të ndryshojë harta e burgjeve. Në master-planin e përgatitur është parashikuar që të mbyllet burgu i Tepelenës, të kthehet në muze, e po ashtu edhe burgu i Burrelit, ndërsa ai i Kosovës në Lushnje të kthehet në një burg të hapur, në një ambient ku të dënuarit kryejnë punë në bujqësi apo blegtori”, shpjegon Sufaj.
Shqetësim për të paraburgosurit me probleme të shëndetit mendor
Nëndrejtori i Burgjeve thotë se nuk ka mbipopullim në tërësi, pasi kapaciteti i burgjeve është për 5.727 persona, por se vetëm dy prej tyre vuajnë nga ky problem.
“Mbipopullim ka në burgun e Drenovës në Korçë dhe atë të Shën Kollit në Lezhë, ndërsa në gjashtë të tjera ka pak, 2 ose 3 persona më shumë se kapaciteti”, thotë ai.
“Në Lezhë, situata është shqetësuese, janë 430 të paraburgosur me masë shëndetësore, ndërsa gratë e paraburgosura me këto probleme ndodhen në spitalin e burgut në Tiranë. Ne kemi firmosur një dokument që ata të jenë subjekt i autoriteteve të shëndetësisë”, tregon Sufaj.
Ky raport e njeh faktin se ka një qasje për trajtim në mënyrë dinjitoze të këtyre personave..."
Në Shën Koll të Lezhës u transferuan të gjithë ata të paraburgosur me masë shëndetësore që ndodheshin në burgun e Zaharisë në Krujë, i cili u mbyll në nëntor të vitit 2021, për shkak të kushteve që u përshkruan si skandaloze në raporte të ndryshme ndërkombëtare.
Që nga ajo kohë, autoritetet premtuan se burgu i Shën Kollit në Lezhë do të jetë një “stacion i ndërmjetëm” deri në përcaktimin e një spitali për ta, por kjo nuk u realizua ende.
Avokati i Popullit: Raporti më pozitiv, por ka ende probleme
Për institucionin e Avokatit të Popullit në Shqipëri, raporti i fundit i Komitetit për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Evropës është ndër më pozitivët. Sipas tij, bëhet fjalë për të njëjtat probleme që i ka vërejtur edhe ky institucion gjatë inspektimeve.
“Kjo nuk do të thotë se kemi një situatë që është për t’u lavdëruar, por që kërkon ndërhyrje energjike dhe të rëndësishme për t’i përmirësuar kushtet në sistemin tonë penitenciar [v.j. sistemi i burgimit dhe paraburgimit]”, thotë për Radion Evropa e Lirë Erida Ballanca, drejtuese e institucionit të Avokatit të Popullit.
“Ky raport e njeh faktin se ka një qasje për trajtim në mënyrë dinjitoze të këtyre personave, si dhe mungesë të rasteve të ushtrimit të dhunës nga policët apo punonjësit e sistemit të burgjeve. Pra, ky është një fenomen i tejkaluar. Vlerësoj se gjetjet janë në një linjë me ato që ka vërejtur edhe Avokati i Popullit gjatë inspektimeve tona”, shton Ballanca.
Ky institucion kryen inspektime periodike një herë në vit, e në rastet që ka ankesa apo shqetësime, këto vizita janë më të shpeshta.
SHIKONI EDHE:
Brenda burgut të Shkupit: Maltretime psikike, fizike dhe korrupsionNjë mjek për 1,000 të burgosurBallanca thotë se rekomandimet gjithnjë e më shumë po pranohen dhe zbatohen.
“Pranohen mbi 90 për qind e atyre drejtuar sistemit penitenciar dhe policisë së shtetit dhe një përqindje e mirë zbatohet. Në momentin që ka implikime financiare, sigurisht që kërkohet më shumë kohë, pasi që buxheti apo mundësitë e Qeverisë për t’i adresuar të gjitha rekomandimet tona, nuk janë të mjaftueshme”, thotë Ballanca.
Ajo shton se, në mënyrë të veçantë, duhet të adresohet shqetësimi edhe i Avokatit të Popullit për trajtimin e personave me masë shëndetësore.
“Në vlerësimin tonë është pjesa më problematike në sistemin penitenciar dhe atë shëndetësor në Shqipëri”, thotë Ballanca.
Më shumë të paraburgosur se të dënuar
Aktualisht, në burgjet shqiptare më shumë se gjysma e personave që ndodhen në qeli, janë të paraburgosur.
Juristi Bledar Dervishi thotë se numri më i lartë i të paraburgosurve se i të dënuarve është kthyer në një fenomen shqetësues që sa vjen e rëndohet dhe, sipas tij, arsyet janë disa.
...po aplikohen masa ekstreme sigurimi për vepra penale, kur jo gjithmonë është i nevojshëm arresti".
“Zvarritja e proceseve gjyqësore është një prej tyre. Aplikimi i masës ekstreme të sigurimit ‘arrest me burg’ është tjetër shkak. Prokuroria tenton ta ketë të dyshuarin ‘të paketuar’ në arrest me burg”.
“Kemi garancinë pasurore apo detyrimin për paraqitje që mund t’ia sigurojnë organit të akuzës prezencën e personit nën hetim apo edhe mundësinë për hetim pa prishur prova, por këto masa aplikohen më pak. Koha ka provuar se, shpesh, ka qenë i panevojshëm ‘arresti me burg’ pasi [i dyshuari] është liruar”, thotë Dervishi për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se duhet të rivendoset një politikë e re penale për masat e sigurisë dhe jo të shkohet me masë ekstreme.
“Për ta dhënë këtë masë duhet bërë një vlerësim i karakterit të personit, i historikut penal dhe jo të përdoret rëndom. Ne kemi rënie të numrit të popullsisë, e nga ana tjetër ka rritje të numrit të të paraburgosurve. Kjo, sipas meje, do të thotë se po aplikohen masa ekstreme sigurimi për vepra penale, kur jo gjithmonë është i nevojshëm arresti”, thekson juristi.
Nëndrejtori i Burgjeve thotë se nuk mund ta komentojë punën e organit të akuzës apo të gjykatave, por pranon se ka një problem.
“Mund të them se shumë prej masave ‘arrest me burg’ zëvendësohen me masë më të lehtë apo shuhen. Kjo tregon se ka diçka që duhej të ishte parë më mirë kur është vendosur kjo masë”, thotë Sufaj.
Plane për burgje të reja dhe rikonstruksione
Në projektet e Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri është parashikuar ndërtimi i një burgu të ri në jug të vendit.
Ndërtimi i burgjeve të reja është kriter për t’i garantuar kushtet dhe standardet evropiane, por jo domosdoshmëri dhe fokus i Ministrisë së Drejtësisë".
Sufaj thotë se “do të ndërtohet një burg i ri në Gjirokastër, pasi të mbyllet ai i Tepelenës” dhe se “do të rinovohet totalisht burgu ‘Jordan Misja’ në Tiranë”.
“Pritet që, gjithashtu, amnistia ta lehtësojë situatën në burgje sa i përket mbipopullimit, pasi pritet të përfitojnë rreth 600 persona”, thotë Sufaj.
Amnistia ka mbetur peng i përplasjeve politike në Kuvendin e Shqipërisë dhe nisma nuk u votua siç ndodh zakonisht në prag të festave të fundvitit.
Juristi Dervishi i komenton ndryshe planet për burgje të reja:
“Ndërtimi i burgjeve të reja është kriter për t’i garantuar kushtet dhe standardet evropiane, por jo domosdoshmëri dhe fokus i Ministrisë së Drejtësisë”.
Në Shqipëri, për mungesë kushtesh, më herët janë mbyllur burgu i Zaharisë në Krujë, ai i Tropojës, i Sarandës dhe i Vaqarrit në Tiranë.