Ndërlidhjet

Një mjek për 1,000 të burgosur


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

I.A. 37 vjeç, (identiteti i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë), i cili për 13 vjet vuan dënimin në burgun e Idrizovës në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se të burgosurit në këtë institucion korrektues nuk marrin as minimumin e shërbimeve shëndetësore.

Ai thotë se ndër problemet kryesore në këtë burg janë mungesa e ilaçeve, e mjekëve psikiatër dhe mosrespektimi i orarit të punës të mjekes së vetme të përgjithshme, që punon në burgun e Idrizovës.

“Nga ora 08:00 mjekja fillon punën, por tek ajo nuk mund të shkojë asnjë i burgosur para orës 10:00... sepse ose është duke pirë kafe ose është duke u përgatitur për punë. Sjelljen e ka katastrofale. Nëse ne kërkojmë që të marrim shërbim më cilësor, ajo menjëherë ankohet te shërbimet e sigurisë, të cilët shkruajnë raporte dhe na bëjnë problem neve vetëm pse jemi ankuar, pasi kemi qenë të sëmurë dhe kemi kërkuar shërbime”, thotë I.A.

Sipas këtij të burgosuri, në burgun e Idrizovës, që gjendet rreth 20 kilometra nga qyteti i Shkupit, ka mbi 1,000 të burgosur që vuajnë dënimet e tyre për vepra të ndryshme, e të cilët kanë nevojë për shërbime adekuate shëndetësore.

“Ne kërkojmë 24 orë shërbim mjekësor dhe jo një mjeke e cila është në shërbim të 1,000 të burgosurve, aq sa ka këtu në burgun e Idrizovës, edhe atë vetëm në ndërrimin e paradites. Nëse një i burgosur sëmuret pasdite ose natën, atëherë gardianët thërrasin ndihmën e shpejtë, që vjen me shumë vonesë. Ne vetëm kërkojmë mjekë profesionalë, që do ta bëjnë punën si duhet brenda 24 orëve”, thotë ai.

I.A. thotë se për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në ambulancën e stomatologjisë në burgun e Idrizovës, ai ka humbur pjesën më të madhe të dhëmbëve. Sipas këtij të burgosuri, me të cilin ka biseduar Radio Evropa e Lirë, nga stomatologia që punon në këtë burg, për 13 vjet ka marrë vetëm ilaçe për qetësim të dhimbjes ose ia ka hequr dhëmbët e prishur, por asnjëherë nuk i është ofruar mjekimi i dhëmbëve.

“(Dentistja) Është aty formalisht, por ajo nuk të kontrollon. Për problemin më të vogël të thotë ‘shko privat, rregulloje dhëmbin jashtë burgut’. Por, është problem që të dalësh jashtë burgut për të rregulluar dhëmbët sepse duhet të preshësh me muaj që të sigurosh leje”, thotë i burgosuri, I.A.

Ai tregon se të burgosurit që kanë sëmundje kronike detyrohen që të kërkojnë nga të afërmit që t’u sjellin terapinë, por për këtë, sipas I.A. ata shpesh “japin ryshfet”.

Mjekët nuk duan të punojnë në burgje

Enti Shtetëror për Revizion gjatë kontrollit që i ka bërë Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve – që është përgjegjëse për menaxhimin e burgjeve – ka konstatuar se një pjesë e madhe e të burgosurve dhe personave që janë në paraburgim, nuk kanë sigurim shëndetësor. Prandaj, Enti ka kërkuar nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve që ta bëjë të detyrueshëm pagesën e sigurimit shëndetësor për çdo të burgosur.

Edhe një hulumtim që ka realizuar Komiteti i Helsinikit, ka konstatuar se ka mungesë të kuadrit shëndetësor në 12 burgjet e Maqedonisë së Veriut.

Ina Xhumuganova nga Komiteti i Helsinkit në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se mjekët po refuzojnë që të punojnë në burgje. Sipas saj, shumë konkurse për punë në burgje janë mbyllur pa sukses, pasi mjekët nuk kanë konkurruar.

Ajo sugjeron që Ministria e Shëndetësisë, krahas pagës bazë, t’u ofrojë edhe bonuse mjekëve që punojnë në burgje, për shkak të punës specifike që ata kanë me të burgosurit.

“Si problem më i madh është se nuk ka mjete të mjaftueshme financiare (nga Ministria e Shëndetësisë), përmes së cilave, në formë të bonuseve, do të paguheshin punonjësit shëndetësorë të angazhuar në burgje”, thotë Xhumuganova.

Xhumuganova ngrit edhe çështjen e të burgosurve që kanë probleme me shëndetin mendor dhe thekson se në shumicën e burgjeve nuk ofrohet trajtim adekuat për këta persona.

“Në një pjesë shumë të vogël të burgjeve ka të punësuar, ose ka psikiatër të angazhuar. Kështu që të burgosurit dërgohen në klinikë për kontroll psikiatrik, ku u shkruhet terapia, por gjendja e shëndetit të tyre mendor nuk ndiqet në vazhdimësi. Jo rrallë herë, për shkak se nuk ndiqet në vazhdimësi gjendja psikike, të burgosurit marrin terapi joadekuate”, thotë ajo.

Të burgosurit, me të cilët ka biseduar REL-i, thanë se për shkak të trajtimit jo të duhur të problemeve mendore, kanë ndodhur edhe vetëvrasje në burgje.

Burgjet nuk bashkëpunojnë me Avokatin e Popullit

Për Avokatin e Popullit, Naser Ziberi është shqetësuese që nuk po zbatohen rekomandimet e institucionit që ai drejton, edhe pse në raportet vjetore ky institucion ka konstatuar shumë vërejtje sa i përket shërbimeve shëndetësore në burgje.

“Burgjet nuk bashkëpunojnë me Avokatin e Popullit, në kuptimin e mosdhënies së informatave në kohën e duhur, mosdhënies së përgjigjeve në parashtresat dhe kërkesat që i bëjmë ne dhe çka është më e dhimbshmja, moszbatimin e rekomandimeve që Avokati i Popullit i ka në raportet vjetore, e të cilat, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ia adreson Qeverisë për t’i zbatuar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Naser Ziberi.

Por, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, që menaxhon burgjet dhe institucionet korrektuese, thotë se janë bërë hapa konkretë në përmirësimin e kushteve në burgje, veçmas me problemin e mbipopullimit të tyre.

Lidhur me vërejtjet e të burgosurve, Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinikit, kjo Drejtori, përmes një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, thotë se problemi më i madh është në burgun e Idrizovës, ku vuajnë dënimin përqindja më e madhe e të burgosurve (mbi 50 për qind).

Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve thotë se në Idrizovë janë të angazhuar një mjeke e përgjithshme, një stomatolog dhe psikiatër, që sipas këtij institucioni, është staf i pamjaftueshëm për t’u ofruar shërbim të gjithë të të burgosurve.

“Për zgjidhjen e problemit, në disa raste janë mbajtur takime pune mes Institutit të Shëndetit Publik, Qendrës Shëndetësore së Shkupit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por zgjidhja është e vështirë për shkak se në pesë raste është shpallur konkursi për punësimin e punëtorëve në burgun e Idrizovës, por për fat të keq nuk është paraqitur askush në këto konkurse”, thotë Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve.

“Siç e dimë, problemi me mungesën e punonjësve shëndetësorë në gjithë Maqedoninë e Veriut është gjithnjë e më i dukshëm. Për arsyet e përmendura, besojmë se nuk bëhet fjalë për kujdes shëndetësor jocilësor, por stafi mjekësor që është në dispozicion në këtë burg, nuk mund të mbulojë plotësisht nevojat e të gjithë të dënuarve që kanë nevojë për shërbime mjekësore”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.

Kjo drejtori thotë se ilaçet që janë në listën e ilaçeve esenciale jepen falas, por nëse mjekët rekomandojnë ilaçe që nuk gjenden në këtë listë, atëherë familjarët e të burgosurve duhet t’i blejnë ato.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG