Bizneset që arritën t’u përshtaten rregullave të pandemisë

Shumë biznese kanë arritur t'u përshtaten kushteve që imponoi pandemia e koronavirusit, duke ofruar shërbime online.

Sektori i transportit radhitet menjëherë pas sektorit të hotelerisë dhe gastronomisë në Maqedoninë e Veriut që pësoi humbje më të mëdha nga kriza e pandemisë së koronavirusit.

Përballë kësaj sfide u gjet edhe pronari i kompanisë së transportit “BE-DA Logistics”, Besnik Isaku, kur dy muajt e parë të pandemisë pësoi rënie të madhe biznesi i tij, pasi të hyrat ishin minimale si pasojë e bllokimit të të gjitha lëvizjeve.

SHIKONI EDHE: Koronavirusi fuqizon tregtinë online

Për Radion Evropa e Lirë ai tregon se pasi është konsultuar me stafin e të punësuarve, ka vendosur që ta riorientojë kompaninë e cila për dhjetë vjet ka realizuar shërbimet e transportit për tregun vendor dhe atë ndërkombëtarë në shërbime postare BE-DA Express, vendim ky që rezultoi me sukses për kompaninë e tij.

“Ne, veprimtarinë e parë e kemi pasur shërbime të transportit vendor dhe ndërkombëtar në të gjitha industritë e mundshme që përfshin transportin taksor, hekurudhor, atë ajror dhe detar dhe fillimi i pandemisë, muajt shkurt-mars, për ne si kompani ishin pak të vështirë për shkak të panikut se çka do të bëhet. Po ne me ekipin tonë arritëm që të organizohemi dhe të fokusohemi në atë se çka kërkonte periudha e pandemisë”, thotë Besnik Isaku, duke shtuar se me përpikëri kanë ndjekur të gjitha rekomandimet e qeverisë për sa i përket mbrojtjes së punëtorëve, për të mos e vënë në asnjë çast në rrezik shëndetin e tyre.

Besniku thotë se edhe në kushte të krizës së pandemisë, ka arritur jo vetëm të ruajë numrin e të punësuarve, por edhe të rrisë kapacitetet e kompanisë që drejton me hapjen e 26 vendeve të reja për punë.

SHIKONI EDHE: Efektet e koronavirusit në ekonominë e Maqedonisë së Veriut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, përmes katër pakove të masave anti-krizë në vlerë prej një miliard euro, i ka ndihmuar kompanitë që kanë pësuar nga kriza e pandemisë së koronavirusit.

Besnik Isaku thotë se i ka ndjekur me kujdes masat e qeverisë, por deri më tani nuk e ka shfrytëzuar asnjë qindarkë nga ndihmat e shtetit. Ai thotë se më shumë seç mund ta ndihmosh veten, askush nuk mund të të ndihmojë.

“Realisht, mua, si pronar i kompanisë, kriza e pandemisë më ka mësuar që të bëj zgjidhje në momente të vështira krize. Nuk bëmë panik, por arritëm të kërkojmë zgjidhje për këtë situatë dhe kjo rezultoi me sukses”, thotë ai.

Vendimtar për suksesin e kompanisë së tij, Besnik Isaku thotë se ka qenë investimi në trajnimin e të punësuarve duke ndarë një pjesë të konsiderueshme për vite nga buxheti i kompanisë.

Besniku thotë se aftësimi i të punësuarve me shkathtësi digjitale bëri që të punësuarit e kompanisë së tij t`iu përshtaten me lehtësi rrethanave të reja që imponoi kriza e pandemisë për sa i përket shërbimeve postare gjatë shitblerjeve online.

SHIKONI EDHE: Pandemia vonoi digjitalizimin

“Investimet që i kemi bërë gjatë viteve të kaluara për sa i përket trajnimit të të punësuarve rezultuan shumë pozitivisht këtë vit. Çdo herë si kompani investojmë në trajnimin e të punësuarve tanë. Çdo vit ndajmë një pjesë të buxhetit për trajnimin e të punësuarve”, tregon ai.

Ndryshe nga Asociacionit për Tregti Elektronike në Maqedoninë e Veriut kanë bërë të ditur se kriza e pandemisë e ka shumëfishuar tregtinë online përmes shërbimeve postare, përkatësisht që qytetarët produktet t’i marrin në adresë të shtëpisë, duke i detyruar kompanitë që të përshpejtojnë procesin e digjitalizimit.

Nga ana tjetër, odat ekonomike në Maqedoninë e Veriut janë duke realizuar shumë trajnime për kompanitë që t’u përshtaten rregullave që ka imponuar koronavirusi, përkatësisht orientimin kah tregtia elektronike si mundësi për të qenë në kontakt me konsumatorët edhe kur ata nuk mund t’i vizitojnë dyqanet për shitje.