Ndërlidhjet

Efektet e koronavirusit në ekonominë e Maqedonisë së Veriut


Shkup, mars, 2020.
Shkup, mars, 2020.

Afaristët kanë kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut që t’i ndihmojë përmes subvencioneve dhe lehtësirave të tjera, që kanë të bëjnë me shtyrjen e pagesave dhe kontributeve. Këto masa, sipas afaristëve, do të ndihmonin që të sanoheshin dëmet e shkaktuara nga përhapja e koronavirusit të ri.

Drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Drilon Iseni thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori i turizmit, hotelerisë dhe i transportit, janë prekur më së shumti nga koronavirusi.

“Koronavirusi, në këtë moment më së shumti po dëmton sektorin e hotelerisë, turizmit, atë të transportit dhe sektorët përcjellës në këtë fushë. Shumë kompani po ashtu kanë ulur në masë të theksuar edhe kapacitetet prodhuese sepse si rrjedhojë e masave të qeverisë, që njëri prind të qëndrojë në shtëpi për t’u përkujdesur për fëmijët, ka ndikuar në uljen e produktivitetit”, thotë Iseni, duke shtuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet t’u përgjigjet kërkesave të sektorit të biznesit që kanë të bëjnë me lehtësime tatimore “ku një pjesë të pagës dhe kontributeve ta mbulojë qeveria, të pezullohet pagesat bankare për një periudhë 3 deri në 6 muaj dhe njëkohësisht të aplikohen sa më parë masat për përkrahjen e bizneseve”.

Nga qeveria janë zotuar se do të shqyrtojnë kërkesat e komunitetit të biznesit. Këto kërkesa do të shqyrtohen nga një shtab i krizës që qeveria ka krijuar, e që ka për synim zgjidhjen e problemeve ekonomike.

“Buxheti është likuid, i qëndrueshëm. Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është mirë i projektuar, që të mund të ballafaqohet pa problem me këtë situatë. Nëse vijmë në situatë do të bëhet ridestinimi, rebalancimi i buxhetit ka mundësi të bëhet edhe në këto kushte”, tha kryeministri Oliver Spasovski.

Odat ekonomike në Maqedoninë e Veriut ndërkohë thonë se po bëjnë vlerësimin e dëmeve në secilin sektorë.

Kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Daniella Aesovska, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet që menjëherë të sanohen dëmet në sektorin e turizmit, ku shumë aranzhmane janë anuluar.

“Nuk duhet të shpikim asgjë. Mjafton t’u referohemi praktikave të vendeve të zhvilluara siç është SHBA-ja, Gjermania dhe vendeve të tjera, që menjëherë reaguan duke ndarë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit për sanimin e dëmeve që pësojnë kompanitë në fusha të ndryshme”, thotë Arsovska.

Afaristët kanë kërkuar që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të ndajë mjete për pagesën e kompensimeve për pagën e të punësuarve që lirohen nga puna për t’u përkujdesur për fëmijët nën moshën 10-vjeçare. Kjo masë e qeverisë dhe masa të tjera janë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Deri më tani, në Maqedoni të Veriut 13 persona janë infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG