Në paketën e fundit të sanksioneve kundër Rusisë, të miratuar nga Bashkimi Evropian në fillim të këtij muaji, blloku hapi mundësinë e shënjestrimit të individëve dhe kompanive në vendet e treta, në rast se i ndihmojnë entitetet e BE-së t’i anashkalojnë masat kufizuese, të vendosura kundër Kremlinit.
Pasi me vite ka kritikuar SHBA-në për aplikimin dhe kërcënimin me sanksione dytësore, Brukseli tani duket se po lëviz në të njëjtin drejtim, me qëllim që t’ia vështirësojë ekonomisë ruse financimin e luftës në Ukrainë.
SHIKONI EDHE: Sanksionet e reja: As Ballkani nuk do të mund të importojë naftë ruseMegjithatë, nuk pritet që Brukseli të bëjë hapa kundër njerëzve apo kompanive në fqinjësinë e tij, si për shembull në Serbi, Gjeorgji ose Armeni - vende këto që kanë dështuar të veprojnë në përputhje me politikat sanksionuese të BE-së. Kjo, për disa arsye.
Kur dokumentet e sanksioneve të BE-së u publikuan më 6 tetor në gazetën zyrtare të bllokut, aty ishte thjesht një fjali në lidhje me këtë drejtim të ri, e cila thoshte se blloku do të përfshijë tani “persona, subjekte ose organe fizike ose juridike”, që lehtësojnë anashkalimin e sanksioneve të BE-së.
Masa zbatohet në mënyrë të barabartë, si për aktorët e BE-së, ashtu edhe për ata jashtë BE-së. Për shembull, ajo do të zbatohej në rast se ata eksportojnë artikuj të sanksionuar nga BE-ja në Rusi, nëpërmjet një vendi të tretë, ose shkojnë në anën tjetër, duke përdorur një rrugë alternative përmes një vendi të tretë, për t’i futur mallrat e ndaluara ruse në bllok.
Një gjë e rëndësishme këtu është lidhja me BE-në, pasi masa vlen vetëm për të ndëshkuar njerëz ose subjekte që i ndihmojnë personat e BE-së t’i thyejnë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Por, ka dallime nëse krahasohet me politikën amerikane. Si fillim, BE-ja do ta ndëshkojë kompaninë ose personin me ndalesë vizash dhe ngrirje të aseteve, ndërsa Uashingtoni mund ta përjashtojë tërësisht subjektin e sanksionuar nga sistemi i tij financiar.
SHIKONI EDHE: SHBA i vendos sanksione të reja RusisëMegjithatë, çështja kryesore është nëse kjo politikë do të zbatohet fare. Shtetet e Bashkuara, deri më tani, janë përmbajtur nga përdorimi i sanksioneve dytësore sa u përket marrëdhënieve të vendeve të treta me Rusinë. Mund të pritet që edhe BE-ja të fillojë me kujdes.
Blloku po përgatitet ngadalë për një paketë të re sanksionesh, që do të godasin Rusinë dhe Bjellorusinë, por, sipas disa diplomatëve që kanë folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, aspekti i jashtëterritorialitetit nuk është pjesë e diskutimeve të hershme.
Disa thonë se masa për zgjerimin e fushëveprimit të sanksioneve duhet të lexohet kryesisht si “taktikë frikësuese”, në mënyrë që vendet e treta të detyrohen të fillojnë harmonizimin me sanksionet e BE-së.
“Ne kemi krijuar një armë të dobishme për ta ndezur në rast nevoje, por kjo është zgjidhja e fundit”, ka thënë një diplomat i BE-së.
- Vuçiq thotë se Serbia nuk ndryshon qëndrim për sanksionet ndaj Rusisë
- PE kërkon që Serbia të penalizohet për mosvënie të sanksioneve ndaj Rusisë
Sipas një tjetri, masa “ende duket se ka më shumë vlerë simbolike”.
“Duhet pak më shumë kohë për të parë se si do të zgjidhet ky apo tjetri rast. Duhet një precedent”, ka thënë një diplomat evropian.
Tani shtrohet pyetja nëse ai precedent do të ndodhë ndonjëherë.
E vërteta është se Brukseli ngurron t’i godasë vendet në fqinjësinë e tij, veçanërisht vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE, pasi nuk dëshiron të bëjë asgjë që mund të shihet si largim i tyre nga BE-ja. Serbia, e cila deri më tani nuk ka arritur të përafrohet me asnjërën nga tetë paketat e BE-së kundër Rusisë, është shembull i qartë.
SHIKONI EDHE: Hungaria dhe Serbia pajtohen për ndërtimin e naftësjellësit rusFakti që sanksionet duhet të miratohen me unanimitet, do të thotë gjithashtu se disa vende anëtare të BE-së, me përfitime të mundshme ekonomike, mund të hezitojnë të nënshkruajnë sanksione të reja.
Ka mundësi që zgjerimi i sanksioneve të marrë të njëjtën rrugë drejt askundit, sikurse “instrumenti kundër shtrëngimit”, të cilin Komisioni Evropian e ka prezantuar me bujë në dhjetor të vitit të kaluar.
I propozuar në vazhdën e kërcënimeve të Kinës kundër Lituanisë - pasi Vilniusi ka rritur bashkëpunimin me Tajvanin - ideja ka qenë që BE-ja të dalë me “masa reagimi”, të mjaftueshme për të mbrojtur çdo shtet anëtar. Instrumenti, deri më tani, nuk është as afër miratimit.
Për sanksionet e mundshme jashtëterritoriale të BE-së, ka gjithashtu më shumë pengesa, edhe nëse ka vullnet politik. Kapaciteti dhe ligjshmëria janë më të dukshmet. Paketat e provave duhet të përgatiten nga shtetet anëtare dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe ata tashmë po punojnë jashtë orarit për të gjetur baza të arsyeshme ligjore, për t’i shënjestruar industritë ruse.
Shqyrtimi i marrëdhënieve me vendet e treta mund të mos jetë gjithmonë prioritet. Në shumë mënyra, Brukselit i mungon versioni i tij i Zyrës së SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), e cila i administron dhe zbaton sanksionet amerikane.
SHIKONI EDHE:
Hill kërkon shpjegime nga Serbia për marrëveshjen me RusinëBE “e shqetësuar” për forcimin e bashkëpunimit Serbi-RusiEdhe nëse përgatiten paketat e provave, ato do të përballen me sfida të mundshme në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Edhe këtu, Uashingtoni duket se ka një strukturë më të lehtë, sepse, siç ka thënë një diplomat i lartë i BE-së, “BE-ja është përgjegjëse ndaj Gjykatës Evropiane të Drejtësisë; SHBA-ja është përgjegjëse vetëm para Zotit”.
Por, nëse të gjitha pjesët bien në vend dhe BE-ja i përdor këto masa kundër aktorëve të vendeve të treta në një moment në të ardhmen, kë do ta shënjestrojnë ato?
Kanë qenë Qiproja dhe Greqia që dyshohet se kanë shtyrë bllokun të shkojë drejt jashtëterritorialitetit... dhe kjo përkthehet në Turqi.
Në një dokument të rrjedhur të Komisionit Evropian, i cili vlerëson ndikimin e sanksioneve të BE-së deri më tani, Turqia, së bashku me Kinën, përmenden gjithashtu në një nënkapitull. Aty thuhet se “vlera e eksporteve të Turqisë në Rusi gati është dyfishuar që nga tremujori i dytë (i vitit 2022)”. Po ashtu thuhet se “eksportet e disa shteteve anëtare në Turqi janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2022”.
Kambanat e alarmit ndoshta nuk duhet të bien ende në Ankara, por është e qartë se Brukseli, pak nga pak, po interesohet më shumë për mënyrën se si vendet në fqinjësi po sillen kundrejt Rusisë.