Ndërlidhjet

Sanksionet e reja: As Ballkani nuk do të mund të importojë naftë ruse


Foto e realizuar gjatë një proteste në Bruksel në mars, kundër importeve të gazit dhe naftës nga Rusia.
Foto e realizuar gjatë një proteste në Bruksel në mars, kundër importeve të gazit dhe naftës nga Rusia.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar në parim për paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë, e cila përfshin edhe ndalimin e importit të disa prodhimeve të këtij shteti dhe vendosjen e një çmimi tavan për naftën e papërpunuar ruse që transportohet në vendet e treta.

Risi në paketën e re është se edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të lejohen të importojnë naftë të papërpunuar ruse.

Në BE thanë se në muajin dhjetor do të ndalohet në tërësi importi i naftës së papërpunuar nga Rusia, që transportohet përmes detit.

Në kuadër të sanksioneve të reja është edhe ndalimi i dhënies së shërbimeve nga ekspertët e BE-së për Qeverinë ruse apo ndërmarrjet ruse.

Më herët gjatë javës së kaluar, në propozimin për të cilin diskutuan përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së ishte edhe pika ku thuhej se “duhet parashikuar që, për shkak të sigurisë energjetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të mundësohet transiti i naftës së papërpunuar ruse përmes territorit të Kroacisë për në Ballkanin Perëndimor, me kusht që sasitë të jenë të ngjashme me ato që ishin para krizës energjetike”.

Por, burimet diplomatike në Bruksel thanë se kjo pikë tashmë është hequr për shkak të Serbisë e cila është importuesja më e madhe e naftës së papërpunuar ruse. Serbia e merr naftën ruse nga naftësjellësi JNAF, që gjendet në bregdetin kroat

“Disa vende anëtare nuk kanë dashur që Serbia të shpërblehet për qëndrimet e saj rreth krizës në Rusi dhe për mospërshtatje me qëndrimet dhe sanksionet që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë”, tha një diplomat.

Ndërkaq, burimet diplomatike thanë se “ekspertët e BE-së, pas një analize të thellë, kanë ardhur në përfundim se ka mjaft burime të tjera të naftës nga ku mund të importohet nafta e papërpunuar, prandaj nuk ka nevojë për përjashtim nga sanksionet”.

Serbia ka mbështetur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë luftën që Rusia nisi në shkurt kundër Ukrainës. Por, Beogradi ka refuzuar t’i vendosë sanksione Moskës.

BE-ja vazhdimisht i ka kërkuar Serbisë që të mbështesë sanksionet kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Por, deri më tani, BE-ja i ka lejuar Serbisë vazhdimin e kalimit të naftës ruse përmes territorit të BE-së për shkak të sigurisë energjetike në rajon. Por, sipas draft-dokumentit për paketën e re të sanksioneve, kjo mundësi nuk është e paraparë për të ardhmen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG