Blinken: Putin të mos lejohet të shkatërrojë rendin ndërkombëtar

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë fjalimit para OKB-së më 22 shtator 2022.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të ngrihen kundër presidentit rus, Vladimir Putin. Ai paralajmëroi se pushtimi rus i Ukrainës dhe përpjekjet e Putinit për të aneksuar më shumë territor të këtij shteti, janë kërcënim për të shkatërruar rendin ndërkombëtar.

Putin po shtyn katër territoret e kontrolluara nga Rusia në Ukrainë që të mbajnë të ashtuquajturat referendume për bashkëngjitje me Rusinë. Këto votime janë paraparë të nisin më 23 shtator, në mes të konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Vetë rendi ndërkombëtar, që ne jemi mbledhur këtu për ta mbrojtur, po copëtohet para syve tanë. Ne nuk mundemi, dhe nuk duhet ta lejojmë presidentin Putin të mbetet pa u ndëshkuar”, tha Blinken më 22 shtator.

SHIKONI EDHE: Çfarë nënkupton mobilizimi i pjesshëm për makinerinë ushtarake ruse?

Blinken tha se mbështetja ndërkombëtare për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainën duhet të mbrohet me rendin ndërkombëtar, ku asnjë shtet nuk mund të ndryshojë kufijtë e një shteti tjetër përmes forcës.

“Nëse dështojmë që ta mbrojmë këtë parim, që Kremlini po e shkel në mënyrë flagrante, ne dërgojmë një mesazh tek agresorët kudo, se ata mund ta injorojnë atë po ashtu. Ne vëmë çdo shtet në rrezik”, tha ai.

Blinken tha se Putini tha se me dhunë po tenton të “çrrënjosë” mijëra ukrainas dhe po detyron shtetasit rusë që të manipulojnë rezultatet e votimeve të kësaj jave mbi aneksimin, duke e quajtur këtë “strategji djallëzore”.

Kryediplomati amerikan po ashtu tha para Këshillit se ka prova “në rritje” të krimeve të luftës të rusëve në Ukrainë dhe shtoi se mbështet përpjekjet ndërkombëtare për të mbledhur dhe hetuar këto dëshmi.

SHIKONI EDHE: OKB-ja do të dërgojë një ekip në qytetin ku u gjetën varre masive në Ukrainë

Ai tha se dhuna është pjesë e sjelljes së ushtarëve rusë dhe nuk bëhet fjalë për incidente të izoluara.

OKB-ja “duhet të mbajë përgjegjës personat që kanë kryer këto krime”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dhe prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, pritet që të njoftojnë anëtarët e Këshillit të Sigurimit lidhur me krimet e mundshme të luftës në Ukrainë.

SHIKONI EDHE:

Putin mobilizon rezervistët për luftë dhe kërcënon PerëndiminBiden: Putin po tenton të zhdukë nga harta një shtet sovranStoltenberg: Kërcënimi bërthamor i Putinit, përshkallëzim i rrezikshëm

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesit e disa shteteve të bllokut dhe Bjellorusia, pritet që të flasin për këtë temë.

Shefi i Prokurorisë për krime lufte të Ukrainës ka deklaruar se autoritetet po hetojnë pothuajse 26.000 raste të dyshuara të krimeve të luftës qëkur Rusia nisi pushtimin në shkurt. Ukraina ka ngritur akuza për krime lufte ndaj 135 personave dhe zyrtarët së fundmi kanë thënë se kanë zbuluar varreza të reja masive. Në këto varreza është thënë se disa nga viktimat kanë pasur duart e lidhura pas shpine. Këto zbulime janë bërë pasi forcat ukrainase rimorën kontrollin e qytetit lindor të Izjumit.

Rusia mohon se shënjestron civilët dhe i ka cilësuar akuzat si shpifje.

Takimi i 22 shtatorit i Këshillit të Sigurimit shënon herën e 20-të që ky trup është takuar këtë vit për të diskutuar luftën në Ukrainë. Pavarësisht pushtimit të paprovokuar rus dhe akuzave se forcat ruse mund të kenë kryer krime lufte, ky Këshill nuk ka mundur të ndërmarrë ndonjë vendim të rëndësishëm, pasi Rusia ka fuqinë e vetos. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar që Rusisë t’i hiqet e drejta e vetos në OKB.