Reuters
Presidenti rus, Vladimir Putin, të mërkurën, më 21 shtator, urdhëroi mobilizimin e parë ushtarak të Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ky njoftim u bë pasi forcat ruse janë përballur me ngecje të mëdha në fushëbetejën në Ukrainë dhe urdhri i Putinit po shihet si përpjekje për të kthyer momentumin në anën e Moskës, në atë që Putini e ka cilësuar si përplasje midis Lindjes dhe Perëndimit.
Mobilizimi, tash për tash, thuhet se është i pjesshëm, dhe thërret 300.000 rezervistë rusë që t’i bashkohen luftës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë – shtetit me sipërfaqen më të madhe në botë – një mobilizim i plotë ushtarak do të nënkuptonte përfshirjen e forcës rezervë prej 25 milionë personash.
Sipas ligjeve ruse, burrat dhe gratë nga mosha 18 deri në 60 vjeç, teorikisht mund të thërriten si rezervistë, varësisht nga rangjet e tyre.
Analistët ushtarakë perëndimorë ka një kohë të gjatë që kanë thënë se Rusia ka mungesë të ushtarëve në fushëbetejën në Ukrainë për shkak të humbjeve të mëdha, përderisa nacionalistët rusë për muaj të tërë kanë bërë thirrje që të shpallet një lloj mobilizimi që t’i jepet shtytje fushatës ushtarake, e cila ka ngecur.
Ukraina shpalli programin e mobilizimit dy ditë para nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt dhe pas kësaj, njoftoi për shpalljen e luftës, që nënkupton se burrave nga mosha 18 deri në 60 vjeç u ndalohet që të largohen nga shteti. Kievi, aktualisht, është në valën e katërt të mobilizimit. Numri i saktë i rezervistëve që janë thirrur në luftë në Ukrainë është informacion i klasifikuar, por deklarimet zyrtare sugjerojnë se ky numër është të paktën 400.000.
Më poshtë mund t'i lexoni elementet kyçe të planit të mobilizimit rus, disa prej të cilave janë publikuar në ueb-faqen e Kremlinit pas dekretit të nënshkruar nga Putini. Disa pika të tjera janë prezantuar nga Putini ose nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
*Thirrje e menjëhershme për 300.000 rezervistë ushtarakë, të cilët më herët kanë shërbyer në ushtrinë ruse dhe kanë përvojë në luftime apo kanë aftësi të specializuara ushtarake. Studentët dhe rekrutët – djem të rinj që shërbejnë në mënyrë të obliguar 12 muaj në forcat e armatosura – nuk do të përfshihen në thirrjen për t’iu bashkuar luftës.
*Ushtria ruse është në kërkim të rezervistëve, të cilët kanë kryer punë specifike dhe të specializuara në ushtri në të kaluarën, sikurse ngasës të tankeve, inxhinierë ushtarakë dhe snajperistë. Megjithatë, lista e saktë e aftësive të specializuara që kërkohen është e klasifikuar, siç është i klasifikuar informacioni se ku çalon Rusia në aspektin e personelit ushtarak.
*Video: Njoftimi i Putinit për shpalljen e mobilizimit të pjesshëm
*Kritikët kanë thënë se formulimi në dekretin për mobilizim dhe detajet se kush do të përfshihet dhe kush jo, me qëllim janë lënë të paqarta në mënyrë që autoritetet të kenë liri më të madhe kur ta zbatojnë atë. Në dekretin e publikuar nuk përmendet shifra prej 300.000 rezervistësh, shifër që u përmend nga ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, gjatë një interviste dhënë për televizionin shtetëror rus. Kremlini tha se pjesa e dekretit, që i referohet shifrës prej 300.000 personash që do të mobilizohen përmes fazave, qëllimisht nuk është publikuar. Është e paqartë nëse edhe detaje të tjera qëllimisht nuk janë publikuar nga autoritetet ruse.
*Detyra kryesore e rezervistëve, sipas Shoigu, do të jetë që të përforcojnë vijën e frontit në Ukrainë, që aktualisht është mbi 1.000 kilometra e gjatë. “Natyrisht, çfarë qëndron pas kësaj vije duhet të përforcohet, territori duhet të kontrollohet”, tha Shoigu për televizionin shtetëror rus.
*Rezervistët nuk mund të dislokohen menjëherë në Ukrainë, pasi duhet t’iu nënshtrohen trajnimeve të reja dhe të familjarizohen me mënyrën se si Rusia po zhvillon luftën, apo siç e quan ajo, “operacionin e posaçëm ushtarak”. Analistët ushtarakë perëndimorë kanë parashikuar se do të kalojnë disa muaj para se rezervistët të dërgohen në fushëbetejë.
*Ushtarët profesionistë, apo siç njihen “kontraktniki”, që aktualisht po shërbejnë në forcat e armatosura, automatikisht do t’iu zgjatet kontrata deri në momentin që autoritetet të vendosin që t’i japin fund mobilizimit. Me fjalë të tjera, për ushtarët profesionistë është bërë më e vështirë që të largohen nga shërbimi.
*Nga ushtria ose nga forca rezervë mund të përjashtohen vetëm personat për arsye të moshës dhe problemeve të dokumentuara shëndetësore, që duhet të verifikohen nga një komision mjekësor ushtarak. Po ashtu, mund të përjashtohen personat që janë të dënuar me burgim, me vendim të prerë gjyqësor. Ndërkaq, personat që punojnë në industrinë e mbrojtjes mund ta shtyjnë shërbimin ushtarak.
*Më 20 shtator, Parlamenti rus miratoi një projektligj që ashpërson ndëshkimet për krimet sikurse dezertimi, dëmtimi i pronës së ushtrisë dhe mosbindja, nëse këto vepra kryhen gjatë mobilizimit ushtarak ose në situata luftarake. Sipas një kopjeje të këtij legjislacioni, që e ka parë Reuters, dorëzimi vullnetar po ashtu përbën krim për personelin ushtarak dhe për këtë vepër ushtarët mund të dënohen me dhjetë vjet burgim.
*Rezervistët do të ndihmohen financiarisht dhe do të paguhen sikurse ushtarët profesionistë me orar të plotë, të cilët fitojnë më shumë sesa rroga mesatare në Rusi. Ky fakt mund të bëjë që mobilizimi të jetë më tërheqës për disa persona nga provincat, ku pagat tradicionalisht janë më të ulëta sesa në qytetet e mëdha.
*Analistët ushtarakë perëndimorë kanë pyetur nëse Rusia ka pajisje të mjaftueshme ushtarake, pasi ka pësuar humbje të mëdha në Ukrainë. Po ashtu, ata kanë pyetur nëse Moska ka trajnerë ushtarakë me përvojë, që do t’i përgatisnin rezervistët për luftë. Moska thotë se ka.
*Po ashtu, analistët ushtarakë perëndimorë janë të ndarë në atë nëse vendimi për shpalljen e mobilizimit është marrë vonë për të ndryshuar rrjedhën e luftës në favor të Moskës. Shumica e analistëve mendojnë se është tepër vonë, por ka edhe disa që mendojnë se mobilizimi do ta ndihmojë Rusinë në disa mënyra, megjithëse kjo ndihmë nuk do të jetë e menjëhershme dhe nuk do të jetë vendimtare.
*Njoftimi për mobilizim duket se ka shkaktuar panik në mesin e disa rezervistëve të mundshëm. Biletat për fluturime njëdrejtimëshe nga Rusia u shitën shumë shpejt në agjencitë ajrore ruse më 21 shtator, sipas të dhënave të kompanive ajrore. Po ashtu, ka pasur raportime se disa burra janë kthyer mbrapsht nga rojet kufitare ruse.
*Politikani opozitar rus që gjendet në burg, Aleksei Navalny, më 21 shtator parashikoi se shumë burra do të tentojnë që t’i shmangen shkuarjes në luftë.
*Aktivistët nga koalicioni kundër luftës, Vesna, u bënë thirrje rusëve që të protestojnë kundër mobilizimit. Ka pasur raportime se më shumë se 1.000 persona janë arrestuar në protestat e 21 shtatorit, që u mbajtën në dhjetëra qytete ruse. Por, protestuesit mund të përballen me burgim, pasi autoritetet ruse i konsiderojnë këto protesta si të paligjshme.
*“Mobilizimi ushtarak nënkupton se mijëra rusë – baballarët tanë, vëllezërit dhe burrat tanë – do të dërgohen në thertoren e luftës”, tha koalicioni Vesna nëpërmjet një deklarate. “Tani lufta po na vjen në çdo shtëpi dhe në çdo familje”.